1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Numërim me kamera - Përgatitjet për zgjedhjet parlamentare

20 Prill 2009

Pajisja e qytetarëve me karta identiteti dhe dhënia e tyre falas, për një kategori të caktuar është kthyer në një prej argumentave më të debatuar mes subjekteve politike gjatë periudhës para elektorale në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/HaaY
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Tiranë
Për Komisionin Qendror të zgjedhjeve në Tiranë, rëndësi të dorës së parë ka përcaktimi i vendit për grupet e numërimit të votave, të cilat për herë të parë do të ndiqen nëpërmjet kamerave dixhitale çdo subjekt i interesuar.Fotografi: DW/ Arben Muka

Përgatitjet për zgjedhjet parlamentare janë në pikun e tyre. Në morinë e problemeve, që shoqërojnë procesin e ngritjes së infrastrukturës elektorale bien në sy dy prej tyre. Përcaktimi i vendeve ku do të realizohet numërimi i votave dhe pajisja e shtetasve me karta identiteti.

Për herë të parë procesi delikat i numërimit të votave, do të bëhet nën vëzhgimin e kamerave. Hap pas hapi bilancin e votave për çdo subjekt politik do te ketë mundësi ta ndjekë jo vetëm komisioni zonal, por çdo njeri tjetër i interesuar.

Leonard Olli, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thotë se është shumë e rëndësishme përcaktimi i vendeve ku do të bëhet numërimi. "Pasi kjo lidhet drejtëpërdrejtë me pjesën tjetër, që është me rëndësi, numërimi në mënyrë dixhitale i votave. Duke i ditue se ku do të jetë vendndodhja e grupit të numërimit, kompania përgjegjëse, që do të mbulojë këtë proces ka të gjitha mundësitë, që brenda kohës të instalojë pajisjet, t`i verë në provë ato etj., " thotë Olli.

Leonrad Olli, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
Leonrad Olli, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thotë se KQZ nuk ka asnjë detyrim kushtetutes të merret me çështjen e pajisjes së shtetasve me karta identiteti.Fotografi: DW/ Arben Muka

Por, nëse për numërimin politika duket me qëndrime jo kontestuese deri më tani, problemi tjetër ai i pajisjes së shtetasve me karta identiteti, po përcillet me debate të ashpra. Më shumë për ata shtetas, të cilët nuk janë të pajisur ende me pasaportë dhe që të fitojnë të drejtën e votimit, duhet ta kenë patjetër kartën e identitetit.

Sajmir Tahiri, eksponent në Partinë Socialiste mendon se ashtu siç janë parashikuar për një kategori të caktuar dhënie e kartave të indentetit falas, kjo duhet të zgjerohet edhe më tej. Ka shumë njerëz që nuk e përballojnë dot çmimin e kartës, por qeveria nuk duhet t`i lerë ata pa votuar vetëm nga pamundësia ekonomike, nga varfëria, thotë Tahiri. "Kartat nuk janë një çështje infrastrukture, janë një çështje mundësish. Një mundësi ekonomike për ta blerë kuponin për tu pajisur me kartë. Edhe sikur të kemi pika aplikimi në të gjithë Shqipërinë, gjë që ende nuk është e vërtetë, por dhe sikur të bëhej kjo, thuaj psh., një familje në fshat me 8 anëtarë të pajiset me karta. Pra të blejë 6 të tilla për familjarët me të drejtë vote. Kjo është e pamundur." Sipas Tahirit, qeveria duhet të reflektojë dhe të japë karta falas për qytetarët, që nuk kanë mundësi ekonomike, por duan të votojnë.

Ndërkohë Tritan Shehu, nga Partia Demokratike e shikon ndryshe këtë çështje. Sipas tij, kërkesat e opozitës janë spekulative dhe me qëllime elektorale. "Të gjithë duhet të votojnë. Ky është një princip i yni, është princip i demokracisë. Për këtë po luftojmë dhe po kërkojmë. Kurse opozita po përpiqet të sabotojë këtë gjë, duke krijuar lloj lloj situatash, trukesh e qëndrimesh. Të gjitha këto bëhen si një justifikim për nesër, kur do të humbasë zgjedhjet. Kjo është frika ndaj zgjedhjeve ndaj rezultatit të tyre."

Nga ana tjetër Leonard Olli, thotë se KQZ nuk ka asnjë detyrim kushtetutes të merret me çështjen e pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Por, gjithësesi me propozim dhe të opozitës KQZ-ja do të përgatisë një spot televiziv të posaçëm, për sensibilizimin e qytetarëve për këtë problem. "Spoti është vendosur që do të transmetohet në media jo më pak se 50 ditë nga 28 qershori. Po marrim masat që të përgatisim një spot, që të jetë sa më efikas dhe të flasë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me publikun. Për t`i bindur ata që të bëhen pjesë e këtij aksioni qytetar."

KQZ është duke bashkëpunuar në mënyrë periodike me Ministrinë e Brendshme dhe entet e tjera përgjegjëse për të marrë informacion se si ecën problemi i pajisjes së qytetarëve me karta. Në kuadër të transparencës për publikun KQZ, për herë të parë ka filluar transmetimin online të çdo mbledhjeje, si dhe botimin e afishimin e çdo vendimi e udhëzimi për infrastrukturën e procesit zgjedhor.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama