1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pantiq shkakton përçarje serioze mes subjekteve serbe në Kosovë

Bahri Cani13 Janar 2014

Refuzimi i kandidatit të listës "Serpska", Krstimir Pantiq që të betohet si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, krijon përçarje të shumta në Serbi. Beogradi zyrtar mendon se duhet të ketë zgjedhje të reja.

https://p.dw.com/p/1App0
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Ky është skandal i dorës së parë dhe dështim i plotë i qeverisë së Serbisë, në raport me qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës", kumtoi Partia Demokratike, partia më e madhe opozitare në Serbi. Kjo parti e quan "të pabesueshëm dhe zhënjyes" lajmin që qytetarët e Mitrovicës Veriore, sipas të gjitha gjasave, sërish duhet të dalin në votime për të zgjedhur një kryetar të ri të kësaj komune.

"Zhvillimet e fundit janë vetëm një dëshmi tjetër e mungesës së sinqeritetit të qeverisë së Serbisë, sepse qytetarët nuk e dinë se çfarë është nënshkruar në Bruksel dhe çfarë duhet të zbatojnë", theksoi përfaësuesi i PD Vlladimir Todoriq, duke e komentuar vendimin e Krstimir Pantiqit, që të mos nënshkruajë dokumentin e betimit duke arsyetuar se në të kanë qenë simbolet e shtetit të Kosovës.

Shkaqet për largimin e Pantiqit

Krstimir Pantiq e ka quajtur "mashtrim të organizuar nga bashkësia ndërkombëtare", faktin që ai dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe duhet të nënshkruajnë dokumente të Republikës së Kosovës. "Mendoj se së shpejti do të dështojë e gjithë marrëveshja e Brukselit. Për këtë nuk e mban përgjegjësinë qeveria e Serbisë, por bashkësia ndërkombëtare", deklaroi Pantiq, për gazetën "Veçernje Novosti". Sipas tij, as krijimi i bashkësisë së komunave serbe nuk do të shkojë fare lehtë, sepse "shqiptarët nuk do ta lejojnë atë që duam ne dhe që është nënshkruar në marrëveshjen e Brukselit".

Pantiq të shtunën (11.01.2014) dha dorëheqjen edhe nga posti i zëvendësministrit të qeverisë së Serbisë për Kosovën, për shkak të mosmarrëveshjeve me ministrin Aleksandar Vulin. "Gjithmonë jam i gatshëm t'i shërbej popullit dhe shtetit tim, por nuk mund të bashkëpunoj me Vulinin", theksoi Pantiq, i cili është anëtar i partisë SNS, të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dorëheqja e Pantiqit "një shans i ri"

Aleksandar Vulin shpreson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të shpallë zgjedhje të reja për kryetar bashkie në Mitrovicën Veriore. Ndërsa deputeti i Partisë Demkratike të Serbisë, Marko Jakshiq, që i përket bllokut të politikanëve serbë me qëndrime radikale, mendon se dorëheqja e Pantiqit është një "shans i mirë për serbët që t'i kthehen qëndrimeve të mëparshme se Kosova është pjesë e Serbisë". Sipas tij, "politika e qeverisë serbe dhe e Vuçiqit në Kosovë ka dështuar". Kjo politikë është në dëm të serbëve dhe interesave të Serbisë, mendon Jakshiq. Ai dhe partia e tij DSS edhe një herë kanë kërkuar nga serbët që t'i bojkotojnë autoritetet e Prishtinës dhe zgjedhjet që (eventualisht) duhet të përsëriten në Mitrovicën Veriore.

Ndryshe nga ai, kandidati që humbi në balotazh për kryetar të kësaj komune, Oliver Ivanoviq mendon se zgjedhjet mund të përsëriten brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai nuk pret ndonjë destabilizim në Veri. Sa i përket rikandidimit të tij eventual për kryetar komune, Ivanoviq tha se ai do të vendosë brenda dy ditësh.