1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210111 USA Mafia Festnahmen

21 Janar 2011

Në një aksion të gjerë kontrolli, hetuesit amerikanë arrestuan rreth 130 koka të krimit të organizuar në Nju Jork dhe rrethinat e tij. Pesë klane mafioze ushtrojnë aty pushtetin e tyre kriminal.

https://p.dw.com/p/100Q1
Ministri amerikan i Drejtësisë, Eric HolderFotografi: AP

Skena të kujtonte disi filmin e njohur "Padrino". Hetuesit erdhën në orët e para të mëngjesit dhe morën nga shtretërit ku ende flinin, krerët e mafias amerikane. Me pranga në duar. Pjesëtarë të pesë klaneve më të njohura të mafias njujorkeze: gjenovezët, kolombot, gambinot, lukezët dhe bonanët. Gjithsej 127 gangsterë me një aksion, ndër ta thuajse të gjitha kokat drejtuese të së ashtuquajturës familja Kolombo.

Shefja e FBI-së për Nju Jorkun, Janice Fedarschyk: "Operacioni i sotëm është goditja më e madhe kundër pjesëtarëve të krimit të organizuar në historinë e policisë federale amerikane FBI." Më shumë se 800 policë ishin njëkohësisht në mision në Nju Jork dhe vepruan njëkohësisht.

14.09.2009 DW-TV GLOBAL 3000 mafia
Pamje simbolike

Holder: Hap i madh në luftën kundër Cosa Nostras

Aktakuza kundër mafiozëve përmban 16 akte penale, ndër të tjera vrasje, vrasje me porosi, tregti droge, pastrim parash dhe zjarrvënie. I padituri më i moshuar është një padrino 83-vjeçar i mafias. Të tjerët janë kontabilistë të korruptuar, vrasës me porosi, njerëz të cilët mund të jenë vdekjeprurës në mënyrën e tyre. Ministri amerikan i Drejtësisë Eric Holder, ishte i pranishëm në skenën kryesore të kontrolleve, në lagjen njujorkeze Brooklyn. Arrestimet shënojnë një hap të madh përpara në kuftën kundër Cosa Nostra-s, u shpreh Holder: "Por lufta kundër kriminalitetit të organizuar nuk ka marrë fund. Ata kanë treguar vazhdimisht se janë të gatshëm të vrasin, të eliminojnë dëshmitarët, të asgjesojnë rivalët."

Një nga krimet që përmban aktakuza ka ndodhur në vitin 1981 në barin Shamrock, në lagjen njujorkeze Queens. Për ministrin amerikan të Drejtësisë, vetëm një nga shembujt e shumtë të vrasjeve të pakuptimta të gangsterëve të mafias: Eric Holder: "Dy viktima u vranë në një bar vetëm për shkak të një zënke për një pije të derdhur."

Hetim me të gjitha mjetet - FBI

Prej muajsh hetojnë FBI, shërbimi i fshehtë dhe njësi të tjera rajonale dhe lokale të policisë, thotë shefja e zyrës së FBI-së për Nju Jorkun, Janice Fedarcyk: "Ne kemi shfrytëzuar të gjitha mjetet në dispozicion: përgjime telefonësh, përgjues në zyra por edhe burime të tjera. "

Informacione duket se kanë ardhur edhe nga mafiozë të burgosur, të cilët kanë folur gjatë kohës në burg. Gangsterë si Salvatore Vitale, i cili akuzohet për të paktën 11 vrasje dhe që duket se ka dhënë informacione për familjen Bonnano.

FBI Agent
Një agjent i FBI-sëFotografi: AP

Rreth 130 të arrestuarit, janë dërguar fillimisht në një anije burg para bregut të Nju Jorkut, për arsye sigurie, përpara se të ngrihet zyrtarisht padia. Aksioni më i madh i FBI-së në historinë e policisë federale amerikane, duhet të jetë kuptuar tani siç duhet nga mafia: si shpallje lufte.

Autor: Georg Schwarte/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi