1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Organet e sigurisë po hetojnë nëse akti ishte terrorist

3 Mars 2011

Sulmi ndaj një autobusi me ushtarë amerikanë në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani është e mundur të ketë pasur prapavijë islamiste, shkruan revista gjermane Spiegel në versionin e saj online.

https://p.dw.com/p/10SkS
Fotografi: AP

Sipas faqes online të revistës gjermane 'Der Spiegel' organet gjermane dhe amerikane të sigurisë po hetojnë me intensitet të lartë për të zbuluar, nëse të shtënat në Aeroportin e Frankfurtit ishin një atentat i qëllimshëm terrorist kundër ushtrisë amerikane dhe nëse rrezikohen sulme të tjera ndaj ushtarëve amerikanë në Gjermani.

Duke iu referuar qarqeve gjermane të sigurisë dhe autoriteteve amerikane Spiegel Online shkruan, se ndërkohë ka tregues të qartë për lidhje të sulmuesit me qarqe islamiste në Gjermani. Madje në SHBA druajn, se i riu mund të jetë pjesë e një celule terroriste dhe se duhen pritur atentate të tjera ndaj caqeve amerikane në Gjermani.

SHBA-ja ka dërguar hetues në Gjermani. Pohimi se kemi të bëjmë me atentat terrorist, bazohet kryesisht në hetimet fillestare në lidhje me të dyshuarin. Spiegel Online thotë, se sipas familjes së tij, që jeton në Mitrovicë, atentatori është një besimtar mysliman, i cili ka punuar në Aeroportin e Frankfurtit.

Gjithnjë sipas Spiegel Online hetuesit gjermanë verifikuan një faqe facebook-u, e cila sipas të gjitha gjasave është përgatitur nga atentatori 21 vjeçar. I riu paraqet atje hapur brumosjen e tij islamiste. Sipas hetuesve faqja dëshmon një mendësi radikale të të riut.

Gazeta Tagesspiegel shkruan, se në rast se konfirmohet sfondi politik, atëherë do të ishte hera e parë në historinë e Republikës Federale Gjermane, që një islamist militant ia del të kryej një atentat terrorist brenda vendit. Deri tani ka pasur të vrarë dhe të plagosur vetëm në sulme ndaj institucione gjermane jashtë vendit, veçanërisht ndaj ushtrisë gjermane (Bundeswehr) apo ndaj turistëve gjermanë si në atentatin e prillit 2002 në ishullin turistik tunizian Xherba.

Kurse gazeta "Die Welt" shkruan se i riu punonte në aeroportin e Franfkurtit dhe se ungji i tij ka thënë se ai është "besimtar mysliman". I ungji, që jeton në një fshat të Kosovës ka shpjeguar se i riu është rritur në Gjermani. Prindërit e tij kanë emigruar atje, 40 vjet më parë, shkruan Die Welt.

Autor: Spiegel Online/ Tagesspiegel / Die Welt / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama