1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Për Banonin po vështirësohet situata në Shtëpinë e Bardhë

Kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë, Bannon, sipas informacioneve të medieve ndoshta ndodhet pak para shkarkimit. Si shkak shihen deklaratat e Presidentit Trump për dhunën ekstremiste të djathtë në Virginia.

Sipas informacioneve të kanalit televiziv CNN, John Kelly, shefi i ri i shtabit në Shtëpinë e Bardhë dëshiron ta heqë qafe sa më parë Stephen Bannon-in. Këtë e bënë të ditur në kushte anonimiteti një bashkëpunëtor aktual dhe një bashkëpunëtor i larguar i Presientit. Kanali televiziv, CBS madje përcaktoi edhe një kornizë kohore. Ai raportoi duke iu referuar një burimi, që nuk e përmendi, se Bannon mund të largohet nga posti që në fund të javës.

Shkak është kritika e Presidentit të SHBA, Donald Trump ndaj dhunës ekstremiste të djathtë në Virginia. Vetëm pas presionit masiv nga brenda dhe jashtë vendit u distancua Trumpi nga dhuna ekstremiste e djathtë në Charlottesville. Dy ditë më parë ai deklaroi vetëm se për dhunën janë përgjegjëse "shumë palë". Kjo i solli atij ndër të tjera kritikë të ashpër edhe nga kampi i tij.

Bannon thuhet se ka kontakte me organizata të djathta

Shumë shohin pas deklaratave fillimisht ngurruese të Presidentit të SHBA dorëshkrimin e kryestrategut të tij Bannon. Kritika që bëhet është se deklaratën e tij të parë, e cila nuk i vinte emër të qartë terrorit nga e djathta, Trumpi e pati formuluar të tillë për të mos lënduar ekstremistët e djathtë dhe racistët në radhët e mbështetësve të tij. Pas saj, sipas kritikëve, ndodhet Bannon-i.

Ish-shefi nacionalist i djathtë i portalit "Breitbart News" konsiderohet si një nga kokat pas luftërave për pushtet në Shtëpinë e Bardhë. Portali i dikurshëm i internetit i Bannonit kritikohet se ka ndikuar në forcimin e lëvizjes antisemite dhe raciste Alt-Right.

Por duke folur para reporterëve në lobin e Trump Tower në New York të martën, Trump tha se Bannon "është njeri i mirë, nuk është racist". "Do të shohim se çfarë do të ndodhë me të", tha Trumpi, duke e lënë të hapur të ardhmen e Bannon-it. Sipas tij, marrëdhëniet racore në SHBA janë përmirësuar që kur ai ka ardhur në pushtet. Trump përsëriti se dhuna në Charlottesville erdhi nga të dyja palët dhe se përfaqësuesit e të majtëve i patën sulmuar të djathtët.

Lidhja me organizatat djathtiste

63 vjeçari Bannon shihet shpesh në lidhje me organizata djathitiste nga më të ndryshmet, të cilat mblidhen nën emrin "Alt-Right". Pjesë të rëndësishme të agjendës politike të Trumpit janë lufta kundër emigrimit "të tepërt" dhe një luftë kulturore e Perëndimit "të krishterë" kundër pjesëve të tjera të botës.

Mësohet se Bannoni ka disa kohë që e ka humbur ndikimin. Sipas të dhënave, Trumpi takohet vetëm një herë në javë me kryestrategun e tij; Bannoni është dërguar në një lloj "internimi të brendshëm", raporton "New York Times".

Sipas një informacioni të kësaj gazete, moduli i medieve, Rupert Murdoch i pati kërkuar që para dhunës në Charlottesville Trumpit që ta largojë nga posti kryestrategun e tij. Presidenti i SHBA e pati kundërshtuar sipas këtij informacioni vetëm me gjysmë zemre këtë kërkesë. Njëkohësisht ai është shprehur i zhgënjyer nga Bannoni. Shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly sipas këtij informacioni ka paralajmëruar se nuk do t'i durojë më intrigat në Shtëpinë e Bardhë.