Opozita dhe sindikatat gjermane kritikojnë paketën e kursimeve të qeverisë
8 Qershor 2010Përpjekjet për të kursyer nuk janë të mjaftueshme, tha presidenti i Federatës së Taksapaguesve, Karl Heinz Däke, për gazetën "München Merkur". Kështu janë ngritur disa "kështjella rëre në erë", si për shembull taksa për transaksionet bankare. Në radhët e opozitës dhe të sindikatave ka filluar të vërehet një rezistencë masive. Planet e kursimit janë burracake, për shkak se ato kursejnë shkaktarët e krizës dhe rrjepin njerëzit ne nevojë, tha sekretarja e përgjithshme e Partisë Socialdemokrate, Andrea Nahles.
Sindidatat kanë paralajmëruar protesta
Shefi i Lidhjes së Sindikatave gjermane (DGB), Michael Sommer, u shpreh: "Askush nuk duhet të nënvlerësojë zemërimin tonë për tëposhtëzen sociale të kësaj politike dhe vendosmërinë tonë për të korrigjuar këtë rrugë të gabuar."
Ministrja e Punës mbron planet e kursimit
Nga ana tjetër ministrja gjermane e Punës, Ursula von der Leyen, mbrojti paketën e kursimeve nga kritikat e opozitës dhe të sindikatave. Edhe pse gjysma e buxhetit federal i përket ministrisë së Punës dhe mirëqenies sociale shkurtimet në këtë sektor kapin vetëm një të tretën e shkurtimeve të përgjithshme. Kjo tregon se është marrë në konsideratë balanca sociale, tha sot von der Leyen për kanalin e parë televiziv gjerman ARD: "Unë kam gjysmën e buxhetit federal, kjo është shumë. Por unë do të kontribuoj vetëm me një të tretën e paketës së kursimeve. Kjo tregon se është ruajtur balanca. Ekonomia duhet të paguajë, shteti duhet të kursejë, ndërsa ne kemi konsoliduar ligjet sociale. Nëse shihet buxheti im, atëherë kuptohet se unë nuk jam përgjegjëse vetëm për të papunët, por edhe për pensionistët, për gratë e veja dhe jetimët, po ashtu për njerëzit me të meta", tha ministrja Ursula von der Leyen.
Autor: dpa/Esat Ahmeti
Redaktoi:Angjelina Verbica