1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB, bllokohet propozimi për tregun e armëve

AFP, AP, dpa, Reuters / Amarildo Topi30 Mars 2013

Një propozim i OKB-së për të rregulluar tregun global të armëve ka dështuar të marrë mbështetje unanime. Irani, Siria dhe Koreja e Veriut ishin tre vendet, që votuan kundër.

https://p.dw.com/p/1871L
Fotografi: imago stock&people

Tre vendet, që refuzuan të votojnë propozimin e Kombeve të Bashkuara, deklaruan se dokumenti ishte me të meta dhe nuk e ndalonte shitjen e armëve tek grupet rebele. Irani, Koreja e Veriut dhe Siria janë duke vuajtuar disa sanksione të OKB-së për armët. Disa vende të tjera ngritën disa shqetësime për amendamente të caktuara në draft, por pas një negocimi të gjatë pranuan tekstin final.

"Nuk ka konsensus për adoptimin e këtij teksti", tha ambasadori australian në OKB Peter Woolcott, i cili drejtoi bisedimet në New York. Dokumenti, që kërkon disa rregullime në tregun botëror të armëve, duhej të kalonte me votim unanim. Një kerkesë e tillë u bë nga SHBA, që argumentonte se ky vendim duhet të jetë me konsensus të gjerë. Menjeherë pas dështimit të votimit diplomatët deklaruan se mund çohet në Asamblenë e Përgjithshme, ku mund të kalohet vetëm me 2/3 e votave për të hyrë në fuqi.

"Ky nuk është një dështim. Sot thjesht është shtyrë suksesi, por jo për një kohë të gjatë", tha ambasadori britanik në OKB, Jo Adamson. Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, tha në një deklaratë për shtyp, se ishte shumë i zhgënjyer për dështimin e propozimit, duke parë rëndësinë e tij. "Duke parë rëndësinë e çështjes, Sekretari i Përgjithshëm ka shumë shpresa se vendet anëtare do të gjejnë rrugën për të vënë në jetë marrëveshjen. Ai ka besim se Traktati i Tregtisë së Armëve do të miratohet dhe është i angazhuar që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur", thuhet në deklaratën për shtyp.

UN-Konferenz Waffenhandel
Gjatë bisedimeve në OKBFotografi: imago stock&people

Negociata të vështira

Për vite të tëra diplomatët janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje për të rregulluar tregun ndërkombëtar të armëve, që vlerësohet të shkojë deri në 55 miliardë euro në vit. Përpjekja e fundit ishte në vitin 2009, kur presidenti i SHBA-së Barack Obama deklaroi se Uashingtoni është në mbështetje të një marrëveshjeje. Në atë kohë 100 vende, mes të cilëve Gjermania dhe Britania, kishin firmosur një letër, që kërkonte përparime të menjëhershme. Gjermania dhe Britania janë dy nga gjashtë eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë.

Mes eksportuesve të tjerë të mëdhenj, delegacioni i SHBA-së ishte bërë gati ta aprovonte draftin. Rusia dhe Kina deklaruan se nuk do ta bllokonin marrëveshjen, por kishin shqetësime për disa pika të saj. Marrëveshja do të përfshinte vetëm tregëtinë ndërkufitare të armëve konvencionale si tanket, raketat, raketahedhësit, avionët luftarakë, luftanijet dhe disa armë të tjera të lehta.

Alpha Jets der Bundeswehr
Alpha Jets të flotës ushtarake gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

Me kërkesë të SHBA-së municionet u përfshinë vetëm në një aneks të draftit. Çdo kontratë për shit-blerjen e armëve duhet të kontrollohet, nëse është në kundërshtim me të drejtat e njeriut, apo përmban armë të rrezikshme. Marrëveshja gjithashtu ka si qëllim të pengojë që terroristët dhe organizata kriminale të posedojnë armë. Më shumë se 500.000 njerëz vriten çdo vit nga konfliktet me armë.

Brian Wood, Drejtor i Amensty International për Kontrollin e Armëve dhe të Drejtat e Njeriut, shpreson se shtetet anëtare do të arrijnë shpejt një marrëveshje. "Rezoluta, e cila krioji këtë konferencë diplomatike, që dështoi, vërtetoi edhe njëherë, se nëse shtetet dështojnë të arrijnë një konsensus, atëherë do të jetë Asambleja e Përgjithshme ajo që do të vendosë", tha Wood, duke e quajtur “të pakuptueshëm” vendimin e Iranit, Sirisë dhe Koresë së Veriut.