1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa lejon mbajtjen e meshës në gjuhën latine

Georg Hoppe7 Korrik 2007

Më shumë se 40 që nga Këshilli i Dytë Vatikanor, Papa Benedikti XVI ka lejuar sërish zhvillimin e meshës tradicionale në gjuhën latine.

https://p.dw.com/p/BDYc
Papa Benedikti XVI gjatë një ceremonie meshtare
Papa Benedikti XVI gjatë një ceremonie meshtareFotografi: AP

Në një shkrim apostolik të publikuar të shtunën, më 7 korrik, ai ka udhëzuar festimin e meshave sipas liturgjisë së vjetër, në se këtë e dëshiron një "grup besimtarsësh" të një bashkësie. Sipas ritit të vjetër "tridentin" lutjet kryesore mbahen në gjuhën latine dhe prifti qendron me shpinë nga besimtarët në sallë.

Riti i përdorur deri tani mbetet forma e rregullt e shprehjes së lutjeve meshtare në kishë, shkruan Papa. Riti i vjetër, në të cilin frazat meshtare thuhen në gjuhën latine, do të jetë krahas tij, si një formë e jashtëzakonshme e të shprehurit.

Madje edhe më shumë: Siç thuhet në paragrafin e dekretit të parë të Papës, "për shkak të përdorimit të çmuar dhe të vjetër të tij, ai duhet të gëzojë nderimin e duhur". Këto dy forma shprehjeje, mesha latine dhe ajo e gjuhës së popullit, janë dy forma përdorimi të të njëjtit rit roman. Rivlerësimi i meshës latine nuk do të çojë në ndarjen e Kishës, ka thënë Benedikti XVI.

Sipas një shkrese që shoqëron dekretin, përdorimi i "missale"-s në vjetër kërkon si parakusht një nivel të caktuar arsimi liturgjik të fetarëve dhe njohuri të gjuhës latine - të dyja së bashku, ka thënë më tej Benedikti XVI, nuk hasen shumë shpesh.

Në përkthimin gjerman të Dekretit "Motu Proprio" thuhet: Në një famulli, ku ekziston një grup besimtarësh që preferojnë liturgjinë e vjetër, prifti duhet të tregojë gatishmëri për ta pranuar lutjen e tyre për ta festuar Meshën e Shenjtë sipas librit meshtar të vitit 1962."

Prifti duhet të kujdeset, që të mënjanojë përçarjet dhe të nxisë unitetin në të gjithë kishën. Në ditët e festave mund të zhvillohet një festë sipas riti të vjetër. Në rast se një grup besimtarësh nuk do të marrë lejen e priftit për meshën latine, ipeshkvi i dioqezës duhet të vihet në dijeni e duhet t'i kërkohet plotësimi i dëshirës. Në shkresën e bashkangjitur thuhet, se autoriteti i ipeshkvit është i pacënuar, ky mbetet kujdestar që gjithçka të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe me objektivizëm.

Benedikti XVI. thekson se ky rit i vjetër nuk është hequr asnjëherë me vendim ligjor. Edhe Papa Gjon Pali II kishte shqyrtuar lutjen e shumë besimtarëve për t'iu rikthyer meshës latine. Shumë besimtarë janë të interesuar për formën tradicionale të festave liturgjike edhe për faktin se forma e re meshtare në shumë vende nuk është festuar sipas rregulllave. Shumë shpesh ajo është përdorur si një mundësi, madje detyrim, për të treguar kreativitet, gjë që ka çuar në shpërfytyrimin e liturgjisë në një masë gati të padurueshme. Edhe ai vetë, siç thotë Benedikti XVI, e ka përjetuar këtë fazë me të gjitha shpresat dhe ngatërresat, dhe sa thellë i ka lënduar ky shpërfytyrim i liturgjisë ata njerëz që kanë qenë të rrënjosur me besimin e Kishës.

Papa synon të arrijë një pajtim "të brendshëm". Nuk ka kundërshti midis dy varianteve të rendit meshtar për kishën romane katolike. Salloni i shtypit të Fronit të Shtenjtë botoi me këtë rast edhe një koment të shkruar nga zëdhënësi i Papës Federico Lombardi. Në të thuhet: Papa nuk kërkon revolucion të rendit të sotëm meshtar, ky do të vazhdojë të ndiqet nga shumica dërrmuese e besimtarëve, ai nuk po bën një hap pas, ai nuk dëshiron të minojë as autoritetin e Këshillit të Dytë Vatikanor, e as përgjegjësinë e ipeshkve. Papa do vetëm, që atyre që me të drejtë ndjejnë një dëshirë të madhe për meshën latine, t'u japë mundësinë që me këtë ta ndjejnë veten të mirëseardhur edhe si antarë të bashkësisë së madhe katolike. Bëhet fjala gjithsesi për një grup të vogël besimtarësh, tha Lombardi.