1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Oleg Sencov: Mos kini frikë!

Juri Rescheto26 Gusht 2015

Me 20 vjet heqje lirie në një koloni ndëshkimi u dënua kineasti ukrainas Oleg Sencov, për shkak të gjoja aktiviteteve terroriste. Po nëse gjyqi donte të ngjallte frikë me dënimin, nuk e arriti qëllimin.

https://p.dw.com/p/1GLUz
Oleg Sencov
Fotografi: DW/I. Khoroshylov

"Rusë, mësoni të mos keni frikë!" - bën thirrje ukrainasi Senzov në fjalën e tij të fundit drejtuar ish-popullit vëlla. Bën shenjën e fitores drejt kamerave, buzëqeshje e sigurtë, nuk kërkon mëshirë. Megjithë dështimin në gjyq, Sencovi nuk do të paraqitet si humbës. Këtë e arrin. Në dallim nga gjykatësit. Nga drejtësia ruse.

Oleg Sencovin e arrestojnë në maj 2014. Në atdheun e tij. Në Krime. Ai nuk do që gadishulli të bëhet rus. Ai dëshiron të protestojë kundër kësaj. Siç ka protestuar muaj më parë kundër Presidentit Janukoviç, besnik ndaj Moskës. Atëherë morën flakë gomat e automjeteve. Vdiqën njerëz. .Lëvizja e protestës fitoi. Këtë herë u përfshi nga flakët një dritare në qendrën rajonale të partisë ruse "Rusia e bashkuar". Policia arreston disa vetë. Midis tyre Sencovin.

Fillimisht ishte fjala për një dëm të thjeshtë material. Po dhjetë ditë më vonë aktakuza ndryshon: terrorizëm. Gjendja bëhet serioze për Sencovin. Gjykatësit mbështeten mbi pohimin e një bashkëtëakuzuari, i cili pranon se e ka vënë qëllimisht flakën. Më vonë burri e tërheq pranimin e tij. Një pohim që atij ja kishin marrë nën tortura, thotë ai. Edhe Sencovi thotë se e kanë goditur. Dhe tregon plagët e tij. Gjykata e tall: ukrainasi e ka plagosur vetë veten. Nga masohizmi.

Për një vit zhvillohen hetime. Numri i dëshmitarëve shtohet dhe me ta edhe ashpërsia e akuzave. Sencovi akuzohet se ka marrë një detyrë sekrete nga "Sektori i Djathtë", organizatë ukrainase e ndaluar në Rusi, për të themeluar në Krime një organizatë terroriste. Në shtëpinë e tij konfiskohen filma, të cilat duhet të dëshmojnë pikëpamjet e tij ultra të djathta: "Fashizmi i zakonshëm" dhe "Rajhu i Tretë me ngjyra". Që këto janë vepra të famshme antifashiste, kjo nuk u intereson fare autoriteteve. Vetëm më vonë arrin mbrojtja që t'i përjashtojë filmat si dëshmi kundër Sencovit.

Ngjashëm qendron puna edhe me dëshmitë e tjera. Askush nga dëshmitarët e ftuar nuk mund të kontribuojë as edhe me një fjalë të vetme për organizatën e supozuar terroriste, kështu që avokati mbrojtës i Sencovit, Samohin flet për një akuzë të ngritur artificialisht.

Megjithatë Sencovin e dënojnë. 20 vjet koloni ndëshkimore. Për një dritare të djegur. Për krahasim: një neonazist i bandës radikale të djathtë ruse BORN u dënua me 24 vjet për 11 vrasje.

Ai që guxon të protestojë kundër aneksimit të Krimesë do ta paguajë çmim. Një çmim shumë të lartë. Po të ketë qenë ky synimi i gjykatësve, atëherë ata janë gabuar. Tepër drakonik është dënimi, shumë të pakta dëshmitë kundër të pandehurit, tepër e qartë që procesi gjyqësor ishte një farsë.