1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Hillari Klintonin nuk kishte alternativa të tjera

AD9 Qershor 2008

Të përditshmet gjermane komentojnë dorëheqjen e Hillari Klintonit nga gara për president në SHBA dhe fjalimin e saj para elektoratit demokrat.

https://p.dw.com/p/EG3V
Klintoni largohet nga garaFotografi: AP

Gazeta NÜRNBERGER NACHRICHTEN komenton heqjen dorë të Hillari Klintonit nga gara për president të SHBA:

"Hillari Klintoni tregoi edhe në orën më të hidhur të karrierës së saj politike madhështi. Ajo e vendosi veten pas konkurentit të saj të deritashëm brendapartiak, Barak Obama dhe u kërkoi ithtarëve të saj, që ta mbështesin kandidatin demokrat pa mëdyshje, siç bënë me të. Një fjalim që të bënte për vete, shpërthyes, ndoshta më i miri i fushatës së saj elektorale."

Ja edhe mendimi i GENERAL ANZEIGER, që botohet në Bon:

"Eshtë e vërtetë, që për Hillari Klintonin nuk kishte alternativa të tjera. Nëse ajo do të kishte refuzuar t'i jepte mbështetjen e saj Obamas, do të kishin dezertuar edhe shumë prej mbështetësve të saj më besnikë. Dhe për përçarjen e thelluar të partisë, ndoshta edhe për disfatën e Obamas në nëntor do ta kishin bërë atë fajtore. Mbetet pyetja: a do të bëhet zëvendëspresidente Hillari Klintoni? Pyetja është e hapur. Asaj mund t'i japë përgjigje vetëm Barak Obama."

Të njëjtën pyetje si GENERAL-ANZEIGER shtron së fundi edhe OSTTHÜRINGER ZEITUNG që del në Gera:

"Mbetet pyetja: a do të bëhet Hillari Klintoni zëvendëspresidente? Prej muajsh për këtë ka informacione false të të gjitha llojeve. E vërtetë është: kjo pyetje është e hapur... Obama do të jetë i ndërgjegjshëm (kur t'i përgjigjet kësaj pyetjeje) se Klintoni do të sillte një potencial të madh zgjedhësish me vete; dhe ai do të dijë edhe se vë në krah të vetes një grua ambicioze, e cila do të vazhdojë të dëshirojë të bëhet vetë presidente. E parë në këtë kuadër, kundër Hillari Klintonit si zëvendëspresidente flet po kaq shumë, sa ç'mund të flasë pro saj."