1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Optimizëm në Bruksel për bisedimet Kosovë-Serbi

2 Korrik 2011

Hap përpara e mjaft konkret! Kështu konsiderohet raundi i pestë i bisedimeve Kosovë Serbi. Pritet që palët të kenë gati marrëveshjet e para, të cilat nuk do të nënshkruhen, por do t'i dorëzohen përfaqësuesve të BE-së.

https://p.dw.com/p/11nUj
Edita Tahiri kryeson delegacionin kosovarFotografi: DW

Raundi i pestë i bisedimeve, vuri përballë të shtunën paradite zëvendëskryeministren e Kosovës, Edita Tahiri si edhe zyrtarin e lartë të Ministrisë së Jashtme serbe dhe kreun e delegacionit serb, Borko Stefanoviç. Bisedimet nisin të shtunën në Bruksel, ndërsa me shumë gjasa do të programohet dhe një tjetër takim para pushimit veror. Marrëveshjet duket se janë gati, por ato nuk do të nënshkruhen nga palët, pasi Serbia nuk nënshkruan aty ku përmendet Kosova si shtet i pavarur.Marrëveshjet pritet t'i jepen Robert Copperit, ndërmjetësuesit të BE-së. Marrëveshja për lëvizjen e lirë duket se është gati, njoftohet nga Brukseli.

“Ne jemi optimistë se mund të arrijmë rezultate konkrete.” Ky ishte parashikimi për këtë fundjavë i raundit të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel i një zyrtari të lartë të BE-së.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Borko Stefanovic kryeson delegacionin serbFotografi: DW

Palët me bisedimet i afrohen më shumë Evropës

Të fokusuar në problemet praktike që komplikojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, të dy palët kanë punuar vërtet, për të zgjidhur çështje të ndryshme. Të tjera çështje në tavolinën e bisedimeve janë problemet me regjistrimin e popullsisë, tokave dhe njohjes së pronës. Gjithashtu do të diskutohen çështjet e telekomunikimit, doganave, si dhe njohja e ndërsjelltë e diplomave universitare.

Me një ndihmë të madhe nga ana e BE, Serbia dhe Kosova, në Marsin e kaluar thyen “akullin” duke zhvilluar bisedime direkte, të parat që pas pavarësisë 3 vjet më parë. Ky dialog i afron të dyja palët akoma më shumë me Evropën.

Serbia synon arritjen e një pozicioni të favorshëm si shpërblim të BE-së, për pozicionin e butë ndaj Kosovës. Edhe arrestimi i të shumëkërkuarit Ratko Mlladiç, i ka shtuar pikët Beogradit zyrtar. Serbia ende e konsideron Kosovën si një pjesë të territorit të saj në jug. Sidoqoftë, 75 vende, duke përfshirë SHBA-në dhe 22 nga 27 vendet e BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Bisedimet Kosovë-Serbi synojnë afrimin e palëve pas shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri në botë, Kosovës dhe mosnjohjes së tij nga Beogradi zyrtar.

Autor: AG/Aurel Boriçi

Redaktoi: Lindita Arapi