1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pacolli zgjidhje ideale?! - Komentet nga Serbia për qeverinë e re në Kosovë

Kosova është në prag të formimit të qeverisë së re. Formimi i institucioneve në Prishtinë po përcillet me vëmendje edhe në Beograd. Analistët serbë nënvizojnë rolin e Pacollit.

Vlerësimet e mediave në Beograd për aktorët politikë në Kosovë janë të ndryshme. Shumë media edhe më tej institucionet e Kosovës i fusin nën thonjza, koalicionin PAN e quajnë koalicion lufte, ndërkohë që nuk janë të rrralla mediat që Ramush Haradinajn e quajnë kriminel lufte. Por faktorët politikë kanë reaguar shumë pak lidhur me krijimin e institucioneve në Kosovë. Mediat citojnë kumtesën e Lëvizjes për Qytetarë të Lirë, e cila pohon se "pushteti në Serbi ka marrë edhe një vendim të pakuptueshëm, që Lista Serpska të mbështesë koalicionin e luftës të kryesuar nga Ramush Haradinaj". Ndërsa Lëvizja Dveri pohon, se "Vuçiqi e njeh pavarësinë e Kosovës, me futjen në koalicion me kriminelin e luftës, Haradinaj".

Vetëvendosja e bllokuar

Dushan Janjiq mendon se zgjidhja e krizës në këtë mënyrë është racionale, sepse është kërkuar një zgjidhje pa Vetëvendosjen. Janjiq thotë se kjo Parti është "populiste dhe etno-nacionaliste". Sipas tij, Vetëvendosja është "plaga më e madhe aktuale e skenës politike të Kosovës, ndërsa suksesi i tyre bazohet mbi faktin që Thaçi, Haradinaj dhe të tjerët nuk kanë arritur të sigurojnë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe të gjitha vendet tjera".

Ndikimi i Beogradit në skenën politike të Kosovës nuk është i vogël, mendon Janjiq, sepse edhe "Beogradi ka udhëhequr një politikë nacionaliste dhe populiste, që ka tensionuar edhe më shumë raportet në Kosovë. Nga ana tjetër, Janjiq mendon se edhe krijimi i vet Listës Serpska ka qenë gabim, sepse ajo në vend të një faktori për motivimin e njerëzve që të dalin në zgjedhje, është shndërruar në lobi parapolitik dhe kriminel ekonomik. Si i tillë ai ka marrë edhe monopolin mbi jetën politike të serbëve në Kosovë. E gjitha kjo është shndërruar në një lloj tregtie me projektet në infrastrukturë, për para dhe energji".

Njeriu vendimtar

Një interesim të madh mediat serbe kanë treguar për Behxhet Pacollin, jo vetëm për shkak të pasurisë së tij, por edhe biografisë personale dhe lidhjeve të biznesit me Serbinë apo Rusinë. Këtu kërkohet edhe lidhja e tij me disa politikanë në Beograd. Drejtori i Radio Beogradit, Milivoje Mihajloviq mendon se këto lidhje janë nga e kaluara dhe se Pacolli nuk ka lidhje me garniturën e tanishme politike në Beograd. "Të shohim se si do të sillet Pacolli në të ardhmen, por ajo që duhet theksuar është se ai deri tani nuk ka bërë asnjë hap që do të ishte në dëm të serbëve të Kosovës", thotë ai.

Fjala është për një biznesmen që nga koha e ish-Jugosllavisë, i cili ka pasur mbështetjen e strukturave të dikurshme politike dhe si i tillë paraqet një person ideal për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, mendon Dushan Janjiq. "Mendoj se ai personalisht ka shumë ide se si mund të përparohen raportet ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, që do të hidhte dritë pozitive edhe në procesin e normalizimit të raporteve. Ndërkohë që ndaj tij nuk mund të kenë vërejtje as pjesa e populistëve, sepse Pacolli ka mbështetur tërë kohën pavarësinë e Kosovës".

Në Prishtinë thuhet se fati i Kosovës tani varet nga Aleksandar Vuçiqi. Milivoje Mihajloviq thotë, se Vuçiqi po përpiqet të prezantohet si lider i rajonit edhe në procesin e pajtimit. "Këto janë hapa të mirë në veçanti kur flitet për dialogun në Bruksel dhe kjo mund ta ndryshojë rrënjësisht pozitën e tij. Vuçiqi do të ketë kutpim mund të ketë sukses nëse vazhdon kontaktet e rregullta ditore me Prishtinën, në mënyrë që problemet të zgjidhen sa më parë. Mendoj se është shumë me rëndësi që Vuçiq të insistojë në pajtimin e përhershëm për shkak të një të ardhmeje më të mirë".

Amerika apo Gjermania?

Dushan Janjiq nga ana tjetër, mendon se është negative që në Beograd vendos për të  gjtiha vetëm një person. "Në një situatë të tillë është e mundur që për të gjitha problemet të fajësohet vetëm Serbia dhe Vuçiqi, për gjërat që nuk janë realizuar. Këtë e kanë theksuar disa vende evropiane, ndaj Vuçqi tani është nën presion tepër të madh. Por vet ai ka dashur që gjërat të shkojnë në këtë drejtim, e tani do të shohim, se cili do të jetë çmimi i një sjellje të tillë". Janjiq thotë se në Prishtinë mendohet se Vuçiqi e ka mbështetjen e Berlinit (pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo). Kjo krijon edhe probleme, sepse në Kosovë ka njerëz që mendojnë se atje duhet të mbrohen interesat amerikane përmes ngushtimit të influencës gjermane".