1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

O'Reilly ombudspersonja e re evropiane

Bernd Riegert/Bahri Cani1 Tetor 2013

Ish-gazetarja irlandeze ka vënë si synim përballimin me burokacinë evropiane, në interes të qytetarëve. Në zyrën e ombudspersonit vijnë në vit deri në 3000 ankesa.

https://p.dw.com/p/19s8P
Emily O'ReillyFotografi: EU

Emily O'Reilly nga Irlanda është zgjedhur nga Parlamenti Evropian si e ngarkuara e Bashkimit Evropian për qytetarët. Gazetarja e dikurshme kritike ndaj qeverisë ka qenë në konflikt me rrjetet e ndryshme në partitë konservatore, por është zgjedhur në vendin e vet në vitin 2003 si e ngarkuar për qytetarët.

Tani ajo synon ta ndryshojë gjendjen edhe në Bruksel. Emily O'Reilly thotë se zyra e obudspersonit në BE duhet të jetë më e njohur dhe më e fuqishme. Që prej fillimit të mandatit (01. 10. 2013) ajo do të angazhohet për më shumë punë dhe transparencë tek autoritetet dhe burokracia e BE-së. "Komunikimi përbën pjesën më të madhe të jetë sime. 20 vjet kam qenë gazetare, ndërsa 13 vjet si gazetare e politikës. Kam pesë fëmijë dhe jam në të gjitha rrjedhat e rrjeteve sociale", tha Emily O'Reilly, në kanalin televiziv të Parlamentit Evropian.

"Gjërat mund të ndryshohen"

56 vjeçarja është gruaja e parë në postin e obudspersonit ku ankesat e njerëzve mund të drejtohen në të gjitha 24 gjuhët zyrtare të BE-së. Shumë europarlamentarë kanë qenë të impresionuar me vullnetin e O'Reilly. Ajo dëshiron të lëvizë gjërat në BE.
"Unë nuk do të konkurroja për këtë vend, sikur të mos besoja se mund t'i ndryshojë gjërat. Unë i kam ndryshuar gjërat edhe në vendin tim dhe i kam përmirësuar standardet burokratike. E kam përmirësuar jetën e njerëzve normalë. Këtë dua të bëj edhe këtu", thotë ajo.

Nikiforos Diamandouros
Nikiforos DiamandourosFotografi: picture-alliance/dpa

BE-ja hesht tepër shpesh

Shumë ankesa të qytetarëve të BE, të drejtuara ndaj firmave apo grupeve për lobi në BE, nuk janë në kompetencat e saj. Ombudspersoni mund të jetë aktiv vetëm kur bëhet fjalë për autoritetet e BE-së. Paraadhësi i saj, greku Nikiforos Diamandouros, i cili tani shkon në pension, çdo vit është përballur me 2500 - 3000 ankesa të ndryshme. "Shkaku më i shpeshtë i ankesave është mangësia e transparencës së administratës së BE. Unë kujdesem edhe për ankesat që kanë të bëjnë me programet dhe projektet e BE-së, apo shkeljen e marrëveshjeve të BE-së", thotë Nikiforos Diamandouros.

Para 20 vitesh është vendosur ky post për herë të parë. Ndërkohë në zyrën e obudspersonit punojnë më shumë se 70 bashkëpuntorë. Me një rrogë bazë prej 240 000 euro plus shtesa të ndryshme, O'Reilly do të fitojë pak më pak se një komisioner i BE, por më shumë se kancelarja gjermane. Ajo nuk do të jetë e vetmja që kujdeset për të drejtat e qytetarëve dhe ankesat e tyre. Pranë Komisionit të BE-së ekziston edhe një organ me emrin "Solvit", ku shqyrtohen ankesat e ndryshme mes autoriteteve të BE-së dhe atyre kombëtare. Edhe këtu punohet në 24 gjuhët zyrtare.

Ekziston edhe portali telefonik "Europa direkt", ku jepen informacione të ndryshme në gjuhët e BE-së, për kompetencat dhe ndarjen e punës. Ndërkohë që në PE ekziston një komision i cili kujdeset për ankesat e qytetarëve.

Gebäude der EU-Kommission in Brüssel!
Ndërtesa e Komisionit të BE-së në BrukselFotografi: picture alliance / Arco Images GmbH

Vetëm një pjesë e vogël e ankesave është i suksesshëm

Gati një e pesta e denoncimeve dhe ankesave rezulton me ngritjen e një procesi formal. Të tjerat refuzohen ose kalohen në organe të tjera. Emily O'Reilly mendon se "ombudspersoni është për shumë njerëz insntitucioni i fundit ku njerëzit duan të gjejnë drejtësi, sepse më parë nuk kanë pasur sukses në kontaktet me autoritetet e tjera. Ndaj ne e kemi për detyrë që t'u ndihmojmë njerëzve, edhe pse ndonjë herë kjo ndihmë nuk është e drejtpërdrejtë."

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme evropiane ka nevojë për luftimin e ndjenjave negative dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet e BE-së. "Viti 2014 është vit vendimtar për Evropën dhe ardhmërinë e BE-së. Ombudseprsoni duhet të ndihmojë për tejkalimin e humnerës mes qytetarëve dhe institucioneve të BE", pohon O'Reilly.

Komisioni i BE-së mendon se obmudspersoni nuk është kundërshtar i tij, por më shumë një partner i cili ndihmon në zgjidhjen e shumë problemeve, pohon Maros Sefcovic."Komisioni i BE-së është i interesuar për zgjidhjen e problemeve përmes kompromiseve, marrëveshjeve dhe ndërmjetësimeve. Në këtë mënyrë merren seriozisht edhe brengat e qytetarëve dhe gjenden zgjidhje konkrete", pohon ai.