1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

OKB mbështet reformën territoriale në Shqipëri

Ayse Cihan Sultanoğlu, Ndimës Sekretare e Përgjithshme e OKB dhe Drejtore e Zyrës Rajonale së PNUD-it për Europën flet për DW mbi marrëveshjen me Shqipërinë për projektin STAR 2 dhe gjendjen sociale në Shqipëri.

DW: Znj. Sultanoğlu, sapo keni nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e Shqipërisë për zbatimin e projektit STAR 2, të financuar nga Kombet e Bashkuara, Programi për Zhvillim. Pak fjalë ju lutem për këtë projekt dhe cilat janë fokuset e vizitës suaj në Shqipëri?

Ayse Cihan Sultanoğlu: Projekti ynë “STAR” jep mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale në Shqipëri. Nënshkruam në Tiranë, STAR 2 bashkë me autoritetet e qeverisë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Bëhet fjalë për 8,2 milionë USD, një bashkëfinancim nga qeveria shqiptare dhe PNUD-i, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Italisë, Suedisë dhe Zvicrës, që synon të përçojë më tej përpjekjet e Shqipërisë me reformën Administrativo- Territoriale. Gjatë fazës së parë të projektit, STAR , numri i njësive të qeverisjes vendore u reduktua nga 374 në 61 dhe tashmë sistemi është më efikas, transparent dhe pjesëmarrës si kurrë më parë. Me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantuam platformën e parë të bashkëfinancimit në Shqipëri për të ndihmuar financimin e ndërtimit të një këndi lojërash gjithëpërfshirës për fëmijët në kryeqytet. Ky eksperiment novator financimi synon të mobilizojë një numër të madh donacionesh të vogla private me fondet përkatëse nga Bashkia.

Çfarë përshtypjesh keni nga takimet në Tiranë?

Takova shumë partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë në Tiranë. Më bëri përshtypje fryma demokratike e vendit dhe se sa shumë është ecur me zhvillimin, gjë që nuk do të kishte qenë e mundur pa një qeverisje të fortë.

Një vit më parë liderët botërorë miratuan Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm. Çfarë duhet bërë që këto objektiova të futen në rrugën e zbatimit?

Axhenda për Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm (OZHQ) është shumë e integruar, ambicioze dhe gjithëpërfshirëse. Zbatimi i saj kërkon bashkëpunim mes Ministrive të linjës, kërkon një punë përtej detyrave të përditshme, për të arritur integrimin e këtyre obkjektivave. Lipsen koalicione të zgjeruara me sektorin privat, shoqërinë civile, parlamentet dhe grupe të tjera interesi. Është shumë e rëndësishme që të identifikohen që në fillim katalizatorët e përshpejtimit të progresit: fuqizimi i grave dhe vajzave, energjia e qendrueshme për të gjithë dhe rritje gjithëpërfshirëse për të çrrënjosur varfërinë, reduktuar në mënyrë të konsiderueshme të pabarazive dhe margjinalizimit. Sigurisht, kjo përpjekje ambicioze do të kërkojë mekanizma të rinj financimi dhe rritje të mobilizimit të burimeve vendase. Kombet e Bashkuara po asistojnë për integrimin e axhendës në planet dhe buxhetet kombëtare; përshpejtimin e progresit në të gjitha pikat e axhendës; koordinimin e mbështetjes me politika dhe ofrimin e ekspertizës për të dhënat. PNUD-i luan një rol kryesor në mbështetjen e kësaj përpjekjeje globale. Në funksion të arritjes së OZHQ programi i ri i PNUD-it për Shqipërinë fokusohet gjithashtu në qeverisjen dhe shtetin e së drejtës, përfshirjen sociale dhe të drejtat e njeriut, punësimin dhe aftësimin e të rinjve, mjedisin, ndryshimet klimatike, zonat e mbrojtura etj. Programi është në përputhje me axhendën e Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe me përpjekjet ambicioze të vendit për reforma.

Komuniteti rom mbetet një nga komunitetet më të margjinalizuara në Shqipëri dhe rajon. Çfarë është duke bërë PNUD-i në lidhje me përmirësimin e situatës, në kuadër të OZHQ?

Gjatë vizitës në Tiranë pata mundësi të shoh përpjekjet për të garantuar aksesin në shërbimet sociale për popullsinë rome dhe egjiptiane. Në Shqipëri komunitetet rome përballen me akses të kufizuar në shërbime, shëndetësi, strehim, arsim dhe punësim: 40% e popullsisë rome është analfabete, dy në tre gra rome nuk kanë të ardhura dhe pothuajse gjysma e të rejave rome të moshës 15–19 vjeç janë të martuara. Së bashku me Bashkimin Evropian po punojmë për të nxitur më tej të drejtat e tyre bazë dhe themelore duke ruajtur në të njëjtën kohë identitetin dhe traditat e tyre. Qasja gjithëpërfshirëse (pa përjashtuar askënd) është parimi themelor i Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm dhe i Axhendës 2030.

Ku qendron Shqipëria në raport me Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm?

Shqipëria ka pasur nivel të qendrueshëm të zhvillimit ekonomik gjatë viteve të fundit dhe është vend kandidat për anëtarësim në BE. Vendi ka bërë progres të konsiderueshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian, i matur kryesisht me përmbushjen e kritereve politike dhe krijimin e institucioneve të qendrueshme që garantojnë demokraci, shtet të së drejtës, të drejtat e njeriut, mbrojtjen e minoriteteve, bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira me vendet që aspirojnë anëtarësimin dhe shtetet anëtare. Por mbeten ende një sërë sfidash. Numri i personave që jetojnë në varfëri u rrit nga 12% në vitin 2008 në 14% në vitin 2012, ndërkohë që varfëria dhe përjashtimi social prekin shumë shtresa. Shkalla e papunësisë mes të rinjve është ulur, megjithatë mbetet në shifrat 30%. Më shumë se gjysma e grave shqiptare (të moshës 15-49 vjeç) kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre. Gjithashtu, Shqipëria është tejet e cënueshme nga ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore, si dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha ekonomike.

E përditshmja tregon që ka pabarazi, përjashtim dhe paqëndrueshmëri jo vetëm në Shqipëri dhe Europën Juglindore, por në mbarë vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Madje karakteristika të tilla të shoqërisë janë në rritje. A ka gjasa që Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të arrihen deri më 2030?

Zotimi për “qasje gjithëpërfshirëse” është guri i themelit të Axhendës 2030 dhe i këtyre objektivave. Prandaj vendet në të gjitha fazat e zhvillimit duhet të zotohen që të reduktojnë pabarazinë midis të pasurve dhe të varfërve. Nxitja e zhvillimit të qendrueshëm dhe gjithëpërfshirës që gjeneron mundësi produktive dhe punësimi të denjë për të gjithë është elementi kyç për trajtimin e pabarazive. Të gjithë anëtarët e shoqërisë duhet të përfitojnë nga rritja. Kjo kërkon politika ekonomike dhe sociale, të cilat i japin prioritet rritjes së të ardhurave dhe përmirësimit të kushteve të shtresave të varfra dhe të margjinalizuara në një nivel më të lartë sesa mesatarja kombëtare.