1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Për investitorët nuk ka gjë më të rëndësishme sesa siguria ligjore

Marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë pak asimetrike, pra shqiptarët interesohen më shumë për Gjermaninë sesa anasjelltas - thotë Thomas Schrapel në prag të vizitës së kKancelares Merkel në Tiranë.

DW: Dr. Schrapel si i vlerësoni marrëdhëniet mes dy vendeve aktualisht?

Dr. Schrapel: Mendoj që marrëdhëniet shqiptaro-gjermane janë shumë të mira. Këtë nuk e ndryshon as fakti, që këto marrëdhënie janë ndoshta pak asimetrike. Me këtë dua të them, që shqiptarët interesohen më shumë për Gjermaninë sesa anasjelltas. Por kjo ndodh shpesh në marrëdhëniet midis një partneri më të madh dhe një partneri më të vogël. Në eksperiencën time, numri i njerëzve në Gjermani që interesohen për këtë vend të vogël në jug të Evropës sa vjen e rritet, dhe jo vetëm për faktin se Shqipëria është në kufi me Greqinë.

DW: Rreth një vit pas Konferences së Berlinit, inicuar nga Kancelarja Merkel dhe mbështetur nga vendet e BE-së, a shikoni impakt konkret në bashkëpunimin mes vendeve të rajonit?

Dr. Schrapel: Iniciativa filloi vetëm para një viti dhe sigurisht ka përpjekje për të intensifikuar bashkëpunimin rajonal. Unë jam gjithashtu i bindur, që të gjitha vendet e përfshira në zonën e Ballkanit shfaqin një interes të madh për këtë. Por ndoshta është ende herët për të vlerësuar se si është kuptuar kjo iniciativë e Kancelares gjermane. Këto bashkëpunime rajonale, sipas mendimit tim, janë nga qëllimet më të rëndësishme, por ndonjëhere dhe nga qëllimet më shumë të nënvlerësuara të integrimit evropian. Është mirë që Shqipëria orientohet nga vendet e mëdha të BE-së. Por pikërisht për arsye të zhvillimeve historike dhe kulturore vendet fqinje duhet të jenë veçanërisht interesante.

DW: Kancelarja Merkel gjatë qëndrimit në Tiranë pritet të ndjekë dhe punimet e një forumi ekonomik mes dy vendeve. Sipas optikës tuaj dr. Schrapel, a ka vend për intesifikimin e marrëdhenieve Shqiperi-Gjermani në këtë fushë?

Dr. Schrapel: Sigurisht që marrëdheniet ekonomike mund të intensifikohen më tej. Shumë politikanë dhe biznesmenë shqiptarë dëshirojnë një angazhim më të madh dhe për më tepër investime më të mëdha gjermane. Por për këtë unë mendoj, që politika shqiptare ndodhet para përgjegjësisë të bëjë hapat e tjera. Për investorët potencialë nuk ka gjë më të rëndësishme sesa siguria ligjore. Ata duhet të dinë, cili është kuadri ligjor dhe mbi të gjitha ata duhet të jenë të sigurtë që ky kuadër ligjor është i vlefshëm për të gjitha sipërmarrjet. Dhe sigurinë ligjore mund ta garantojë vetëm shteti. Kjo është përgjegjësia e politikës, pavarësisht faktit se cila parti qeveris për momentin.

DW: Temë e bisedimeve të Kancelares me zyrtarët e lartë në Tirane pritet të jetë dhe çështja e azilkërkuesve. A mendoni ju se ky fenomen mund të çojë vendet anëtare të BE-së në rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që duan të udhetojnë në zonën Schengen?

Dr. Schrapel: Nuk mendoj se është kështu, por ama nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve. Futja e Shqipërisë në hapësirën Schengen ishte një sukses i madh për shqiptarët. Unë vetë vij nga pjesa e dikurshme komuniste e Gjermanisë dhe e mbaj mend fare mirë, çfarë do të thotë te mos mundesh të udhetosh i lirë. Liria e lëvizjes dhe e udhëtimit është një e mirë e madhe, dhe veçanërisht, ata të cilët e shijojnë lirinë e të udhëtuarit, duhet të bëjnë gjithçka, që kjo të mos kufizohet përsëri.

DW: Në rrugën e integrimit të vendit në BE, cilat do të ishin, sipas jush, disa nga problemet kryesore me të cilat duhet të përballet dhe të ketë rezultate konkrete Shqipëria, për të bërë hapa para në këtë proces?

Dr. Schrapel: Ka sigurisht shumë gjëra për të bërë. Por mbi të gjitha duhet t'u bëhet e ditur politikanëve shqiptarë, që nuk është BE-ja ajo që do të zgjidhë problemet e Shqipërisë. Si fillim çështjet më madhore duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët. Vetëm ateherë mund të zhvillohen bisedime serioze për integrimin në BE. Kjo është radha e duhur. Siguria ligjore dhe lufta e vazhdueshme kundër korrupsionit do të ishin dy detyra, të cilat nuk mund të zgjidhen nga BE-ja. Këtu hapi tjetër duhet bërë nga politika shqiptare.

Dr. Thomas Schrapel është drejtori për Shqipërinë i Fondacionit Konrad Adenauer, të afërt me partinë CDU.

DW.COM