1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paradhënie Beogradit

Bernd Riegert30 Prill 2008

Ministrat e jashtëm të BE avancuan në rrugën e afrimit të Serbisë me BE. Me MSA ofruar Serbisë, ata duan të forcojnë forcat proevropiane, para zgjedhjeve parlamentare në këtë vend

https://p.dw.com/p/Dr6y

Synimi është i qartë: Serbia duhet të integrohet në BE, përndryshe ka pak shanse për një Ballkan të qetë e të stabilizuar. Për të arritur këtë synim, anëtarët e BE janë të gatshëm që t'i bëjnë lëshime Serbisë dhe t'i përthyejnë, tendosin e tërheqin parimet e tyre, derisa sa të dëgjohen kërcitje thyerjeje. Megjithëse ekziston prej vitesh dyshimi se qeveritë serbe të viteve të fundit nuk i kanë dorëzuar të dyshuarit si kriminelë lufte, edhe pse do të kishin qenë në gjendje ta bëjnë këtë, BE e zbuti qëndrimin e tij deri tani të rreptë.

Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit me Serbinë u nënshkrua, megjithëse nuk u plotësua kushti i përmendur prej muajsh, bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës për krime lufte. Rruga për anëtarësimin e Serbisë në BE bëhet pak a shumë e pakthyeshme. Pasi BE mbështeti pavarësinë e Kosovës dhe e rëndoi Serbinë me jo pak gjëra, tani ka ardhur koha që Serbisë t'i bëhen koncesione.

Kampi proevropian në Serbi mund të paraqesë një sukses të madh dhe merr kështu ndihmë urgjente të nevojitur për fushatën elektorale, para votimeve të 11 majit. BE bëri mirë që doli nga vetja dhe që i mbështet në mënyrë demonstrative forcat miqësore ndaj Evropës në Beograd. BE as edhe nuk kishte ndonjë alternativë më të mirë. Sepse, nëse në zgjedhje fitojnë forcat nacionaliste, perspektiva evropiane e Serbisë dhe e Ballkanit Perëndimor duket e errët.

Sidoqoftë, me këmbënguljen e Hollandës, BE la hapur një derë të pasme. Hollandezët ngulin veçanërisht këmbë për përndjekjen e kriminelëve të luftës, sepse janë ende të traumatizuar nga masakra e Srebrenicës në Luftën e Bosnjës më 1995, të cilën ushtarët helmetkaltër nuk qenë në gjendje ta pengojnë. Hollandezët kthyen në qëndrim të përbashkët të BE kushtin që Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit të zbatohet, vetëm nëse Këshilli i Ministrave të BE konstaton bashkëpunim të plotë me Tribunalin.

Ministri i jashtëm serb u përpoq menjëherë të shpërndante dyshimet, se me këtë klauzolë marrëveshja e BE kthehet në letër pa vlerë. E rëndësishme për partitë proevropiane është mbështetja e krahëve që nga Luksemburgu. Zgjedhjet e 11 majit do të jenë një lloj referendumi për afrimin e Serbisë me Evropën apo për izolimin. Me marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit, BE ka ofruar gjithçka, që mund të ofrohej. Alternativat janë të qarta, tani janë serbët që duhet të vendosin.