Obama ka fituar pikë nga menaxhimi i mirë në rastin uraganit "Sandy"
1 Nëntor 2012Kur uragani "Katrina" e shndërroi Nju-Orleanin në një shkretëtirë në vitin 2005, Autoriteti për Mbrojtjen nga Katastrofat (FEMA) ishin totalisht të papërgatitura. Gjërat tani kanë ndryshuar. Kjo u pa edhe në rastin e uraganit "Sandy". FEMA është në qendër të vëmendjes vetëm atëherë kur gjërat nuk funksionojnë si duhet, si në rastin e uraganit „Katrina“.
Presidenti i atëhershëm George W. Bush përpiqej asokohe që me lëvdata ndaj shefit të FEMA-s, Michael Brown, t'i përmirësonte gjërat. Por të gjithë e kishin të qartë se Autoriteti për Mbrojtjen nga Katastrofat kishin dështuar totalisht.
FEMA nuk kishte mjetet e duhura financiare në dispozicion, ishte e përgatitur keq dhe reagoi tepër ngadalë. Sot gjërat kanë ndryshuar. Nga katastrofa e uraganit „Katrina“ janë nxjerrë mësimet e duhura. FEMA tani ka më shumë mjete financiare në dispozicion.
Njeriu i duhur në vendin e duhur
Presidenti Obama ka forcuar këtë organizatë e cila tani ka një shef të ri, i cili e kupton punën e vet. "Historia na ka mësuar se në SHBA kemi një valë të tërë erërash shumë të fuqishme. Ndaj edhe kemi qenë të përgatitur si duhet", thotë Craig Fugate.
53-vjeçari Craig Fugate ka punuar në sektorin e mbrotjes nga katastrofat tërë jetën. Ka punuar në sektorin e mjeksisë, pastaj si zjarrfikës e më pas edhe si shef i Autoriteteve për Mbrojtjen nga Katastrofat në Floridë, ku historia e erërave të fuqishme është më e dendur se në asnjë vend tjetër.
Shumë kohë para se „Sandy“ të godiste brigjet e Atlantikut, FEMA kishte përgatitur ujë, mjete ushqimore, agregatë dhe gjeneratorë për furnizim me energji elektrike dhe gjërat e tjera të domosdoshme për zonat që mund të prekeshin nga uragani. Ndërsa në momentin e goditjes së uraganit, FEMA ishte në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë.
FEMA dhe roli i saj në fushatë
Chris Christie, guvernatori i Nju-Xhersit ka vetëm fjalë të mira për FEMA, e cila tani është bërë një mjet shumë i fuqishëm në fushatën parazgjedhore. Kjo sepse reagimi i shpjetë dhe i duhur në kohën e uraganit "Sandy" ka dëshmuar edhe aftësinë drejtuese të presidentit Obama. Në raste të këtilla shihet se sa i rëndësishëm është roli i shtetit. Republikanët kanë kërkuar më parë që shteti të ketë një rol sa më të vogël në shumë gjëra.
Para një viti kandidati i tyre për president Mitt Romney pohonte se autoritetet për mbrojtje nga katastrofat duhet të organizohen në nivel të shteteve federale e madje edhe në nivel të firmave private. Buxheti i FEMA-s në lverë prej miliarda eurosh është kaherë një halë në sy për republikanët. Ata shumë shpesh kanë kërkuar shkurtimin e buxhetit të saj. Ndërsa tani Mitt Romney pohon se ai nuk ka dashur kurrë ta shpërbëjë FEMA. Ai shton se në rast se fiton, FEMA do të ketë mjaft para në dispozicon për të vazhduar punën.
Fjalën e ka marrë madje edhe ish-shefi i FEMA-s, Michael Brown, njeriu i cili ishte përgjegjës për reagimin tepër të ngadalshëm në rastin e uraganit „Katrina". Brown e kritikon presidentin Obama" për një reagim tepër të shpejtë në rastin e uraganit „Sandy“. Obama ka ndërprerë fushatën e tij zgjedhore për të shkuar në FEMA dhe për mbajtur një konferencë shtypi para shtabit të krizave. Brown thotë se kjo është bërë për motive politike. Ndërsa shefi i tanishëm i FEMA Fugate, reagon me qetësi: më mirë tepër shpejt, se sa tepër vonë!