1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përleshje mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Kalanë e Shkupit

14 Shkurt 2011

Së paku shtatë qytetarë dhe dy policë janë plagosur në një përleshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve në ambientet e Kalasë së Shkupit, ku janë ndeshur tifozët e klubit Vardar dhe të klubit Sloga.

https://p.dw.com/p/10GnP
ShkupiFotografi: DW

Grindja ka filluar dje pasdite, kur në kalanë e Shkupit ka mbërritur një grup të rinjsh maqedonas, që ka vendosur flamurin me yllin e Verginës, që në fillim të viteve nëntëdhjetë ka qenë flamuri i Maqedonisë, por është ndryshuar për shkak të kundershtimit të Greqisë. Flamuri është vendosur në një objekt, që po ndërtohet dhe që sipas informacioneve të ministrisë maqedonase të Kulturës do të jetë muze dhe objekt kishtar.

Kjo formë e muzeut shkaktoi revoltë te shqiptarët, dhe ata dy ditë më parë me mbështetjen e kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), anëtare e koalicionit në pushtet shkatërruan atë që ishte ndërtuar.

Artan Grubi albanischer Intellektueller aus Mazedonien
Artan Grubi, kryetar i OJQ-së „Zgjohu“Fotografi: Artan Grubi

Pas këtij incidenti anëtarë të OJQ-ve maqedonase dhe shqiptare përmes Facebook-ut ftuan për protesta.

Dy grupe kanë mbërritur njëkohësisht dhe policia është vonuar kështu që ka patur përleshje dhe të plagosur.

Grupi i shqiptarëve është drejtuar nga Artan Grubi, kryetar i OJQ-së „Zgjohu“. Grubi ka thënë se shqiptarët nuk duan incident, por konflikti është shkaktuar pasi që shqiptarët janë provokuar.

Në mënyrë të ngjashme është shprehur edhe Strasso Angelovski, i cili ka udhëhequr anëtarët e OJQ-së TMRO WEB, duke shtuar se "shkatërrimi i muzeut kishë paraqet përpjekjen për të shkatërruar ndërtimin e shtetit të Maqedonisë.“

Mazedonien Ministerpräsident Nikola Gruevski
Kryeministri maqedonas Nikola GruevskiFotografi: Petr Stojanovski

Kryeminsitri maqedonas Nikola Gruevski u bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos shfrytëzojnë këtë situatë për qëllime partiake."Ne nuk do të lejojmë që në këtë mënyrë dikush të luajë me ndjenjat e qytetarëve dhe t'i përdorë ato për qëllime private," tha Gruevski pas incidentit

Aleanca Social Demokratike e Maqedonisë në opozitë tha se Kryeministri nuk ka fuqi për t'u marrë me marrëdhëniet ndëretnike dhe kërkoi dorëheqjen e ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe zëvendësit të saj Xhevat Buçi.

Policia arrestoi disa persona, të cilët kanë marrë pjesë në përleshje.

Autor: Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama