1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB: E drejta e riprodhimit është e drejtë e njeriut

Aida Cama
24 Dhjetor 2018

Fuqia e marrjes së vendimit në të drejtën e riprodhimit dhe në ndryshimet demografike „Asnjë vend në botë nuk e ka kthyer të drejtën e riprodhimit në realitet për të gjithë,“ thotë UNFPA, Fondi i Popullsisë së OKB.

https://p.dw.com/p/3AZsn
UNFPA Logo

Zgjedhja ndryshon botën, përmirëson jetën e vajzave dhe grave, transformon familjen dhe bashkë me të dhe shoqërinë. Zgjerimi i mundësive për individët dhe çiftet që të vendosin vetë nëse duan, kur duan dhe sa fëmijë duan të bëjnë ka ndikim direkt në nivelin e riprodhimit të popullsisë. Kur njerëzit janë në gjendje të marrin vetë vendimin, ata kanë tendenca që të krijojnë familje të vogla, vëren UNFPA, agjencia e OKB për popullsinë. Kur vendimi është i detyruar ata kanë tendencën e krijimit ose të familjeve shumë të mëdha, ose shumë të vogla, ose nuk bëjnë fëmijë fare.

„Asnjë nga vendet e botës nuk e ka kthyer të drejtën e riprodhimit në realitet për të gjithë," thotë Fondi i Popullsisë, UNFPA, e cila boton një herë në vit raportin për popullsinë e botës. Këtë vit motoja është „Fuqia e zgjedhjes në të drejtën e riprodhimit dhe tranzicionit demografik".

Për shumë gra shancet janë të ulta. Në botë ka miliona njerëz që kanë më shumë fëmijë se duan të kenë, ose nuk kanë fare megjithëse do të donin. Implikime kjo ka jo vetëm tek individi, por edhe tek komuniteti, institucionet, ekonomia, tregu i punës, i gjithë kombi.

Shumë pengesa

Në disa vende e drejta e riprodhimit rrezikohet nga sistemi i shëndetësisë, i cili nuk ofron shërbimet bazë, duke filluar nga kontraceptivët. Në vende të tjera ekzistojnë barriera ekonomike, si varfëria, punë me rroga të ulta, dhe mungesë kopshtesh e çerdhesh, që e bëjnë të pamundur fillimin dhe familjes dhe shtimin e saj. Por në të gjitha këto vështirësi, gjithnjë shoqëron pabarazia gjinore, që e bëjnë gruan të paaftë të marrë vendime për jetën e saj.

Në 1994, me programin e OKB, qeveritë e botës ranë dakord të punojnë për të aftësuar njerëzit në marrjen e vendimeve për jetën e tyre seksuale dhe shëndetin riprodhues, si çështje e të drejtave të njeriut. "25 vjet më vonë," thotë OKB, „vazhdon ende të kërkohet që të sigurohen kushtet që individët të vendosin të lirë dhe me përgjegjësi për numrin dhe kohën që duan të kenë fëmijë," thotë drejtorja ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem.

Por, për OKB nuk ekziston riprodhimi ideal, sepse progresi arrihet nga vetë njerëzit, sidomos vajzat dhe gratë që gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta dhe bëjnë të lira zgjedhjet për jetën.

Shqipëria dhe dhuna gjinore

179 vende, mes tyre edhe Shqipëria, kanë pranuar të jenë pjesë e Programin e veprimit të OKB për popullsinë dhe zhvillimin, që në vitin 1994. Vendet ranë dakord se progresi varet nga barazia gjinore dhe do të punojnë për eliminimin e dhunës dhe sigurimin e të drejtës së gruas për të manaxhuar riprodhimin. Të njëjtat synime mbeten për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, të OKB.

Trendi në botë si në Shqipëri është për krijimin e familjeve të vogla. Niveli i lindjeve në Shqipëri është 1,7 është nën nivelin 2, të vënies në vend. Kjo ndryshon midis zonave urbane dhe rurale. UNFPA, e cila ka filluar aktivitetin e saj në Shqipëri që më 1989, vëren se abortet me selektim gjinor të fëmijëve vazhdojnë të aplikohen. Mosha mesatare e njerëzve që lindin fëmijë është 27,5. Në 99 përqind të rasteve lindjet bëhen me asistencën e personelit të kualifikuar.

Në përgjithësi Shqipëria ka popullsi me moshë të re. Në totalin prej 2,9 milionë, 17 përqind janë në moshën 0 deri 14 vjeçare, 21 përqind në moshën 10 deri 24 vjeçare, 69 përqind në moshën 15 deri 64 vjeçare, popullsia mbi 68 vjeç zë 14 përqind të numrit të përgjithshëm.

Jetëgjatësia e personave që lindin tani është mesatarisht 77 për meshkujt dhe 81 për gratë. Por jetëgjatësia është më e ulët tek romët dhe egjiptianët 10 vjet më pak.

Më shumë se gjysma e grave në Shqipëri (mosha 15 deri 49 vjeç) kanë hasur me dhunë familjare me një tendencë në rritje. Gratë, vajzat dhe grupe të tjera të margjinalizuara kanë nevojë për mbrojtje nga sistemi i ndihmë sociale.

Të dhënat për Kosovën në raportin e UNFPA, janë bashkë me Serbinë.