1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Opozita maqedonase braktis negociatat

Opozita maqedonase braktis negociatat. Analistët presin raundin e dytë të ndërhyrjes ndërkombëtare.

Lideri i opozitës maqedonase dhe kryetari i socialdemokratëve Zoran Zaev, ka shpallur të dështuara bisedimet për zgjidhjen e krizës në të cilën merrnin pjesë katër liderët e partive më të mëdha në vend si dhe ambasadori i SHBA-ve dhe i BE-se në Maqedoni Xhes Bejli dhe Aivo Orav. Zoran Zaev thotë se tani e tutje nuk do të jetë pjesë e bisedimeve mes liderëve të partive politike për shkak të mungesës së gatishmërisë së pushtetit për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore. Aktivitetet e opozitës tani e tutje do të përqëndrohen në projektin “ E vërteta për Maqedoninë” në kuadër të së cilës do të vazhdohet publikimi i bisedave telefonike të zyrtarëve që njihet si aferë e përgjimeve.

“Procesi i negociatave ka dështuar. Gruevski në kontinuitet ka minuar marrëveshjet e arritura, ai ka dëshmuar se nuk është i gatshëm të bëjë asgjë për të mirën e Maqedonisë. U pa se Gruevski nuk ka qëllime të mira, ai vetëm po e zvarrit procesin e negociatave”, u shpreh lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev. Gjithnjë sipas tij zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk mund të ketë në prill të vitit të ardhëshëm ashtu siç u paralajmërua edhe nga ndërkombëtarët, sepse zgjedhjet pa opozitë nuk mund të mbahen.

Do të vazhdohet me publikimin e bisedave të përgjuara

Zoran Zaev

Zoran Zaev

Sipas opozitës maqedonase Gruevski nuk shfrytëzoi shansin që të largohej nga posti i kryeministrit përmes kompromisit. Andaj në të ardhmen opozita do të vijojë me publikimin e të ashtuquajturave “ bomba” nga përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

”Ne do ti shfrytëzojmë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion deri në rënien përfundimtare të këtij regjimi diktatorial. Ne do të bëjmë çmos për ta kthyer lirinë dhe demokracinë në Maqedoni”.

Zaev ka lënë vetëm një mundësi eventuale për rikthim në tavolinën e bisedimeve nëse në te do të ketë ndonjë propozim konkret por që vjen nga BE ose SHBA. “Nëse faktori ndërkombëtar jep propozim i i cili përmbush kushtet siç është ndarja e përgjegjësive dhe garancive mes pushtetit dhe opozitës, sigurimi i kushteve për zgjedhje korrekte, atëherë një propozim i tillë do të vlente për tu shqyrtuar” shprehet Zoran Zaev.

VMRO nuk ndjehet fajtore

Zoran Zaev dhe Nikola Gruevski

Zoran Zaev dhe Nikola Gruevski

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka dashur të komentojë zhvillimet e fundit politike në vend. Ai ditë më parë për ngecjet në bisedime kishte fajësuar opozitën e cila sipas tij nuk është e gatshme për kompromis. Në reagimin e partisë në pushtet VMRO-DPMNE thuhet se opozita maqedonase braktis bisedimet për shkak të frigës së humbjes së tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Publikimi i anketës nga Instituti Nërkombëtar Republikan për rejtingun e partive politike ka nxjerë bindshëm fitues partinë në pushtet dhe atë në epërsi tre me një ndaj opozitës.

BDI: Dialogu duhet të vazhdojë

Zëvendëskryeministri nga rradhët e BDI-s Musa Xhaferi duke komentuar tërheqjen e opozitës maqedonase nga bisedimet e liderëve partiak ,thotë se pavarsisht vështërsive dialogu do të vazhdojë. “Ajo është përgjegjësi e subjekteve kryesore politike, nuk mund të lihet vendi në një kaos, sepse kanë përgjegjësi si partit në pozitë po ashtu edhe ato në opozitë. Bashkimi Demokratik për Integrim është në vazhdimësi në konsultime që të gjindet një zgjidhje, një marrëveshje korrnizë për këtë situate që vendin e ka kapluar tash më disa muaj “, shprehet Musa Xhaferi.

Nga Komisioni Evropian përmes një deklarate me shkrim është theksuar se Maqedonia nuk ka kohë për të humbur, dhe se liderët duhet të sillen me përgjegjësi dhe të punojnë me përkushtim që të dilet nga kriza politike. Në fillim të javës së ardhshme në Shkup do të qëndrojë përsëri eurokomisari Johanes Han dhe ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për Europë dhe Azi, Viktoria Nulland.

Analistët presin raundin e dytë të intervenimit ndërkombëtar

Ali Ahmeti

Ali Ahmeti

Për profesorin universitar Lubomir Fërçkovski pas tërheqjes së opozitës nga negociatat, kryeministri Gruevski tani ka shansin të sundojë me forma të diktaturës së hapur. Opozita nuk kishte rrugëdalje tjetër përpos që ti braktisë negociatat.

“E gjithë kjo atmosferë e krijuar më le përshtypje që gjatë javës së ardhshme do të fillojë raundi i dytë i intervenimit ndërkombëtar përmes trysnive që do të rezultonin me arritjen e ndonjë marrëveshjeje. Ky intervenim ndërkombëtar mund të ndodhë shumë shpejt edhe me ardhjen e Nulland në Shkup” , shprehet Fërçkovski.

Analisti Vlladimir Bozhinovski thotë se edhe krahas tërheqjes së opozitës nga bisedimet ato nuk kanë përfunduar.

“Vlerësoj se bisedimet do të vazhdojnë, sepse është mirë që të kemi zgjidhje, kuptohet zgjidhje e cila parasëgjithash do të ishte në të mirën e Maqedonisë. Duhet të arrim një zgjidhje e cila nuk do ta bënte as VMRO-DPMNE-n e as LSDM-n që të ndjehen si të humbura nga këto negociata “, thotë Bozhinovski.

Ish-kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Stojan Andov, thotë se opozita u detyrua ti shpallë bisedimet si të pavlefshme sepse nuk kishte rrugëdalje tjetër. Andov sugjeron se opozita tani duhet të aktivizojë planin B , sepse në këtë periudhë nuk duhet të ketë improvizime.

“ Nëse periudha transitore nuk ka filluar ende, atëherë si mund të flasim për zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm. Zgjhedhjet duhet të mbahen më së paku një vit nga fillimi praktik i periudhes së definuar si tranzitore. Opozita duhet të ketë të qartë se lufta nuk mbaron me një betejë”, ka thënë Stojan Andov.