1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita paralizon Bangkokun

gri/nis/sc (APE, dpa, rtre, afp) / Esat Ahmeti13 Janar 2014

Protestuesit në Tajlandë nuk heqin dorë: ata duan me çdo kusht dorëheqjen e qeverisë. Edhe sa kohë kryeministrja Yingluck do ta përballojë presionin e rrugës?

https://p.dw.com/p/1ApZ4
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Dhjetra mijëra protestues anti-qeveritarë kanë paralizuar pjesë të mëdha të kryeqytetit tajlandez Bangkok. Ata pushtuan udhëkryqe të rëndësishme duke u përpjekur për të bllokuar trafikun në Qendrën e Biznesit. Në kolona të gjata protestuesit marshuan nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, në ballë të tyre ndodhej lideri i opozitës Suthep Thaugsuban.

Më shumë se 20.000 policë dhe ushtarë ndodhen në detyrë. Mbështetësit e opozitës duan me fushatën e tyre të detyrojnë qeverinë të japë dorëheqjen. Ata akuzojnë klanin e kryeministres Yingluck Shinawatra se është duke plaçkitur burimet shtetërore.

Pamje nga protestat
Pamje nga protestatFotografi: Reuters

Suthep me lëvizjen e tij "Komiteti për Reforma Demokratike të Popullit" (PDRC) ndodhet në ballë të demonstratave të cilat po vazhdojnë që nga nëntori në Bangkok. Kryqëzimet e zëna të rrugëve janë bërë vende të përhershme të rezistencës. Përveç kësaj, në të ardhmen planifikohen marshime të përditshme para ndërtesave qeveritare dhe shtëpive të ministrave, tha një zëdhënës i PDCR-së. "Bllokada në Bangkok do të përfundojë atëherë kur Yingluck dhe ministrat e saj do të japin dorëheqjen", shtoi ai. "Nëse njerëzit e ndjejnë veten të shqetësuar nga protestat, ata duhet thjesht të na bashkangjiten."

Rrugë të vdekura

Llogaritet që bllokada ka prekur katër milionë shoferë dhe disa mijëra taksi. Autoritetet e transportit kanë ndryshuar më shumë se 100 linja të autobusëve, në mënyrë që ata mos të kalojnë nga udhëkryqet e bllokuara.

Shumë rrugë dukeshin si të vdekura herët në mëngjes. Shumë kompani u kanë bërë thirrje punonjësve për të punuar nga shtëpia. Shumë të tjerë kanë hequr dorë nga udhëtimi me autobusë, taksi dhe makinë dhe kanë ardhur në qytet me tren. Operatorët kanë lëshuar në qarkullim edhe disa trena shtesë.

Pamje nga protestat
Fotografi: Reuters

Ithtarët e Suthep-it kërkojnë që qeveria të japë dorëheqjen, të anulohen zgjedhjet e caktuara për 2 shkurt dhe të krijohet një këshill prej teknokratësh i cili për një kohë do të mirrte përsipër drejtimin e qeverisë. Në një intervistë dhënë gazetës "Nation" Suthep është treguar i pakompromis. Sipas tij nuk do të ketë negociata me qeverinë.

Frika nga lufta civile

Që nga fillimi i protestave në nëntor jetën kanë humbur tetë persona. Së fundi është rritur frika nga një luftë civile në vend.

Zyra e Jashtme Federale në Berlin këshillon qytetarët gjermanë që të qëndrojnë larg demonstratave dhe të gjitha formave të tjera të grumbullimit të njerëzve në të gjithë zonën e qytetit Bangkok.