1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ora e Asadit - Pakt me diktatorin?

Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad është ndërkombëtarisht i izoluar. Në luftën kundër "shtetit islamik", ai i ofron tani Perëndimit bashkëpunim ushtarak - dhe prezantohet si garantues i stabilitetit.

Kur e ashtuquajtura Pranvera Arabe në Siri ishte në kulmin e saj, fati i presidentit sirian dukej sikur ishte vulosur. Fundja udhëheqësve të republikave të tjera arabe u ishte dashur të largoheshin. Ben Ali u arratis, Mubarak u rrëzua, Gadafi u vra dhe për Bashar al-Asadin punët nuk dukeshin mirë në vjeshtën e vitit 2011. Me mijëra sirianë protestonin atëherë kundër presidentit, luftonin me të gjitha mjetet kundër regjimit. Por Assadi nuk donte të largohej. Ai paralajmëronte vazhdimisht nga rreziku i "terroristëve islamikë" në vend dhe sillej në mënyrë shumë brutale kundër popullsisë së vet.

Përparimi i islamistëve

Tre vjet më vonë, dhe pas më shumë se 190.000 të vdekurve tashmë, paralajmërimi i Assadit kundër terroristëve duket se po del i vërtetë. Militantët e grupit të "Shtetit Islamik" befasojnë vendin, duke luftuar pamëshirshëm për një teokraci. Ata vrasin këdo, që u pengon rrugën. Ndërkohë islamistët, për të cilët luftojnë mijëra vullnetarë nga bota arabe, por edhe nga Evropa, kontrollojnë jo vetëm zona të tëra në Irakun fqinj, por edhe pjesë të mëdha të Sirisë.

Shkatërrim pa fund - 190.000 të vrarë

Shkatërrim pa fund - 190.000 të vrarë

Fillimisht ata patën luftuar kryesisht kundër rebelëve sirianë, duke forcuar kështu regjimin në Damask. Ndërkohë militantët veprojnë edhe kundër forcave qeveritare siriane. Edhe Shtetet e Bashkuara, qeveritë evropiane dhe shumë qeveri arabe e shohin veten para një sfide të madhe.

Me "shtetin islamik" Siria dhe Perëndimi kanë tani një armik të përbashkët dhe siç thotë Petra Becker nga Fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin, kjo i vjen për shtat qeverisë në Damask. "Që në fillim Assadi synonte, që revolucionin, i cili zhvillohej për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ta denonconte si xhihad salafist", mendon studjuesja. Këtu bën pjesë edhe fakti, që ai në fillim të kryengritjeve liroi nga burgjet e sigurisë së lartë xhihadistë të arrestuar, duke e ditur mirë, se ata do të përpiqeshin që të krijonin celula terrori në vend. "Kështu Assad kundronte, se si përhapeshin xhihadistët. Ai ka bërë gjithçka, që këto forca në revolucion të radikalizoheshin dhe të mbështesnin kështu versionin e tij."

Metoda të fshehta torturash

Petra Becker nga Fondacioni Shkenca dhe Politika

Petra Becker nga Fondacioni Shkenca dhe Politika

Para terrorit brutal të islamistëve, të cilët e celebrojnë edhe përmes mediave dhunën e tyre, metodat e torturave të regjimit sirian duken më pak të tmerrshme, për më tepër ai bën gjithçka për t'i fshehur ato. Me pushtimin e bazës ajrore me rëndësi strategjike në Tabka në provincën veriore Rakka islamistët bëhen një problem, që mund të jetë më i madh nga ç'pritej. Këtë nuk e ka pritur as vetë Assadi.

Megjithatë, duket se llogaria e tij po del. Sepse armiku i frikshëm në vend mund të ndihmojë presidentin për të thyer izolimin ndërkombëtar. "Tani është momenti, që Assadi mund të përfitojë nga politika e tij e mëparshme", mendon ekspertja për Sirinë, Becker. "Në qoftë se ai arrin të bindë shtetet perëndimore, për ta pranuar atë si partner në luftën kundër terrorizmit, ai e ka siguruar pushtetin e tij edhe për vite të tjera." Ministri i Jashtëm sirian Valid al-Moallim ka ofruar tashmë një bashkëpunim në mes Damaskut dhe Shteteve të Bashkuara: "Siria është gjeografikisht dhe strategjikisht në qendër të një koalicioni ndërkombëtar kundër shtetit islam", tha Moallim. "Shtetet, që dëshirojnë të luftojnë terrorizmin seriozisht, duhet të na mbështesin ne."

E keqja më e vogël?

Ushtria amerikane të martën nisi fluturimet e zbulimit si përgatitje për sulme të mundshme ajrore. Ata shërbejnë për përgatitjen e sulmeve nga ajri kundër grupeve terroriste në territorin sirian, njoftoi stacioni NBC. Marrëveshjet me Damaskun udhëheqja politike në Uashington i mohon. Ajo nuk do ta forcojë diktatorin. Por duke patur parasysh terroristët për shumëkënd në kryeqytetet perëndimore diktatori sirian është e keqja më e vogël, për shkak se ai shtyp dhe vret "vetëm" qytetarët e vet.