1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale në Kosovë

Bekim Shehu14 Gusht 2013

Sipas shefit të diplomacisë kosovare, përfshirja e OSBE-së në lehtësimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës nuk shkel Kushtetutën e Kosovës.

https://p.dw.com/p/19P7K
Mitrovica qytet në veri të KosovësFotografi: DW/R. Alija

Zyrtarë të misionit të OSBE-së në Kosovë thonë se kjo organizatë do ta lehtësojë organizimin e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit në veri të Kosovës. Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikolla Gaon i tha DW-së se angazhimi i OSBE-së në zgjedhjet lokale të tre nëntorit përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Në përputhje me rolin tonë të lehtësuesit, OSBE-ja u përgjigjet nevojave teknike që mund të dalin. Për shembull, OSBE-ja mund të lehtësojë shkëmbimin e informacioneve ndërmjet të gjithë aktorëve relevantë dhe ta transmetojë kërkesën si të nevojshme. Gjatë kohës së zgjedhjeve është paraparë që pjesëtarët e OSBE-së të kenë prani në komisionet zgjedhore komunale dhe komisionet e vendvotimeve”, thotë zëdhënësi Nikola Gaon.

OSBE-ja sipas zëdhënësit Gaon, do të angazhohet në “dhënien e informacioneve për votuesit, duke ofruar mekanizmin e votimit me postë për personat që janë të zhvendosur”.

Pristina, OSZE-Gebäude
Ndërtesa e OSBE-së në PrishtinëFotografi: DW

Sipas një rregulloreje për zgjedhjet në Kosovë, për votimin jashtë Kosovës, të drejtë votimi kanë të gjithë ata persona të cilët jetojnë jashtë Kosovës, por që janë të regjistruar si qytetarë të Kosovës në Regjistrin Qendror Civil. Fjala është për persona që kanë lëshuar Kosovën në apo pas 1 janarit të vitit 1998. Përfshirja e drejtpërdrejtë e OSBE-së në lehtësimin e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit, nga disa parti opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile është cilësuar si shkelje e kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i tha DW-së, se “angazhimi i OSBE-së në rolin e lehtësuesit në zgjedhjet lokale të tre nëntorit, nuk bie ndesh me kushtetutën e Kosovës”.

“Në marrëveshjen që kemi arritur me Serbinë me 19 prill, parashihet që OSBE-ja të ketë një rol lehtësues të organizimit të zgjedhjeve vetëm në komunat në veri të Kosovës. Mendoj se kjo është në interes të shtetit të Kosovës, ndërsa mandati i OSBE-së do të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës. Ne do të jemi dëshmitar që nëntori i vitit 2013, do të mbetet si një ndër pikat me kthese me të rëndësishme dhe më vendimtare sa i takon shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri”, thotë ministri Hoxhaj

Më 3 nëntor, fletëvotime të njëjta në tërë Kosovën

Nga ana tjetër, zyrtarë të KQZ-ve, thonë se edhe në veri të Kosovës do të vlejnë rregullat e njëjta për zgjedhjet, sikurse edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se “në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, fletëvotimet do të jenë të njëjta në gjithë territorin e Kosovës pasi që zgjedhjet mbahen sipas ligjeve të Kosovës”. Mirëpo, shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, ka thënë për mediat lokale serbe se është e papranueshme për Serbinë që fletëvotimet në zgjedhjet lokale në Kosovë të kenë karakteristikat dhe simbolet e shtetit të Kosovës.

Enver HOXHAJ kosovarischer Aussenminister
Enver Hoxhaj - ministër i Jashtëm i KosovësFotografi: picture alliance /

“Për të dalë në zgjedhje, serbët nuk duhet ta njohin shtetin e Kosovës dhe serbët nuk duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës. Marrëveshja është neutrale ndaj statusit dhe vetëm me ato kushte, pa simbole të një shteti që nuk ekziston, serbët do t'i pranojnë ato fletëvotime”, citohet të ketë thënë Aleksander Vulin.

Sidoqoftë, për herë të parë, që nga paslufta, në veri të Kosovës pritet të organizohen zgjedhje lokale me tre nëntor të këtij viti. E gjithë kjo pasi që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje me 19 prill për normalizimin e marrëdhënieve dhe ku Serbia pajtohet që të bindë serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës. Serbët e veriut vazhdojnë ta kundërshtojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa, thirrjet drejt tyre për të marrë pjesë në zgjedhje nuk kanë të ndalur. Mediat në Prishtinë citojnë zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, Filip Riker, “që ka qenë i angazhuar në bisedimet Kosovë-Serbi” të ketë thënë se është i rëndësishëm zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit. Sipas tij, zgjedhjet lokale në veri janë të rëndësishme dhe serbët atje duhet të inkurajohen që të marrin pjesë në këto zgjedhje.