1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Arrestohen pesë shtetas turq

Bekim Shehu
29 Mars 2018

Ministria e Punëve të Brendshme u revokoi lejet e qëndrimit shtetasve turq dhe qëndrimi i tyre në Kosovë tash e tutje është i jashtëligjshëm.

https://p.dw.com/p/2vCEi
Türkei Flüchtlinge in der Sanliurfa Provinz
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Altan

Në mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës, arrestoi pesë zyrtarë të kolegjit turk "Mehmet Akif”, që vepron tash e disa vite në Kosovë. Të arrestuarit janë, drejtori i përgjithshëm i kolegjit "Mehmet Akif" në Kosovë, zëvendësi i tij, që drejton një shkollë tjetër në qytetin e Gjakovës, dy arsimtarë në këtë shkollë si dhe drejtori i  një shkolle tjetër në Gjilan. Që të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Turqisë, ka bërë të ditur në një komunikatë për medie kolegji "Mehmet Akif”. Sipas tyre arsyet e arrestimit nuk dihen. Mirëpo, ministria e punëve të brendshme, pas përfundimi të aksionit të policisë, nëpërmjet një komunikate për medie, thotë se personave në fjalë në bazë të mandatit për zbatimin e ligjit për të huajt, ju kanë revokuar lejet qëndrimit.

"Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim. Kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës. Gjatë administrimit të provave është konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Pas revokimit të leje qëndrimit, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm”, thuhet në komunikatën e ministrisë së brendshme të Kosovës, duke mos saktësuar nëse turqit e arrestuar do tu dorëzohen autoriteteve te Turqisë. 

Die Hand eines Lehrers mit der Schulglocke
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shkollat "Mehmet Akif" ku punonin pesë shtetasit e Turqisë, janë të shtrira në disa qytete të Kosovës dhe i përkasin Institucionit Arsimor turk "Gylistan”. Zyrtarë të ministrisë së Arsimit disa herë kanë deklaruar se këto institucione shkollore, veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Gylistan, në Kosovë ka edhe kopshte fëmijësh, institucione parashkollore e shkolla fillore dhe të mesme pothuaj në të gjithë Kosovën.

Ka kohë që mediet në Prishtinë kanë shkruar se, ministri i drejtësisë në qeverinë e Kosovës, e ka pranuar një listë nga Turqia me emrat e personave të cilët kërkon nga Kosova që t'i ekstradojë në Turqi, si  të dyshuar që kanë qenë pjesë e organizatës FETO, të Fetullah Gulenit, e cila nga autoritetet turke konsiderohet si organizatë terroriste. Presidenti i Turqisë, reces Tayyip Erdogan, e fajëson klerikun fetar turk, Gulen për përpjekjen për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.

Arrestimi i sotëm i drejtuesve të shkollave turke në Kosovë që i përkasin Institucionit Arsimor turk "Gylistan”, është më i madhi i këtij lloji. Njëri nga analistët e njohur në Kosovë, Shkëlzen Maliqi, shkroi në profilin e tij se "aktiviteti i institucionit  arsimor turk "Gylistan”, në Kosovë është legal dhe shkollat janë regjistruar sipas ligjeve të Kosovës”.

"Nëse këto shkolla në Kosovë nuk kanë qenë nën hetime se janë duke zhvilluar veprimtari të rrezikshme për shtetin e Kosovës, e as Turqia nuk ka dërguar dëshmi tjera të bindshme se ata janë "terroristë" pos se janë "gylenista", nuk ka pse të depërtohen! Përkundrazi, duhet tu ofrohet azili ose mundësia që të zgjedhin në cilin shtet duan të jetojnë”, shkroi Shkelzen Maliqi.