1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papadhimos kryeministri i ri në Greqi

10 Nëntor 2011

Ish zv/presidenti i ECB-së, Llukas Papadhimos, do të jetë kryeministri i ri i Greqisë, njofton agjencia greke ANA. 64-vjeçari u paraqit sot në selinë e presidentit grek, ku zvhillohen bisedimet për qeverinë kalimtare.

https://p.dw.com/p/13888
Kryeministri në largim Jorgos Papandreu
Kryeministri në largim Jorgos PapandreuFotografi: dapd

Vendi që lindi demokracinë vështirësohet të pranojë konsensusin politik. Treleri politik për shpalljen e kryeministrit të qeverisë së bashkëpunimit, që filloi katër ditë më parë, me marrëveshjen e së dielës midis pozitës socialiste dhe opozitës së djathtë, mbremë në darkë përftoi edhe anën e tij (tragji)komike. Mbledhja e krerëve partiakë e programuar për në orën shtatë ku do të finalizohej edhe emri i kryeministrit të ri u anulua pas largimit episodik të kreut të nacionalistëve Jorgos Karaxhaferis, që kishte mbërritur i treti pas kryeministrit në dorëheqje Papandreu -më parë i kishte drejtuar për këtë mesazh kombit- dhe kreut  të konservatorëve Samaras.

“Më vjen jashtëzakonisht keq që në kushte të tilla kritike të bëhen lojëra taktike, duke mashtruar edhe presidentin e Republikës” deklaroi duke u larguar i revoltuar Karaxhaferis. Keqkuptoi si konsultë, thuhet, një portokalladë që presidenti u ofroi dy mysafirëve të tjerë që kishin mbërritur më parë. Për mosmarrëveshje për emrin e kryeministrit të ri, foli Karaxhaferis. Që u tha se do të shpallej të mërkurën në mëngjes, u shty për në drekë, më vonë për pasdite dhe tani u la për sot në mëngjes, po në pallatin presidencial ku do të shkojë dhe kreu nacionalist pas telefonatës dhe ftesës nga presidenti Papulias.

Jorgos Karaxhaferis (LAOS)
Jorgos Karaxhaferis (LAOS)Fotografi: dapd

Samaras: “Nuk kam asnjë problem me kandidaturat që është punë e mazhorancës”

Kryetari i Demokracisë së Re Andonis Samaras u kujdes që të distancohet menjëherë nga bllokazhi kompromentues, duke e hedhur topin në fushën e kundërshtarit Papandreu të cilin ishte ai që e çoi në dorëheqje. “Nismën e propozimit për kryeministrin e ri e ka mazhoranca qeveritare. Unë nuk kam problem me figurat. Problemi im është të zhbllokohet më në fund kësti i 6-të, marrëveshja e kreditit dhe të përftojë vendi qeveri veçanërisht në këto momente kritike ndërkombëtare…” deklaroi Samaras.

Ai tha se nuk ka asnjë problem me asnjë nga figurat, pra as me kandidaturën e kryetarit aktual të Parlamentit Filipos Pecalnikos që ishte fotografuar më parë në mesazhin drejtuar kombit nga Papandreu si një “opsion veçanërisht institucional që përforcon institucionet demokratike. “Forcat politike bazë të vendit i vënë shpatullat njëra-tjetrës, përmes një qeverie me mbështetje më se të gjerë që të bëjë vendi hapat e nevojshme kombëtare dhe të lemë mënjanë konfliktet dhe ballafaqimet e pafrytshme” tha Papandreu për t'u përgënjeshtruar me atë çka pasoi sa  pa kaluar as gjysmë ore.'

Kryetari i Demokracisë së Re Andonis Samaras
Kryetari i Demokracisë së Re Andonis SamarasFotografi: DW

Analistët: Përpjekje e sistemit aktual politik që të mos sfidohet

Pas paradës së emrave që filloi dhe duket se do të mbarojë – në bazë të trelerit të gjithënashëm- me ekonomistin dhe akademikun, ish-guvernatorin e Bankës së Greqisë dhe nënkryetarin e Bankës Qendrore Evropiane për vitet 2002-2010 Llukas Papadhimos, fshihet një luftë e  egër për pushtet që zhvillohet hapur por dhe në prapaskenë gjithë këto ditë. “Mendonin se do të ishte  pothuajse Papandreu në vend të Papandreut” thotë për kandidaturën e Filipos Pecalnikos analisti Nikos Skurletis, i cili sheh “një përpjekje të sistemit politik që të mbahet me mish e me shpirt në pushtet”.

Përzgjedhja e emrit të kryeparlamentarit Filipos Pecalnikos, pasi u spekulua  publikisht edhe me dy emra të tjerë, të përfaqësuesit të Greqisë në FMN Panajotis Rumelotis dhe kryetarit  të Gjykatës Evropiane Vasilis Skuris, ngjalli reagime të mëdha edhe në mesin e socialistëve që i faturojnë idenë e  mbajtjes së referendumit që kompromentoi botërisht imazhin e Greqisë. “Problemi i madh është se konsiderohet se nuk ka as përvojën ndërkombëtare as njohuritë ekonomike për një rol të tillë” thotë analisti tjetër Pandelis Kapsis, që çdo spekulim tjetër e vlerëson si “mikropolitikë që duhet kapërcyer”.

Ish-nënkryetari i e Bankës Qendrore Evropiane Llukas Papadhimos
Ish-nënkryetari i e Bankës Qendrore Evropiane Llukas PapadhimosFotografi: picture-alliance/dpa

“Fiasko” politike dhe “farsokomedi” thotë e majta, që kërkon  zgjedhje

Fiasko e sistemit politik dypartiak,  apo “karagjozllëk politik”, siç përcillet sot nga masmedia, dështimi i brendshëm sjell në sipërfaqe mungesën e kulturës konsensuale të demokracisë helene moderne. “Partitë nuk janë mësuar të bashkëpunojnë. Nuk ka kulturë bashkëpunimi dhe dialogu në jetën politike greke dhe partitë vijnë në këtë martesë të… hapur me synime të ndryshme. Demokracia e Re do që të kalojë sa më shpejt  koha që të shkojë në zgjedhje pa u bashkërenduar me politikat e memorandumit, kurse PASOK-u të fitojë kohë që të vendosë opozitën e djathtë në kornizën e përgjegjësisë duke kufizuar humbjet e tij” i thotë Deutsche Welles analisti Tasos Papas.

Për të majtën, që refuzoi të marrë pjesë në qeveri dhe foli për “farsokomedi të pabesueshme” dhe “orët e fundit të Pompeut”, zgjidhja është vetëm një: “Mendoj se zgjidhja më e pastër në këto momente nuk është tjetër  veçse zgjedhjet në marrëveshje me partnerët evropianë” deklaroi kreu i partisë E Majta Demokratike Fotis Kuvelis. Sipas tij cilado figurë që të zgjidhet, “sado serioze që të jetë është sabotuar nga vetë procedura e deritanishme”.

Kështu dy protagonistët, Papandreu-Samaras, që këto tri ditë nuk patën asnjë takim po vetëm telefonata, iu rikthyen kandidaturës fillestare të Llukas Papadhimos,i cili, siç mësohet vendos tri kushte: që marrëveshja e 26 tetorit të nënshkruhet edhe nga Samaras që kundërshton, e djatha të marrë pjesë në skemën qeveritare me sa më shumë figura politike  dhe mandati i qeverisë të zgjasë pak më shumë se 19 shkurti. Që do të pranohen me sa duket nga dy protagonistët, të cilët nuk kanë komoditetin të riskojnë një dështim tjetër.       

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Elert Ajazaj