1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OJQ-të: Gjatë tubimeve të partive politike po shënohen shkelje të kodit elektoral

26 Tetor 2009

Fushata paraelektorale për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë ka hyrë në javën e dytë të saj dhe ajo po shoqërohet me shkelje edhe pse po monitorohet nga shumë mekanizma përfshirë edhe shoqërinë civile.

https://p.dw.com/p/KFkW
Pllakate elektorale ne Prishtine
Fotografi: AP

Një rrjet organizatash joqeveritare që po monitorojnë fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, janë të shqetësuar fillimisht lidhur me ashpërsimin e gjuhës politike në tubimet elektorale nga shumë subjekte politike garuese për këto zgjedhje. Një shqetësim tjetër sipas rrjetit të oganizatave joqeveritare “Demokracia në veprim” është edhe shfrytëzimi i fëmijëve për aktivitetet elektorale. Në këtë linjë shoqëria civile u bën thirrje subjekteve politike garuese në zgjedhje që të zbatojnë kodin elektoral.

Ashpërsim i gjuhës politike në vend të programeve

Ismet Kryeziu, i cili udhëheq koalicionin e organizatave joqeveritare, “Demokracia në veprim”, përmend disa raste: “Ne kemi ashpërsim të një gjuhe politike, të cilën qytetarët e Kosovës nuk e dëshirojnë. Nuk ka nevojë për një ashpërsim të gjuhës, sepse kjo nuk i bën mirë fushatës, nuk i bën mirë procesit. Ne u bëjmë thirrje partive politike që në vend të ashpërsimit të gjuhës, të kenë programe dhe të orientohen në programe edhe me alternativa dhe t'iu ofrojnë qytetarëve zgjidhje. Ne po ashtu u bëjmë thirrje partive politike dhe të gjithë prindërve që të mos i keqpërdorin fëmijët e tyre në promovimin e fushatave të partive politike."

OJQ-të u bëjmë thirrje partive dhe të gjithë prindërve që të mos i keqpërdorin fëmijët e tyre në promovimin e fushatave të partive politike
OJQ-të u bëjmë thirrje partive dhe të gjithë prindërve që të mos i keqpërdorin fëmijët e tyre në promovimin e fushatave të partive politikeFotografi: ullstein bild - Reuters

Zyrtarë të partive politike përdorin për fushatë veturat e institucioneve

Një shkelje tjetër gjatë fushatës është sipas Kryeziut edhe përdorimi i veturave zyrtare të institucioneve nga zyrtarë të partive politike, gjë që nuk është e lejuar dhe fatkeqësisht sipas tij, kjo po ndodh gjithandej. “Të gjitha ato parti politike që janë në pushtet, janë duke e keqpërdorur taksën e qytetarëve. Janë duke i përdorur mjetet zyrtare të tyre nëpër këto fushata, janë duke e përdorur kohën e tyre, për të cilën ne, si qytetarë të Kosovës, paguajmë. Ndërsa, gjatë orarit të punës shpeshherë i shohim këta zyrtarë duke marrë pjesë në fushatat e partive politike”, shprehet Ismet Kryeziu.

Në kuadër të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ekziston edhe Komisioni për Parashtresa dhe Ankesa. Ky komision është duke mbledhur fakte për shkejlet e mundshme gjatë fushtës, mirëpo akoma nuk ka dalë me të dhëna. Kjo sipas zyrtarëve të komisionit do të ndodhë në fund të fushatës elektorale.

Analistët politikë nga ana e tyre, thonë se në këtë proces parazgjedhor ka një ashpërsim të gjuhës politike gjatë tubimeve elektorale, mirëpo jo në një masë të madhe sa do ta rrezikonte procesin. Analisti Driton Lajçi, thotë se fjalori politik i përdorur deri tash, në një garë të fortë që po zhvillohet për herë të parë në Kosovën e pavarur, megjithatë është në suaza normale.

“Konsideroj se fushata në përgjithësi është normale, është demokratike. Ngritja e zërit nga pjesëmarrësit, kandidatët dhe liderët është në kuadër të kornizave të zhvillimit të demokracisë në Kosovë. Nuk konsideroj që ka pasur ndonjë rast eklatant të rëndë të fyerjes, apo të shkeljes së parimeve të bazave të demokracisë në Kosovë”, thotë Driton Lajqi. Megjithatë, sipas Driton Lajqit, subjektet politike duhet të kenë kujdes në veprimet e tyre, sepse këto zgjedhje dhe veprimet e liderëve të partive politike janë duke u monitoruar nga mekanizmat evropianë.

Në këtë fazë janë institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë duke monitoruar fushatën paraelektorale, ndërsa, procesin e zgjedhjeve lokale që do të zhvillohet me 15 nëntor, do ta monitorojë një grup ekspertësh i Komisionit Evropian. Ky mekanizëm do të monitorojë zgjedhjet në Kosovë për herë të parë dhe kërkesa është bërë nga vet institucionet e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu
Redaktor: Pandeli Pani