1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama propozon John Kerry-n

24 Dhjetor 2012

Presidenti amerikan Obama ka propozuar senatorin demokrat John Kerry si ministër të ri të Jashtëm. John Kerry mendohet të jetë opsioni më i mirë kur është fjala për vazhdimin e politikës së Hillari Klinton.

https://p.dw.com/p/178U7
Presidenti i SHBA Barack Obama dhe senatori John Kerry
Presidenti i SHBA Barack Obama dhe senatori John KerryFotografi: Getty Images

Senatori demokrat John Kerry do të jetë sipas të gjitha gjasave sekretar i ardhshëm i Departamentit amerikan të Shtetit. Presidenti amerikan Barack Obama tha të premten (21.12.) se e ka propozuar senatorin demokrat si një person shumë të përshtatshëm për këtë post. 69-vjeçari, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit do të jetë pasues i Hillari Klintonit, e cila ka hequr dorë nga një mandat i dytë. Fillimisht ishte parashikuar që në këtë detyrë të vinte ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice.

Por pas sulmeve të hidhura publike të republikanëve ndaj komenteve të saj në lidhje me sulmin ndaj misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bengazi, dhe pasi që republikanët deklaruan se ata nuk do të bien kurrë dakord për emërimin e saj, Rice e tërhoqi kandidaturën e saj. Ajo deklaroi se ajo nuk është në dispozicon për këtë post.

Kerry është një ekspert i politikës së jashtme dhe ka zhvilluar tashmë për Obamën disa misione si diplomat i krizave. Ai gjithashtu gëzon një reputacion të mirë edhe në radhët e republikanëve. Konfirmimi i tij në post konsiderohet si i sigurt. - Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 Kerry ishte kandidat i demokratëve për postin e presidentit, por zgjedhjet u fituan nga kandidati republikan Xhorxh W. Bush.

Kerry ka fituar respektin dhe besimin e udhëheqësve në mbarë botën

"Unë jam shumë krenar për të shpallur zgjedhjen time për Sekretar të ardhshëm amerikan të Shtetit: John Kerry... Me punën e tij ndër vite, Johni ka fituar respektin dhe besimin e udhëheqësve në mbarë botën. Ai nuk do të ketë nevojë të trajnohet për këtë punë. Ai ka fituar respektin dhe besimin e kolegëve të tij në senat, demokratë dhe republikanë", tha Obama.

Senatori John Kerry
Senatori John KerryFotografi: Reuters

Edhe Michael O'Hanlon nga Instituti Brookings në Uashington thotë se Kerry është një "zgjedhje e mirë": "John Kerry është opsioni më i mirë kur është fjala për vazhdimin e politikës së Hillari Klinton-it." Që të dy, tha O'Hanlon për DW, dijnë si të manovrojnë në parketin politik dhe diplomatik, "ata janë pragmatikë dhe të zellshëm, punojnë shumë dhe dinë si të jenë në qendër të vëmendjes". Dhe si kandidat të dikurshëm presidencialë ata flasin nga një nivel i barabartë me presidentin.

Kur është fjala që në Kongres të kërkohen më shumë të holla për Departamentin e Shtetit, atëherë senatori mund të mbështeten në marrëdhëniet e tij të mira në Kongres. Dhe vështirësi në konfirmimin e tij nga Senati nuk priten. "Ne të gjithë e dimë se kush është John Kerry," thotë Michael O'Hanlon.

Autor: Esat Ahmeti (dw)

Redaktoi: Auron Dodi