1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita në Serbi: Kosova si mjet mobilizimi

8 Shtator 2018

Opozita në Serbi është e dobët dhe e copëtuar. Tani ekziston një përpjekje e parë për të mbledhur forcat. Aleanca përpiqet që në çështjen e Kosovës, t'ia kalojë qeverisë nga e djathta.

https://p.dw.com/p/34WTJ
Serbien, Parlamentsgebäude
Fotografi: DW/S.Kljajic

Opozita e copëtuar e Serbisë tani po ngrihet. Dhjetë parti të vogla dhe lëvizje, ndër to sindikata, po përpiqen me forca të përmbledhura që të ofrojnë një alternativë ndaj mbisundimit shtypës politik dhe mediatik të presidentit. Ideja për të bashkuar forcat e vogla opozitare ishte e Dragan Djilasit, i cili  ka një karrierë të gjatë në Partinë Demokratike të Serbisë (DS). Ish-kryebashkiaku i Beogradit njihet për aftësi menaxheriale, por edhe si jo karizmatik. Për qeverinë ai është një ndër armiqtë kryesorë. Por ia doli të bëjë bashkë aktorët e ndryshëm nën emrin "Aleanca për Serbinë".

Defekt që në lindje?

Spektri ideologjik i aleancës – nga majtistë liberalë e deri te djathtistë – mund të kthehet në problem. Partia Demokratike e kryeministrit të vrarë në vitin 2003, Zoran Djindjic, është bashkuar tani me lëvizjen nacionaliste – ultrakonservatore "Dveri". Kreu i kësaj lëvizjeje, Boško Obradovic, është shumë i përfolur për shkak të disa "mëkateve që ka bërë në rini". Ai ka adhuruar haptazi një fashist serb nga koha e Lutës së Dytë Botërore.

Partia Demokratike me kryetarin e porsa zgjedhur, politologun dhe ish-bashkëpunëtorin e fondacionit Friedrich Ebert në Beograd, Zoran Lutovac, është e përfolur edhe për këtë bashkëpunim. Lutovac përpiqet ta interpretojë këtë hap të përbashkët me politikanë komplet të kundërt si një domosdoshmëri për përtëritjen e Serbisë. "Do të ishte ideale sikur shoqëria të mos ishte si sulltanat. Atëherë ne do të fitonim mjaft mbështetje nga qytetarët dhe do të krijonim një koalicion programatik pas zgjedhjeve", tha Zoran Lutovac për DW. Ai thotë se po lufton për të futur sërish në lojë rregullat më elementare demokratike.

Zoran Lutovac
Zoran LutovacFotografi: Demokratische Partei Serbien

Kosova si mjet mobilizimi

Ndër 30 pikat programatikë për të cilat kanë rënë dakord politikanët kryesorë të aleancës, janë krijimi i kushteve për zgjedhje demokratike, riinstalimi i shtetit juridik dhe lirisë së medias si edhe lufta kundër krimit dhe varfërisë. Por aleanca përpiqet që pikërisht në çështjen e Kosovës, t'ia kalojë qeverisë nga e djathta. Në krye të listës së detyrave është pengesa e pranimit të Kosovës në OKB. Aleanca angazhohet për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë për Kosovën përmes dialogut me shqiptarët e Kosovës, por kundërshton çdo gjë që do të sillte njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Politikanët e Aleancës janë besnikë ndaj kushtetutës, meqenëse në kushtetutën e Serbisë Kosova është përcaktuar si pjesë e Serbisë.

Në këtë aleancë bën pjesë edhe ish-ministri i jashtëm, Vuk Jeremiç, i cili e filloi karrierën e tij në Partinë Demokratike dhe tani ka një parti të vogël popullore. Në bisedë me DW ai thotë se qeveria serbe së bashku me partnerët e saj nga Prishtina dhe nën udhëheqjen e BE-së, synon një marrëveshje normalizimi me Kosovën, në të cilën do të jetë një detyrim reciprok për të mos e penguar njëra tjetrën në anëtarësimet e synuara në organizatat ndërkombëtare – përfshi edhe OKB. Përsa i përket propozimeve të fundit të Vuçiçit dhe Thaçit për "korrigjime kufijsh" ndërmjet Kosovës dhe Serbisë blloku opozitar është absolutisht kundër.

Paqartësi të reja

Veç kësaj, jo të gjithë politikanët opozitarë janë të mrekulluar nga ideja e koalicionit. Një ndër kritikët më të mëdhenj është edhe ish-presidenti Boris Tadiç, i cili, pas humbjes në zgjedhje në vitin 2012 e braktisi Partinë e tij Demokratike dhe krijoi një parti të vetën socialdemokrate (SDS): "Nuk ka se si të jetë qëllimi i vetëm politik shkarkimi i qeverisë aktuale dhe që për këtë shkak të bëhen kompromise me bindjet politike parimore", theksoi Tadiç në një fjalim parimor. Kështu mendon edhe ish-ombudsmani i Serbisë, Saša Jankoviç, i cili në vitin 2017 themeloi "Lëvizjen e qytetarëve të lirë" (PSG). Sikurse Tadiç, edhe ky i qëndroi larg bllokut opozitar.

Vuk Jeremic - ehemaliger Außenminister von Serbien
Vuk JeremicFotografi: Getty Images/AFP/D. Emmert

Si mund të arrihen mediet?

Në visoren mediatike të Serbisë, ku në të gjitha stacionet del Aleksandar Vuçiç që u shpjegon papushim botën shtetasve të vet,  aleanca nuk do ta ketë të lehtë. Vuk Jeremiç ankohet për injorimin absolut që i bëjnë stacionet televizive me licence mbarëkombëtare. Atij vetë as që i bie radha as në studio e as në raporte, madje nuk e lënë as të reagojë ndaj ofendimeve më të rënda: "Një shtypje mediatike si kjo e sotmja nuk ka qenë as në kohën e Slobodan Milosheviçit ", thotë ai.

Ish ultranacionalisti i gjithprezent, Aleksandar Vuçiç, në zgjedhjet presidenciale në pranverën e vitit 2017, fitoi që në raundin e parë shumicën absolute. Dominanca politike e tij, që ka filluar qysh në vitin 2012, u rrit edhe më shumë. Partia Serbe e Prosperiteit, (SNS), që udhëheq ai, mban shumicën absolute në parlament që prej vitit 2016. "Unë mendoj se aleanca për Serbinë do të bëhet menjëherë tabelë shënjestrash për qeverinë, sepse do të perceptohet si kundërshtarja më serioze dhe më e madhe," tha për DW Bojan Klaèar nga Qendra për zgjedhje të reja dhe demokraci (CeSID). Ai parashikon se në muajt e ardhshëm aleanca nuk do ta ketë të lehtë.