1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Obama në Kubë: po sa i hapur është ky vend?

Vizita e Barack Obamas në Kubë (20.03) është vizita e parë e një presidenti amerikan prej 90-vjetësh. Sot ky vend po bëhet gjithnjë e më interesant për investitorët nga bota. Po sa e hapur është vërtet Kuba?

Kuba Stimmung vor Besuch von Barack Obama

Atmosfera para vizitës së Obamas

Sol Martínez qëndron ulur në hije në shtëpinë e saj në Havanë në lagjen Vedado. Duke mbrojtur sytë nga dielli ajo ndjek me sy një çift turistësh spanjollë se si tërheqin valixhet në asfalt. Pensionistja që nuk do ta shohë emrin në gazeta është e kënaqur. Prej vitesh nuk ka pasur një vërshim të tillë turistësh. Ajo jep me qira dy dhoma në katin e sipërm të shtëpisë së saj. “Më vonë do të vijë një çift nga Gjermania“, thotë ajo.

Edhe Fran, një kubanez që pret turistët në aeroport nuk ankohet. „Dje bëra një tur turistik në veriun e ishullit, në Cayos. Pas dy ditësh do shkojmë në Viñales", thotë ai. Megjithëse automjeti që përdor nuk i përket atij, Fran fiton në muaj aq sa një profesor në universitetin shtetëror.

Dyndja e turistëve amerikanë

Dhënia e dhomave me qira dhe përdorimi i taksive janë në listën e bizneseve të lejuara nga viti 2011 për kubanezët. Lista prek 200 profesione, ndër to gjen edhe përcaktime të çuditshme profesioni si mbushësin e çakmakëve. Por para fitohen në ato degë që lidhen me turizmin, që ka pësuar një hov të madh pas fillimit të ri të në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës, të bërë publik nga presidenti Obama dhe homologu kubanez Raúl Castro në dhjetor 2014.

Kuba Sonderwirtschaftszone Mariel

Zona ekonomike Mariel

„Shpejt në Kubë para se të vijnë amerikanët“, kjo është motoja e kohës. Gjithnjë e më shumë vizitorë nga bota, e sidomos amerikanë po shkojnë në „ishullin e ndaluar“. Vetëm nga fillimi i këtij viti Kubën e kanë vizituar më shumë se një 1 milionë vizitorë. Hotelet megjithë rritjen e çmimeve janë të prenotuar deri në vitin e ardhshëm. Madje është e vështirë të gjesh edhe shtëpi private. Kudo në Havanë po ngrihen hotele dhe bare.

Pasiguri ligjore

Ka disa vjet që Kuba ka hyrë në rrugën e hapjes ekonomike, pas miratimit të ligjit për më shumë iniciativë private në ekonomi. Një ligj për investimet e huaja u mundëson investitorëve të huaj të investojnë në ekonominë kubaneze. Katalogu i investimeve të qeverisë kubaneze parashikon 326 investime me një vëllim prej 8,2 miliardë eurosh. Interesi është i jashtëzakonshëm, delegacionet ekonomike e qeveritare nga bota i hapin njëri-tjetrit derën në kërkim të shanseve në Kubë.

Një moment i rëndësishëm për rikthimin e Kubës në skenën ekonomike botërore. Pjesa tjetër e Amerikës Latine lufton me skandale korrupsioni, zhvlerësimin e valutës dhe rënien e rritjes ekonomike- Por megjithë euforinë, investimi në Kubë nuk është një fushë me lule. Firmat ankohen për pengesa burokratike dhe mungesën e sigurisë ligjore.

Traktorë amerikanë për kooperativat kubaneze

Në Mariel, një zonë ekonomike para Havanës dy vjet pas hapjes së Kubës janë realizuar vetëm 12 projekte. Tre firma që punojnë me kapital kubanez kanë aty selitë e tyre: Një firmë logjistike, një bank dhe terminal kontennierësh që u ngrit me kredi nga Brazili dhe drejtohet nga një firmë nga Singapori, PSA International. Krahas tyre zhvillojnë biznesin një firmë meksikane e mishit, një specialist bojërash dhe llaku po nga Meksika, një firmë e prodhimeve ushqimore nga Spanja, një firmë ndërtimi nga Brazili dhe një firmë transporti nga Belgjika.

Kuba Wirtschaft Sonderwirtschaftszone Mariel Hafen

Porti Mariel pranë Havanës

Pak para vizitës së Obamës në Kubë prodhuesi i traktorëve LLC nga Alabama mori dritën e gjelbër nga Uashingtoni për ngritjen e një reparti prodhues në Kubë si firma e parë amerikane që prodhon aty. Nga fillimi i vitit 2017 në Mariel duhet të shpërndahen në kooperativa e fermerë të vegjël rreth 1000 traktorë.

Frenuesi më i madh ndodhet në Uashington

Krahas ekonomisë bujqësore, duket se bioteknologjia dhe farmaceutika do të jenë sektorë me potencial të lartë zhvillimi. Por ende medikamente kubaneze dhe produkte bioteknoligjike nga Kuba nuk lejohen të futen në SHBA. Bllokada amerikane e tregtisë, ekonomisë dhe financiare është ende në fuqi. Politika bllokuese amerikane është frenuesja më e madhe e investimeve. Edhe pensionistja Sol nuk ka shumë besim tek amerikanët. „Të mos mendojnë se do ta kthejnë orën 60 orë më pas. Shpejt për të fituar para, kjo nuk bëhet. Ata duhet të respektojnë rregulla tona.” „Si turistë sigurisht janë të mirëpritur. E po qe se kërkesa rritet ne do të rrisim çmimet e dhomave“, thotë ajo duke picërruar sytë.