1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakicat gjermane në Evropë

Peter Hille 21 Janar 2008

Pothuajse në të gjithë Evropën jetojnë pakica gjermane: Në Danimarkë, Poloni, Kazakistan, Serbi, Hungari apo Francë. Numri i tyre e kalon dymilionëshin. Shumica jetojnë në pjesën lindore të kontinentit.

https://p.dw.com/p/CvI8
Portali i internetit për pakicat gjermane
Portali i internetit për pakicat gjermane

Informacione më të hollësishme për pakicat gjermane në Evropë jep tani një adresë e re në internet: agdm.fuen.org. Aty mund të mësohet edhe diçka më tepër për historinë dhe kulturën e tyre.

Pas rënies së Murit të Berlinit ata u ringjallën

Emrat e tyre dëgjohen sikur të vinin nga një botë tjetër: Shvabët e Danubit, të Volgës, gjermanët balltikë ose landlera. Ata janë të shpërndarë nëpër vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore. Mbas luftës së dytë botërore shumica e gjermanëve që jetonin në Evropë u përndoqën në shenjë hakmarrje ndaj krimeve naziste. Ata filluan një jetë të re në Gjermaninë Perëndimore. Ata të paktë që mbetën aty, u harruan pothuajse fare: „Këto pakica pothuajse nuk njiheshin fare si të tilla. Pas rënies së murit u ringjallën, sikur të kishin ndenjur për një kohë të gjatë në frigorifer me ngrirje."

Hans Heinrich Hansen vetë është pjesë e një pakice gjermane, që jeton në kufi me Danimarkën. Si kryetar i Unionit Evropian të grupeve etnike, kështu quhet shoqata e pakicave kombëtare në Evropë, ai mbron interesat e atyre, që shumë shpesh lihen në harresë. Sepse edhe mbas rënies së murit, një numër i madh pakicash luftojnë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre.

Ata i mundon presioni i shumicës për t'u asimiluar

Internet mund t'i ndihmojë tani ata që ta përballojnë më lehtë këtë presion: Christoph Bergner i ngarkuari i qeverisë federale për pakicat kombëtare, është një nga përdoruesit e parë të portalit: „Unë po hap portalin e pakicave gjermane." Qëllimi i të cilit është dialog, dialog, dialog mes pakicave dhe shumicave. Bergner tregon se si mund të përdoret platforma e internetit.

Ai shpreson tani që gjermanët e Vollgës ose ata Balltikë, këto emra të mos dëgjohen sikur të jenë nga e kaluara. Por, që përfaqësuesit e këtyre grupeve të bëhen të dukshëm. Gjithsesi secili prej tyre është me emër fotografi dhe numër telefoni në Internet. Po ashtu aty shkruhet edhe historia e secilës prej pakicave, si për shembull të landlerave, një grup protestantësh që në shekullin e 18. - të u larguan nga Austria për në Rumani: „Shpresoj që të zhvillohet edhe një farë sensi solidarizimi ndërmjet pakicave, që ata të këmbejnë përvojë me njëri tjetrin dhe që të ndihmojnë njëri tjetrin në situata të vështira."

Pakicat gjermane mund të shërbejnë edhe si ura në procesin e Bashkimit Evropian

I ngarkuari i qeverisë për pakicat shpreson që të zhvillohen edhe kontakte më të mira mes lindjes dhe perëndimit. „Ne mund të kalojmë nga një politikë që i ka shërbyer përballimit të së kaluarës në fazën e krijimit të së ardhmes." Këtë rol po e luajnë prej kohësh gjermano/hungarezët, thotë Koloman Brenner. Ai bën pjesë në administratën e kësaj pakice. Pothuaj të gjitha qytetet partnere mes Gjermanisë dhe Hungarisë i ka ndërlidhur iniciativa e gjermanohungarezëve: „Ne po i bindim gjermanët gjithmonë e më shumë që ne nuk jemi vetëm, një shoqatë folkloristike por që ndërkohë kemi krijuar struktura organizimi shumë profesionale.

Mendohet që gati 30.000 njerëz flasin gjermanisht si gjuhën amë në vendin e tij. Ata kanë shkollat e veta dhe madje një teatër të vetin në gjuhën gjermane. „Natyrisht që ish ngulimet e mëparshme të pakicave gjermane janë rralluar si pasojë e përndjekjeve të pasluftës. Gjysma e gjermanëve të Hungarisë u dëbuan nga vendi. Por gjithsesi ka ende struktura dhe ne jemi ende me një fat të përbashkët, në se lejohem ta përdor këtë fjalë."

Ky fat i përbashkët do të bëhet i njohur përmes internetit

Pakicat gjermane me këtë nuk duan vetëm që të bëhen të dukshme për botën e jashtme, por edhe që të vetëdijësohen më shumë për kulturën e tyre, thotë Hans Heinrich Hansen.