1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa dakordim të plotë, por me mirëkuptim të ndërsjellë

Marina Maksimovic/Angjelina Verbica25 Korrik 2013

Beogradi, Brukseli dhe Prishtina janë dakord për domosdoshmërinë e masave konkrete, për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet vendore të planifikuara më 3 nëntor në Kosovë.

https://p.dw.com/p/19Dwi
Fotografi: picture-alliance/AP

Beogradi, Brukseli dhe Prishtina janë dakord për domosdoshmërinë e masave konkrete, për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet vendore të planifikuara më 3 nëntor në Kosovë. "Kështu Serbia do të ketë përfaqësues legjitimë, legalë dhe të njohur ndërkombëtarisht", thotë kryeministri serb Ivica Daçiç

Edhe pse në Bruksel prisnin që raundi i 14 i bisedimeve mes kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, do të çonte në marrëveshje dhe në formulimin e zgjidhjes për telekomunikacion dhe energjitikën, ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, lidhur me numrin e telefonit për Kosovën dhe menaxhimin e liqenit të Gazivodës afër Zubinpotokut.

"Kanë mbetur disa çështje teknike, që duhet të sqarohen", u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në përfundim të takimit në Bruksel dje (24.07.): "Pas dy viteve të punës së ekipeve teknike ne kemi parë vullnetin e mirë. Ka ende disa çështje, që do të shqyrtohen në ditët e ardhshme." Kryeministri serb tha se është i bindur se në "7 deri 10 ditët e ardhshme" duhet të arrihet një marrëveshje mbi telekomunikacionet dhe energjitikën", dhe bëri të ditur vazhdimin e punës së grupeve teknike.

Si Beogradi ashtu dhe Prishtina bëjnë thirrje për zgjedhjet lokale

Aty ku sipas vlerësimit të të dyja palëve është bërë përparim, është pajtimi lidhur me procedurat e organizimit të zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Në mënyrë që të krijohen kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale të planifikuara për 3 nëntor në Kosovë, sipas kryeministrit të Serbisë, është përcaktuar që serbët, që jetojnë në Kosovë, të votojnë me dokumentet e tyre ekzistuese, që të lehtësohet votimi edhe i të zhvendosurve përkohësisht nga Kosova dhe të sigurohen vendet për pjesëmarrjen e serbëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e tjera zgjedhore:

Daçiç: "Është në interesin tonë, që serbët të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, jo që të konfirmojnë marrëveshjen e Brukselit, apo të konfirmojnë disi pavarësinë e Prishtinës, por, mbi të gjitha, për t'i ndihmuar vetes sonë, Serbisë dhe popullit tonë, se Serbia për herë të parë ka përfaqësues legjitimë të njohur ndërkombëtarisht, që deri tani shumë i kanë quajtur "institucione të paligjshme", deklaroi Daçiç.

Kryeministri i Kosovës theksoi se ftesa, që Beogradi u bën serbëve të Kosovës, që të dalin në zgjedhjet e nëntorit në Kosovë, është e "rëndësishme" dhe se Prishtina do të marrë të gjitha masat, "edhe ligjore edhe kushtetuese", që qytetarët në veri të mund të marrin pjesë në numër sa më të madh në këto zgjedhje.

Gjyqësori më problematiku

Ndërsa raundi i ri i bisedimeve mes kryeminsitrave të Serbisë dhe Kosovës është planifikuar për 27 gusht, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë dhe Bruksel theksojnë se puna për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit do të vazhdojë edhe gjatë "pushimeve verore": "Implementimi është çelësi absolut. Koha është e shkurtër, dhe planet e aprovuara janë ambicioze.”