1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Panama-Papers: Çfarë dinte komisioneri i BE-së për bashkëshorten?

Bashkëshortja e komisionerit të BE-së për Energjinë, Miguel Arias Canete gjendet në listën e "Panama Papers". Gjithçka "me gjasë" e padëmshme" thuhet nga Komisioni Europian. Zbutje e skandalit?

Miguel Arias Canete EU Kommissar

Eurokomisioneri, Miguel Arias Canete

Micaela Domecq Solis-Beaumont - ky emër gjendet krah mijërave të tjerëve në dokumetet e publikuara nga të ashtuquajturat "Panama Papers". Bëhet fjalë për gruan e komisionerit të BE-së për Energjinë e Mbrojtjen e Klimës, Miguel Arias Canete. Micaela Solis-Beaumont, e cila vjen nga një familje e pasur, nga viti 2005 ka pasur të drejtën e nënshkrimit për firmën "Rinconado Investment Group", një firmë fiktive në Panama. Kjo firmë ka ekzistuar edhe në kohën kur Miguel Arias Canete kishte poste në Spanjë, por edhe nga viti 2014, kur ai mori një post në Bruksel. Kur një gazetar i rrjetit investigativ që kishte vlerësuar dokumentet i bën një telefonatë eurokomisionerit, për ta njoftuar, ky i fundit e kap vetë telefonin për t'ia bërë me dije presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker se ka mundësi për publicitetit negativ për Komisionin.

Michael Theurer FDP

Eurodeputeti liberal, (FDP) Michael Theurer

Pranohen dokumentet

Çiftit Canete nuk i janë provuar veprime ilegale biznesi dhe as evazion fiskal, por megjithatë për komisionerët e BE-së, steka e moralit është shumë e lartë. Para fillimit të punës në postin e tij, sipas rregullores, Canete i kishtë bërë publike aktivitetet e biznesit të njerëzve të tij të afërt. "Deklaratat e komisionerit Canete nuk bien ndesh me rregullat e Komisionit", tha Margaritis Schinas, zëdhënësi i Komisionit Europian të hënën (04.04) në Bruksel, me kujdes, por duke theksuar se ky vlerësim bazohet në të dhënat e Canetes. Firma në Panama ku bën pjesë edhe gruaja e tij nuk është aktive prej vitesh, ka deklaruar Canete, pra nuk ka pasur konflikt interesi që do ta pengonin punën e tij. Avokatët e Micaela Demecq Solis-Beaumont pohuan se klientja e tyre i ka bërë të gjitha deklaratat e duhura për autoritetetet fiskale spanjolle.

Përmasa "skandaloze" të fshehjes së taksave

Komisioni Europian e ka shpallur prioritet luftën kundër fshehjes së taksave e evazionit fiskal në të ashtuquajturat parajsa fiskale. Një komision i KE-së po heton nëse presidenti i tij, Jean-Claude Juncker gjatë kohës si kryeministër i Luksemburgut përmes modeleve të mënjanimit të taksave e ka shndërruar këtë vend në një parajse fiskale për shumë koncerne të mëdha- Juncker i hedh poshtë akuzat e ngritura para dy vjetësh. Deputeti liberal gjerman, Michael Theurer, i cili trajton çështjen e "Lux-Leaks" në komision i shikon si "skandaloze" zbulimet. "Sigurisht komisioni për tatimet do të shqyrtojë edhe gjurmët e faktet që dalin nga 'Panama Papers'. Dihej që Panamaja ishte një parajsë fiskale. Por përmasat e evazionit fiskal dhe dyshimi se janë përfshirë edhe krerë shtetesh e qeverish, madje gjurmët të çojnë deri tek Siemens, të gjitha këto janë 'skandaloze'", thotë deputeti gjerman.

Belgien Deutschland Sven Giegold MdEP Die Grünen

Eurodeputeti i Të Gjelbërve, Sven Giegold

BE kërkon futjen e tatimit aty ku fitohet

Në Luksemburg ka tatime shumë të ulta për fitimet që rrjedhin nga vende të tjera të botës. Një praktikë e tillë, e njohur edhe në vende të tjera si Irlanda, Holanda, do duhet të reduktohet me një ligj të ri të BE-së. Komisioneri europian për tatimet, Pierre Moscovici ka propozuar në fillim të këtij viti që fitimet të tatohen aty ku edhe nxirren- Kështu modelet e kursimit të tatimeve si psh. në Luksemburg nuk do jenë më interesante. Moscovici i ka thënë televizionit francez, RTL se në BE nuk ka më parajsa fiskale. Megjithatë edhe ekzistenca e një firme fiktive, pra thjesht një kuti postare nuk është shkelje ligjore. Shumë qeveri në Europë bënë të ditur se do të bëjnë hetime lidhur me publikimet e Panama Papers.

Të penalizohen bankat?

Eksperti për financat i partisë së Gjelbër, Sven Giegold kërkon penalizimin e bankave europiane, të cilat bëjnë pazare me firma të dyshimta fiktive. "Anëtaret e BE-së përmes pasivitetit të tyre u mundësojnë elitave të pasura të fshehin pasuritë e tyre në vende të treta për t'i ikur tatimit në vend. Është skandaloze që nuk ka asnjë lloj transparence për biznese të tilla dhe që ne jemi të varur nga informacionet e zbuluesve apo gazetarëve", thotë Giegold. Komisioni Europian u kundërpërgjigj eurodeputetit Giegold. Bankat europiane që tani duhet t'i bëjnë publike veprimet e tyre për tatimet dhe të publikojnë pjesëmarrjen e tyre, thotë një zëdhënës i Komisionit. Ndërkohë në listat e Panama Papers dalin emra të njohur nga Europa, si kryeministri islandez, Sigmundur David Gunnlaugsson dhe dy ministra të tij, një punonjës i afërt i ish-kryeministrit grek, Antonio Samaras dhe babai i ndarë nga jeta i kryeministrit britanik, David Cameron.