1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka çtensionim midis Berlinit dhe Athinës

Panagotis Kouparanis/ Aida Cama18 Qershor 2012

Qeveria gjermane reagoi e lehtësuar për rezultatin e zgjedhjeve në Greqi. Por ajo këmbëngul në respektimin e kushteve të kredive. Athina dëshiron që kushtet të diskutohen edhe një herë.

https://p.dw.com/p/15HIW

Pas suksesit në zgjedhje të konservatorëve, Angela Merkel mori në telefon shefin e tyre Antonis Samaras për ta uruar. Me këtë rast, thuhet në zyrën e kancelares, ajo ka shprehur shpresat se Greqia do t`i përmbahet detyrimeve evropiane. Urimet e vërteta tingëllojnë ndryshe. Dhe ato as nuk janë të tilla. Fitorja e Antonis Samaras-it nuk ka për Berlinin arsye për t'u gëzuar, por është e keqja më e vogël.    

Kundër Tsipras-it por edhe për Samaras-in


Angela Merkel ka përsëritur shpesh moton e saj, se politika evropiane është politikë e brendshme. Megjithatë është hera e parë, ku ajo përpiqet shumë që të ndikojë vendimin që merret në zgjedhje në një vend anëtar të BE-së. "Zgjedhje vendimtare për qëndrimin e Greqisë në zonën e Euros" ose "orë vendimtare për euron", me këto karakterizime politikanët qeveritarë në Berlin donin të ndikonin mbi grekët në kuadër të zgjedhjeve. Mesazhi ishte i qartë: Fitorja e aleancës së majtë Syriza do ta nxjerrë Greqinë nga zona e euros. Për të vënë theksin mbi seriozitetin e gjendjes kancelarja gjermane e shtyu në ditën e zgjedhjeve greke për në mesnatë udhëtimin e saj për në Meksiko.
Dhe presioni nga jashtë nuk mbeti pa efekte në Greqi: Koservatorët e Nea Dimokratia-s arritën me gati 30 përqind më shumë vota se Syriza, kësisoj partia konservatore do të arrijë së bashku me PASOK-un socialist që të krijojë një qeveri.

Alexis Tsirpas në Berlin
Alexis Tsirpas në BerlinFotografi: dapd
Kriza e Greqisë sprovë për euron
Kriza e Greqisë sprovë për euronFotografi: picture-alliance/dpa

Paralajmërime nga Gjermania


Në deklaratën e tij të parë të bërë në greqisht dhe anglisht, Antonis Samaras tha se vendi i tij do t'i përmbushë të gjitha detyrimet dhe se nuk "do të ketë më aventura". Kjo i shihet Samarasit direkt e lidhur me Berlinin. Ajo që nuk harrohet është qëndrimi refuzues i Samarasit kundrejt masave reformuese dhe kursimeve, të lidhura me paketën e kredive. Merkel "i është lutur", thuhet në bisedimet në prapaskenë, që të aprovojë paktet e lidhura me qeverinë e PASOK-ut. Më kot. Vetëm kur Greqia u ndodh vërtet në buzë të greminës dhe Samarasi pati frikë se kjo do të kthehej në akuzë kundër tij, dha aprovimin. I nxitur nga ambicia që të bëhet kryeministër, ai i dha shtysë fundit të shpejtë të qeverisë së përkohshme të Lukas Papademos-it, e cila gëzoi emër të mirë tek partnerët evropianë.
Kryeministri Samaras, duhet të bëhet mjeshtër i ruajtjes së ekuilibrit midis shpresave greke dhe atyre evropiane. Në fushatën elektorale ai u premtoi zgjedhësve grekë se mund të përfaqësojë më mirë interesat e tyre në Bruksel, duke folur për bisedime të reja për kushtet e kredive. Nëse do ta mbajë këtë premtim duke qenë kryeministër pritet të shihet. Sidoqoftë ai i ka zgjuar shpresat tek popullsia greke për më pak ngarkesë, më shumë zhvillim dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
 

Pikërisht këtu është themra e Akilit të një qeverie të Samaras-it. Në bazë të ligjit grek të zgjedhjeve, qeveria do të ketë shumicën parlamentare, por jo pjesën më të madhe të shoqërisë. Kështu që pritet që Syriza të përpiqet të mobilizojë rritjen e pakënaqësisë kundër vendimeve për kursime. Nëse Samaras do të mbajë qëndrim të kundërt, atëherë duhet të arrijë të marrë lëshime nga kredidhënësit. Mënyra se si Samarasi i ka ndjekur deri tani interesat e veta, shihet me shqetësim nga Berlini. Faktin, që me Samarasin nuk janë arritur shumë gjëra në të kaluarën, një anëtar i qeverisë gjermane e komenton: "Me të është sikur të kapësh demin prej brirësh".

Merkel dhe Papademos
Merkel dhe PapademosFotografi: picture-alliance/dpa


Berlinin insiston tek kursimet


Në të ardhmen duhet të jetë ndryshe. Që para zgjedhjeve greke kancelarja gjermane ka thënë se çështja nëse Greqia do t'i respektojë marrëveshjet është një çështje që ka të bëjë edhe me atë së çfarë mund të ruhet ende nga Evropa. Me fjalë të tjera, Greqia është kthyer në paradigmë, sipas të cilës veprohet për të vendosur rregullat. Pra nëse me Athinën do të duhet të zhvillohen bisedime të reja, atëherë thonë gjemanët, do të duhet të mos refuzohen bisedime të tjera me Portugalinë dhe Irlandën.
Njëkohësisht, nëse Greqia nuk respekton marrëveshjet, atëherë gatishmëria e popullsisë gjermane për paketën e ndihmës disamiliardëshe ndaj vendeve të euros do të bjerë. Qeveria gjermane ndodhet kështu nën presion të madh brenda vendit. Prandaj qeveria gjermane nuk do që të ketë me Athinën bisedime të tjera për kushtet e kredive. Vetëm nëse Athina pranon, thuhet në Berlin, atëherë mund të flitet për aspekte të veçanta të paketës së kursimeve, si për shembull për zgjatjen e afatit të zbatimit. 

Antonis Samaras dhe Evangelos Venizelos takohen pas zgjedhjeve
Antonis Samaras dhe Evangelos Venizelos takohen pas zgjedhjeveFotografi: picture-alliance/dpa