1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfaqësuesit e të Kosovës nuk i mbështesin institucionet e dala nga zgjedhjet e fundit

Bekim Shehu13 Janar 2008

Përfaqësuesit e shumicës së serbëve të Kosovës argumentojnw, se zotimi i udhëheqësve të rinj shqiptar është pavarësia e Kosovës dhe kjo është në kundërshtim me interesat e serbëve.

https://p.dw.com/p/Cp4h
Pamje nga Prishtina, muzeu kombëtarFotografi: DW/ Pandeli Pani

Zyrtarë të lartë të partisë politike lista serbe për Kosovën, parti kjo që përfaqëson shumicën e serbëve të Kosovës, nuk do t'i mbështetë institucionet e reja të Kosovës. Ky subjekt politik serb ka bojkotuar zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe këtë qëndrim bojkotues vazhdon ta ketë edhe tani. Rangjell Nojkiq, nga Lista Serbe thotë se institucionet e Kosovës deri më tani nuk i kanë marrë parasysh interesat e serbëve, ndërsa, zotimi i tyre për shpalljen e pavarësisë thotë ai është në kundërshtim me interesat e komunitetit serb në Kosovë. "Qëllimi i tyre është i njohur. Dy mandatet e shkuara karakterizohen me një retorikë të caktuar, kurse qëllimi i tyre politik është pavarësia e Kosovës". Kjo është aryeja pse ne nuk i mbështesim këto institucione, thotë Rangjel Nojkiq. Në të njëjtën linjë, shprehet edhe Nebojsha Joviq, nga Këshilli kombëtar i serbëve të Kosovës. Ai thotë se, institucionet të cilat paralajmërojnë shpalljen e pavarësisë nuk mund të flasin edhe me zërin e komunitetit serb. "Bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e serbëve të Kosovës, ka treguar se ky Parlament dhe kjo Qeveri nuk i obligon ata me asgjë. Nëse, këto institucione me të vërtetë duan të jenë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pra edhe të serbëve, atëherë ato duhet të marrin në konsideratë mendimin e serbëve, se shpallja e pavarësisë për ta është e papranueshme", thotë Nebojsha Joviq. Mirëpo, në kuvendin e Kosovës ka disa parti të vogla serbe që përfaqësohen. Edhe pse ato në zgjedhjet e fundit kanë marrë shumë pak vota, megjithatë, kanë dhjetë vende në parlament ndërsa në qeveri udhëheqin më dy ministri. Këtë ua garanton Korniza Kushtetuese më të cilën vazhdon të administrohet Kosova.