Obama - Erdogan në Uashington
16 Maj 2013Sot në Uashington presidenti Barack Obama do të presë kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Në fokus të takimit do të jetë situate në Siri dhe thellimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve. Megjithë mosmarrëveshjet mes dy liderëve, Obama dhe Erdogan janë të të njëjtit mendim për largimin e presidentit sirian nga posti, Baschar al Assad, kur dihet që si pasojë e luftimeve kanë humbur jetën mbi 70.000 njerëz në Siri. Erdogan është shprehur për një pozicion më të qartë ndaj Damaskut, gjë që do ta kërkojë edhe nga Obama, pasi tashmë Moska dhe Uashingtoni janë deklaruar për zhvillimin e një konference që ka si qëllim zgjidhjen paqësore të konfliktit në Siri. Në Turqi thonë se presin që presidenti Obama të kërkojë ndihmë nga kryeministri në lehtësimin e përpjekjeve të tanishme diplomatike për ta bindur koalicionin opozitar sirian të marrë pjesë në konferencën e paqes.
Krahas problemit dramatik të refugjatëve, ku bëhet fjalë për më shumë se 400.000 refugjatë sirianë në tokën turke, në takimin me Obamën, Erdogan do të shtrojë për diskutim edhe frikën që Turqia ka përpara një pakice alevite në rajonin kufitar me Sirinë. Tashmë u bë publike akuza se alevitët kanë bashkëpunuar me shërbimin sekret sirian në sulmet e fundit. Temë tjetër që pritet të bisedohet në takimin Obama-Erdogan është edhe ajo e kurdëve në Turqi. Sipas mediave turke, shqetësimi i Erdoganit është që çështja kurde mund të ringjallet përsëri në qoftë se Siria shkatërrohet. Në se kurdët në Siri, në Irak, në Turqi dhe në Iran do fillonin një nismë të re për një Kurdistan të pavarur, atëherë kjo për kryeministrin turk do të përbënte një rrezik të vërtetë.