1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përmbytjet në Poloni dhe shtimi i rrezikut për zonat lindore të Gjermanisë

26 Maj 2010

Ndërsa në Poloni gjendja pas përmbytjeve të lumit Visla po qetësohet, në Lindje të Gjermanisë i favorizuar edhe prej reshjeve ky rrezik po shtohet. Sipas autoriteteve të zonave përreth lumit Oder janë rritur prurjet.

https://p.dw.com/p/NXKG
Pamje nga përmbytjet në PoloniFotografi: AP

Prurjet e shtuara të ujit të lumit Visla kanë arritur tashmë gjirin e Gdanskut në Detin Baltik, ku derdhet ky lumë. Kjo do të thotë se nuk ka më rrezik që lumi të dalë nga shtrati, tha sot (26-05) ministri i Brendshëm i Polonisë Jerzy Miller. Por megjithëse ministri deklaroi në Varshavë se gjithçka është nën kontroll, ai theksoi se vëzhgimi vigjilent i gjendjes duhet të vazhdojë, ngaqë prej përmbytjeve shumë diga dhe ledhe përgjatë lumit janë dëmtuar.

Sipas njotimeve të mediave në Tczew, qyteti i fundit i madh përpara grykëderdhjes së lumit Vajksel, niveli i ujit kishte rënë gjatë paradites së sotme me 10 centimetra. Edhe pse digat e atjeshme vazhdojnë ta përballojnë presionin e ujrave, uji është ngjitur dy shkallë mbi pikën e nivelit kritik dhe për këtë në këtë zonë vazhdon gjendja e alarmit.

Polonia do të zhdëmtojë zonat e përmbytura

NO FLASH Hochwasser in Polen
8000 hektarë tokë janë përmbytur në PoloniFotografi: AP

Sipas të dhënave të autoriteteve si pasojë e përmbytjeve deri tani kanë humbur jetën të paktën 15 vetë. Por edhe pse rreziku për përmbytje të tjera nuk është i madh gjendja përgjatë Vislës është e vështirë, sepse ky lumë ka përmbytur ndërkohë rreth 8.000 hektarë tokë të punueshme dhe 23 vendbanime. Prej pëmbytjeve kanë ngordhur edhe shumë bagëti dhe kafshë dhe për këtë ka rrezik të përhapen sëmundje infektive. Për t'u ndihmuar viktimave të përbytjes qeveria polake vendosi në dispozicion dy miliardë zlloti, rreth 500 milionë euro. Ata që kanë humbur ose u janë dëmtuar shtëpitë do të marrin nga 20.000 deri në 100.000 zlloti.

Valët gjithnjë e më të fryra të ujit po rrezikojnë Gjermaninë

Oderbruch bei Schwedt
Para prurjeve të mëdha. Një mbrëmje e qetë në lumin Oder, në Gjermani.Fotografi: PA/dpa

Ndërkohë të favorizuara edhe nga reshjet e ditës së sotme po shtohen prurjet e ujërave në lumejtë dhe përrenjtë në Lindje të Gjermanisë. Përgjatë lumit Oder vërehet se masat e ujit kanë kaluar lokalitetin Zielona Gora të Lubushkies dhe po i afrohen kufirit gjerman.

Masat e ujit të lumit Oder po vijnë më me shpejtësi dhe më tepër nga sa parashikonim, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit të landit të Brandenburgut Ingo Decker. Deri tani autoritetet mendonin se valët e ujit do të vinin të qeta dhe jo shumë të larta, ndërkohë që ato po fryhen gjthnjë e më tepër dhe do të jenë më intensive. Decker tha se në qytetin Frankfurt mbi Oder po ngrihet një ledh mbrojtës dhe se autoritetet lokale po i shpërndajnë popullsisë thasë me rërë për të ngritur penda mbrojtëse.

Autor: dpa;apn/Pandeli Pani

Redaktoi: Lindita Arapi