1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përgjigja "dhëmb për dhëmb" e Rusisë

Esther Hartbrich 8 Nëntor 2007

Duma ruse abrogoi marrëveshjen për armët konvencionale, duke e justikuar këtë hap me rrezikun e planeve amerikane. NATO reagon e shqetësuar pas abrogimit të marrëveshjes Rusia.

https://p.dw.com/p/C5US
Nga takimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Skefer me presidentin Putin, qershor 2007Fotografi: AP

Votimi i Dumës nuk ishte ndonjë befasi. Vendimi për nxjerrjen nga fuqia të marrëveshjes për armatime konvencionale në Evropë u miratua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstinim. Për miratimin e ligjit është e domosdoshme edhe vota e dhomës së dytë, Këshillit të federatës, që konsiderohet si e sigurtë.

Konstantin Kazacov, kryetar i Komisionit për politikë të jashte i Dumës ruse, e mbron vendimin: "Vendimi nuk erdhi prej nesh. Ne u detyruam të marrim një vendim të këtillë. Eshtë kjo përgjigje ndaj veprimeve të partnerëve tanë. Hapi ynë nuk ka ndonjë karakter destruktiv dhe agresiv. E dyta, qëllimi nuk është nxjerrja nga fuqia e marrëveshjes por respektimi i saj. Dhe së fundi, vendimi ynë nuk është i palëkundshëm."

Marrëveshja për armatimet konvencionale

Marrëveshja për armatimet konvencionale në Evropë është nënshkruar në vitin 1990 mes anëtareve të atëhershme të NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Ajo parashikon kufizimin e armëve konvencionale prej Atlantikut e deri në Ural dhe inspektimet e ndërsjella.

Pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik ka ndryshuar edhe ekuilibri mes dy palëve. Si pasojë pati një marrëveshje shtesë të nënshkruar në vitin 1999. Rusia e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa shtetet anëtare të NATO-s jo. Ato nënshkrimin e kanë kushtëzuar me tërheqjen e plotë të trupave ruse prej Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Mirëpo Rusia deri tani nuk e ka bërë këtë.

Rusia e justifikon hapin e saj me rrezikun e planeve amerikane

Rusia duket se e ndjen veten të rrezikuar prej planeve amerikane për ndërtimin e sistemeve antiraketore amerikane në Poloni dhe Ceki. Me këtë shpjegim presidenti Putin e ka paralajmëruar në prill, në një fjalim drejtuar kombit, se Rusia do të tërhiqet nga marrëveshja. Ndërsa në shtator i hapi rrugën ligjëdhënësve më marrjen e një vendimi të tillë.

Shefi i Shtatmadhorisë ruse Juri Balujevski shpjegoi në Dumë se çfarë duhet bërë për rikthimin në fuqi të kësaj marrëveshje: "Përderisa të gjitha shtetet e NATO-s, pa përjashtime, nuk ratifikojnë sërish marrëveshjen për armë konvencionale dhe nuk i përmbahen asaj, ne do t'i përmbahemi moratoriumit tonë."

Moratoriumi rus do të futet në fuqi me 12 dhjetor. Më pas Rusia nuk e ndjenë veten të detyruar ndaj marrëveshjes. Kjo do të thotë: nuk do të lejohen më inspektimet e përfaqësuesve të NATO-s. Aktualisht Rusia nuk sheh ndonjë shkak për përforcimin e trupave të saj në kufijtë me perëndimin. Mirëpo shefi i Shtatmadhorisë, Balujev, tha se ajo e ka këtë të drejtë.