1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stichwort Swift-Abkommen

11 Shkurt 2010

Deputetët kërkojnë rregulla më të ashpra për ruajtjen e sekretit të të dhënave, ndaj me Jo-në e tyre ata e bllokuan marrëveshjen me SHBA-në. Por çfarë përmban marrëveshja SWIFT?

https://p.dw.com/p/LypE
Logoja e Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Marrëveshja e disktueshme SWIFT është në fuqi qysh nga 1 shkurti 2010 dhe rregullon shkëmbimin e të dhënave bankare midis BE-së dhe SHBA-së. Më saktë kjo marrëveshje u lejon hetuesve të veprave terroriste në SHBA që të kenë akses në të dhënat e Shërbimit belg të Financave, SWIFT (Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication). SWIFT administron transaksione për gati 8.000 banka në mbarë botën dhe komunikon mbi 15 milionë veprime bankare në ditë. Ndër këto veprime janë transfertat e parave, bizneset me valutën dhe blerja e aksioneve.

Marrëveshja e përkohshme u vendos fillimisht për nëntë muaj, sepse SWIFT zhvendosi ditën e parë të fillimit të vitit 2010 një server të rëndësishëm të vetin nga SHBA-ja në Holandë dhe kësisoj është vështirësuar aksesi i hetuesve të SHBA-së tek të dhënat bankare. Qysh pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 hetuesit e SHBA-së kanë akses rregullisht në të dhënat e SWIFT-it. Gjatë transfertave bankare për në Evropë SHBA-së u jepen të dhëna mbi emrin e dërguesit, të marrësit si dhe shuma e parave të transferuara.

Kartmonedha
Fotografi: ullstein bild - Schöning

Kritikët kanë frikë, se përmes kësaj marrëveshjeje nuk mund të garantohen të drejtat themelore evropiane dhe standardet për mbrojtjen e sekretit të të dhënave. Ata që e mbështesin këtë marrëveshje kanë frikë, se mund të krijohet një zbrastirë sigurie në rast se hetuesve të SHBA-së u hiqet e drejta e aksesit në këto të dhëna. Gjithësesi mes BE-së dhe SHBA-së është në fuqi një marrëveshje për ndihmë juridike.

Për shkak të situatës së paqartë ligjore SWIFT-i refuzon të vazhdojë dërgimin e të dhënave në SHBA. Kjo pasi Parlamenti i BE-së qysh prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Lisbonës ka të drejtën e bashkëvendosjes për të gjitha marrëveshjet mes BE-së dhe vendeve të treta. Këshilli i Ministrave të BE-së e miratoi marrëveshjen e përkohshme përmes një procedure të shpejtë më 30 nëntor 2009, pikërisht një ditë përpara se të hynte në fuqi Marrëveshja e Lisbonës. Me rrëzimin e Marrëveshjes SWIFT nga ana e Parlamentit të BE-së, SHBA-së do t'i duhet të vendosë marrëveshje bilaterale me Belgjikën dhe me Holandën.

Autor: Susanne Henn / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani