Përpjekje diplomatike të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës
19 Mars 2008Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologën e tij greke Dora Bakojani, pas takimit të tyre të mërkurën në në Athinë, shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç u drejtoi apel dramatik vendeve të rajonit që të mos njohin pavarësinë e Kosovës. "Mos e bëni atë, mos e bëni, na ndihmoni për të gjetur një zgjidhje të përbashkët" deklaroi Jeremiç i ftuar të komentojë lajmin se Kroacia, Bullgaria dhe Hungaria e njohin pavarësinë e Kosovës këtë të mërkurë.
Në qoftë se një numër i madh shtetesh do të njohin pavarësinë e Kosovës "atëherë do të krijohet një realitet i ri i rrezikshëm në rajon" tha Jeremiç duke bërë fjalë njëkohësisht për "shkelje të së drejtës ndërkombëtare" dhe të "integritetit territorial" të vendit të tij.
E vetmja pikëpamje unike e elektoratit serb, sipas Jeremiç, që më 11 maj do të vendosë "për integrimin e tij në Evropë apo izolimin", është mospajtimi kategorik me pavarësinë e Kosovës. "Kushdo që të fitojë në zgjedhjet e 11 majit do të vazhdojë të ndjekë politikën e vendosur për Kosovën" tha Jeremiç për të shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të punojë për "një zgjidhje kompromisi" nën flamurin e OKB-së.
Bakojani ishte sigurisht receptuesja e parë e drejtëpërdrejtë e apelit të Jeremiç, edhe pse mysafiri serb e falenderoi për faktin se "Greqia nuk ka njohur dhe nuk do të njohë së afërmi pavarësinë e Kosovës". Bakojani, e cila dhe në një deklaratë të mbrëmshme televizive përsëriti shprehjen e saj se "lumenjtë nuk kthehen pas", u mjaftua të theksojë se u "informua në mënyrë analitike për qëndrimet e vendit të tij në çështjen e Kosovës" .
Ajo drejtoi apel "për vetëpërmbajtje në Mitrovicë" dhe kërkoi "përgjegjësi dhe bashkëpunim të të gjitha vendeve rreth një objektivi të përbashkët, stabilitetit të rajonit". "E ardhmja e Ballkanit është një dhe unike, në familjen evropiane", e cila "nuk mund të imagjinohet pa Serbinë" tha Bakojani duke i përcjellë edhe një herë homologut të saj serb vullnetin e samitit të fundit evropian "për marrëdhënie të ngushta dhe esenciale" me Beogradin. E përqendruar në përspektivën evropiane të Serbisë deklarata e Bakojanit kishte sigurisht dhe kuptimin e një apeli indirekt ndaj Beogradit për njohjen e realitetit të postpavarësisë së Kosovës.