1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kujdes por jo frikë

Nina Werkhäuser17 Nëntor 2015

Pas sulmeve terroriste në Francë janë shtuar masat e sigurisë edhe në Gjermani. Kryeministri i Francës Manuel Valls ka paralajmëruar më parë Evropën nga sulme të ngjashme.

https://p.dw.com/p/1H6l6
Masat e sigurise
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte

Kufiri gjermano-francez dhe avionët që fluturojnë mes këtyre dy vendeve janë duke u kontrolluar më rreptësisht se më parë. Në të gjitha stacionet hekurudhore dhe në aeroporte në Gjermani është shtuar prezenca e policisë së armatosur dhe e përgatitur për ndërhyrje, shpjegon një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në Berlin. Çdo informacion për gjendjen e sigurisë trajtohet me një vëmendje të posaçme. Në kohën kur ai fliste, në afërsi patrullonte një njësit policor, vetëm disa metra larg godinës së Qeverisë. Në Bundestag kontrollohet detajisht çdo vizitorë, por me një qetësi të theksuar. Para Minsitrisë së Jashtme qëndron në gjysmështizë flamuri francez - në shenjë solidariteti.

Megjithë shtimin e masave të sitgurisë, qeveria gjermane nuk flet për rreziqe konkrete. Siguria në Gjermani "nuk është e rrezikuar më shumë se para sulmeve", theksoi ministri i Drejtësisë Heiko Maas, në një intervistë me ARD. Edhe Gjermania është në shënjestër të terrorizmit "abstrakt". Personat e dyshuar nga skena islamike po përcillen shumë saktë. Bashkëpunimi me autoirtetet franceze është "jashtëzakonisht i mirë", theksoi Maas, i cili lavdëroi edhe zbulimin e shpjetë të terroristëve përgjegjës për sulme.

Nuk ka reagime ushtarake

Qeveria gjermane mbetet edhe pas sulmeve terroriste në qëndrimin se do të vazhdojë me furnizimin e peshmergëve në veri të Irakut, por nuk do të marrë pjesë ushtarakisht në luftën e Sirisë. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier (SPD) tha se ky është një shans që edhe Këshilli i Sigurimit, më në fund, të dakordohet rreth një rezolute për Sirinë. Ai mendon se duhet shfrytëzuar edhe atmosferën e mirë në negociatat për Sirinë, të zhvilluara të shtunën e kaluar.

Në Vjenë është propozuar një plan politik për krijimin e një qeverie kalimtare brenda gjashtë muajsh. Steinmeier ka qenë edhe vet në stadiumin "Stade de France" në Paris, në kohën e sulmeve. Ai thotë se palët nuk janë më në qëndrime diametralisht të kundërta. E pyetur për mundësinë e angazhimit ushtarak, kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania angazhohet për një zgjidhje politike, e cila mund të rezultojë me një armëpushim. Ndërsa Franca ka nisur sulmet ajrore kundër pozicioneve të ISIS, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmet në Paris.

Masat e sigurisë
Masat e sigurisëFotografi: picture-alliance/dpa/R. Goldmann

Shenjat kuzndër terrorizmit

Në mënyrë demonstrative shumë ministra së bashku me kancelaren Merkel do të shikojnë të martën ndeshjen Gjermani - Holandë, e cila zhvillohet në Hanover - si një shenjë kundër terrorizmit islam. Sulmet në Paris kanë filluar së pari pranë stadiumit Stade de France, ku zhvillohej ndeshja Francë-Gjermani. Kombëtarja gjermane e ka kaluar natën në katakombat e stadiumit. Është menduar edhe për shtyrjen e ndeshjes Gjermani - Holandë, por është vendosur që ndeshja të zhvillohet. "Ne duam t'i tregojmë terroristëve dhe gjithë botës se nuk do të frikësohemi", deklaroi ministri i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme, Boris Pistorius. Ndërsa shefi i SPD, zëvendëskancelari Sigmar Gabriel ka propozuar që në shenjë solidarizimi dhe miqësie me Francën, para ndeshjes të intonohet himni "Marseillaise"