1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Shengen vetëm me pesë Euro

18 Nëntor 2016

Udhëtarët pa viza këtej e tutje duhet të regjistrohen për hyrje-daljet në zonën Shengen. Synimi është më shumë siguri.

https://p.dw.com/p/2Ss2g
easy Pass Automatische Passkontrolle
Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisioni i BE-së prezantoi të mërkurën (16.11) në Bruksel sistemin elektronik të emërtuar "ETIAS" për regjistrimin e udhëtarëve. Me këtë sistem do të regjistrohen të gjithë turistët apo ata që udhëtojnë për shërbime, të cilëve nuk u duhet vizë por vetëm paraqitja e pasaportës në kufijtë e zonës Shengen. Australia e ka prej kohësh kët sistem, SHBA-ja qysh nga viti 2007, fjala është për një sistem elektronik për udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë. Këtë sistem do ta aplikojë tani edhe BE-ja, për të kontrolluar më mirë, se kush hyn e del në kufijtë e saj. Në SHBA sistemi i regjistrimit elektronik përmes internetit quhet  "ESTA". Në Europë ai është emërtuar "ETIAS" (European Travel Information and Authorisation System).

Me çmim më të ulët se në SHBA

Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së vitin e kaluar e ripërsëritën kërkesën për një sistem elektronik regjistrimi pas sulmeve terroriste në Paris. Ky sistem ishte planifikuar prej kohësh për të mbyllur boshllëqet e konstatuara në sistemin e sigurisë. Tani ai do të aplikohet në praktikë. Ngjashëm si në sistemin amerikan të SHBA-së, udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë në BE, duhet të regjistrohen në internet. Tarifa e vendosur do të jetë pesë Euro dhe leja e hyrjes vlen për pesë vjet. Ndërsa në SHBA tarifa është 14 dollarë për dy vjet.

"Në thelb ETIAS është vëllai i vogël i vizës", u shpreh një nëpunës i BE-së në Bruksel. Shumë qytetarë p.sh. nga vendet e Ballkanit, që mund të udhëtojnë pa viza në BE, nuk regjistrohen gjatë hyrje-daljeve në kufi. Me aplikimin e sistemit ETIAS këtej e tutje do të kemi një lloj "visa light" qëllimi kryesor i së cilës është që të mund të ndalohet qendrimi më tepër se tre muaj.

Hyrje me regjistrim edhe për britanikët

Numri i njerëzve që nuk kanë nevojë për vizë, por megjithatë duhet të paguajnë tarifën e "hyrjes", vitin e ardhshëm mund të rritet ndjeshëm. Miliona britanikë, që pas Brexit do të vijnë në BE për pushime ose me shërbim pune, duhet të paguajnë për t'u regjistruar në sistemin "ETIAS". Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja praktikisht ky vend konsiderohet si "vend i tretë" e britanikëve nga viti 2020 do t'u duhet të kalojnë përmes një sistemi të ri regjistrimi. Me këtë sistem do të identifikohen udhëtarët nga vende, që mund të udhëtojnë pa viza dhe vetëm duke paraqitur pasaportën në kufijtë e hapësirës Shengen. Po ashtu edhe udhëtarët nga Turqia apo Ukraina, në rast se BE-ja do t'u garantojë atyre qarkullimin pa viza.

Sistem kompleks kontrolli

"ETIAS" është vetëm një komponent i një iniciative në shkallë të gjerë të Komisionit të BE-së, për të siguruar kufijtë e jashtëm pas sulmeve terroriste dhe migracionit të pakontrolluar të vitit të kaluar. Zemra e këti sistemi të ri për sigurimin e kufijve do të jetë sistemi i regjistrimit të të gjitha hyrje-daljeve të udhëtarëve në BE nga vende jo anëtare. I ashtuquajturi rrjeti  "EES" duhet të vendoset deri në fund të vitit. Ndërkohë janë duke u përpunuar detajet teknike.

Nga viti 2020 çdo hyrje-dalje në BE do të regjistrohet në një bankë të dhënash. Njëkohësisht duhet të verifikohet vlefshmëria e pasaportave dhe e vizave. Përveç kësaj do të ketë edhe një pyetësor të rregullt, të ashtuquajturin "Sistem Informacioni i Shengenit" (SIS), në të cilin do të regjistrohen të dhëna për hetimet dhe rreziqet e mundshme terroriste. Të dhënat për hyrje-daljet do të ruhen për pesë vjet. Derisa të vihen në funksion këto sisteme të reja do të duhen të paktën katër vjet që të instalohen scanner-at dhe bankat e të dhënave.

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE