Papa viziton Izraelin
12 Maj 2009Gjatë vizitës së të hënës (11.5.) në fjalën e tij të mbajtur në Memorialin e Holokaustit Jad Vashem në Jeruzalem, Papa Benedikt i XVI kujtoi vuajtjen e popullit hebre gjatë sundimit të nazizmit: "Kam ardhur, të qëndroj në heshtje përpara këtij monumenti, që u ngrit për të nderuar miliona hebrej, të cilët u vranë gjatë tragjedisë së tmerrshme të Shoasë. Ata humbën jetën e tyre, por ata nuk do të humbasin kurrë emrat e tyre: ato janë të pashuar në zemrat e të afërme të tyre të dashur, të të mbijetuarve të bashkëdënuar me ta. Emrat e tyre janë të gdhendur në kujtesën e të gjithë atyre, që janë të vendosur të mos lejojnë më kurrë akte të tilla tmerri, që çnderojnë njerëzimin."
Papa Benedikt i XVI theksoi si Peshkop i Romës dhe si pasues i Apostullit Pjetër, e po ashtu si edhe paraardhësit e tij, që "kisha është e detyruar të lutet dhe të punojë pa u lodhur, në mënyrë që urrejtja asnjëherë të mos sundojë zemrat e njerëzve."
"Ndërsa ne qëndrojmë në heshtje këtu, thirrja e viktimave vazhdon të jehojë në zemrat tona. Kjo është thirrja kundër çdo akti padrejtësie dhe dhune. Është një akuzë e vazhdueshme kundër derdhjes së gjakut të pafajshëm. (..) "Të dashur miq, unë i jam thellësisht mirënjohës Zotit dhe Juve për mundësinë që të qëndroj këtu në heshtje. Heshtje për të kujtuar, heshtje për t' u lutur, heshtje për të shpresuar."
Në Vendin e Shenjtë, Papa Benedikt i XVI i bëri thirrje Izraelit të mbrojë të drejtat e të gjithë banorëve të vendit. "Interesi i vërtetë i një kombi garantohet gjithmonë përmes drejtësisë për të gjithë," tha kreu i kishës katolike të hënën gjatë vizitës së kortezisë tek Presidenti i Izraelit, Shimon Peres. Duke lënë të nënkuptojë gjendjen e palestinezëve, Papa theksoi rëndësinë e dhënies së mundësive të arsimit, të hapësirës së banimit dhe punës, për ngritjen e një shoqërie të bazuar tek paqja dhe liria. «Unë dëgjoj thirrjen për paqe, siguri dhe për një jetë pa frikë nga kërcënimet dhe dhuna e marrë", tha Papa. Kam ardhur të lutem për "një dhuratë të çmuar: paqen dhe unitetin në Lindjen e Mesme".
Autor: Vilma Filaj Ballvora
Redaktoi: Aida Cama