1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë mbahen zgjedhjet e balotazhit

Bekim Shehu
19 Nëntor 2017

Në Kosovë zhvillohet të dielën raundi i balotazhit për kryetar komunash. Komuna e Parteshit e banuar me shumicë serbe shkon në rivotim.

https://p.dw.com/p/2nr0P
Kosovo Kommunalwahlen 2017
Fotografi: DW/B. Shehu

Në 19 komuna nga 38 sa ka gjithsej në Kosovë, zhvillohet të dielën raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetarë komuash. Në këto komuna që përfshijnë edhe gjashtë qendrat më të mëdha të Kosovës, në zgjedhjet e 22 tetorit asnjë kandidat nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave mbi 50% të pjesëmarrjes sa janë të nevojshme për t'u zgjedhur kryetar në raundin e parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në ditën e zgjedhjeve, do të jenë të hapura 614 qendra të votimit nga 899 sa ishin në raundin e parë.

"Këtë të dielë në raundin e dytë, zgjedhje mbahet në 19 komuna vetëm për kryetarë të komunave. Në një komunë në atë të Parteshit që janë konstatuar parregullsi në raundin e parë, do të rivotohet vetëm për kryetar të komunës. Në 19 komunat e Kosovës, ku do të mbahet raundi i dytë, do të ketë 614 qendra të votimit, me gjithsej 1,777 vendvotime që do të hapen nga ora shtatë e mëngjesit deri në 19:00-h të mbrëmjes”, njofton zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Kosovo Kommunalwahlen 2017
Fotografi: DW/B. Shehu

Koalicione paraprake

Në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit për kryetar komunash, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në 9 komuna, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, Aleanca Kosova e Re në një komunë, Nisma në një komunë dhe Alternativa në një komunë.

Partitë politike fazën nga raundi i parë i zgjedhjeve me 22 tetor e shfrytëzuan për të bërë koalicione në nivel lokal nga më të ndryshme. Gara më e fortë për kryetar komunash, parashihet të jetë në qendrat e mëdha, që janë, Prishtina, Prizreni, Gjakova, Ferizaj, Gjilani dhe Mitrovica. Në Prishtinë për kryetar komune, garojnë (LDK-VV), në Prizren, (PDK-VV), në Ferizaj, (PDK-LDK), në Mitrovicë, (PDK-AKR), në Gjilan, (LDK-VV) dhe në Gjakovë (AAK-Alternativën).

Prani e vëzhguesve ndërkombëtarë

Ngjashëm si edhe në proceset zgjedhore paraprake, edhe në këtë raund zgjedhjet do të vëzhgohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe vëzhguesit e ambasadave të vendeve më të industrializuara. Në raundin parë të zgjedhjeve të 22 tetorit, 19 komuna përfunduan procesin e zgjedhjes së kryetarit, ndërsa, për asamblistët komunalë procesi përfundoi në të 38 komunat e Kosovës. Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një komunë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 2 komuna. Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Kosova e Re, NISMA për Kosovën dhe Alternativa në raundin e parë nuk arritën të fitojnë asnjë komunë.

Lista Serbe ka fituar në 9 komuna të Kosovës. Në këto komuna të banuara më shumicë serbe, sipas raportit të vëzhguesve evropian, procesi nuk ka qenë tërësisht demokratik, sepse sipas tyre "ata kanë evidentuar presione tek votuesit që të votohet vetëm për një subjekt politik” në këtë rast për listën "Srpska”, që ka mbështetjen e qeverisë në Beograd. Qeveria e Kosovës këtë e cilësoi si një ndërhyrje të papranueshme të drejtpërdrejt të Beogradit në zgjedhjet lokale në Kosovë.