1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"NPD antikushtetuese"?

Pasi kristiandemokratët hoqën dorë nga qëndrimi i rezervuar, Gjykata Kushtetuese mund të merret sërish me pyetjen a është antikushtetuese partia ekstremiste e djathtë gjermane NPD.

Kanë kaluar nëntë vjet që kur dështoi përpjekja e përbashkët e qeverisë federale, parlamentit dhe Këshillit Federal për të nxjerrë jashtë ligjit Partinë Nacionaldemokratike të Gjermanisë (NPD). Vetëm këto tre organe kushtetuese janë sipas ligjit themelor të autorizuara të bëjnë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Procesi u mbyll në mars 2003, sepse shtatë gjykatësit përgjegjës e panë ndërhyrjen e pakundërshtueshme të spiunëve të shtetit, si shkelje të lirisë shtetërore. Me fjalë të tjera nxjerrja e dëshmive duhet të bëhet jo me ndikimin e shtetit. Sipas pikëpamjes së gjykatësve nuk mund të sqarohej qartë nëse ka patur vërtetë aktivitete në kundërshtim me kushtetutën nga Partia Nacionaldemokrate, ose nëse dëshmitë janë nxjerrë nga spiunët e futur nga shteti.

Turp për shtetin, triumf për NDP

Gjykata më e lartë gjermane gjykoi në atë kohë jo nivelin e aktiviteteve antikushtetuese të partisë ekstremiste të djathtë, por gabimet e kundërligjshme të politikanëve, kur mori vendimin për të mos e vazhduar procesin e nxjerrjes nga ligji. Ata që kishin bërë kërkesën për nxjerrjen jashtë ligjit u turpëruan, sepse Partia Nacionaldemokrate festoi një triumf mbi sistemin shoqëror që e refuzon. Që nga përpjekja e dështuar dihet të paktën çfarë duhet të kihet parasysh kur të bëhet një përpjekje tjetër. Që spiunët e futur mes partisë ekstremiste të djathtë të hiqen.

Ish zyrtari i lartë i NPD-së, Ralf Wohlleben ruhet nga policia gjatë një demonstrate në Jena (18.08.2007)

Ish zyrtari i lartë i NPD-së, Ralf Wohlleben ruhet nga policia gjatë një demonstrate në Jena (18.08.2007)

Për këtë kanë rënë dakord pas një ngurimi të gjatë konservatorët (kristiandemokratët dhe kristiansocialët) mes 16 ministrave të brendshëm të landeve. Kolegët e tyre socialdemokrat kanë qenë gjithnjë të gatshëm, për të "hequr" spiunët nga partia nacionaldemokrate, siç thuhet në zhargonin e shërbimeve të sigurimit, nëse një burim njerëzor nuk merret më në konsideratë. Me iniciativën e përkrahur nga ministri federal i Brendshëm Hans-Peter Friedrich (CSU) rritet edhe mundësia që të fillojë një proces i dytë për të ndaluar NPD. Kushti i parë do të ishte një vendim i ministrave të Brendshëm për të tërhequr spiunët, i cili do të mund të merret me 22 mars në Berlin.

Grupi i punës mbledh material për procesin e nxjerrjes jashtë ligjit

Sipas mendimit të atyre që përkrahin idenë e kërkesës për ndalim të NPD-së, faktet nuk mungojnë për të treguar antikushtetutizmin e NPD-së. Një grup politikanësh socialdemokratë patën paraqitur që në maj 2009 një dokument 100 faqësh me titullin "NPD antikushtetuese". Që prej pranverës 2011 një grup pune i ministrisë së Brendshme mbledh materiale dhe informacione për të ndihmuar organet kushtetuese me argumenta për procesin e nxjerrjes jashtë ligjit.

Nën presionin e serisë së vrasjeve neonaziste të nëntë migrantëve dhe një policeje, është duke u pritur gjithnjë e më shumë brenda dhe jashtë vendit që kjo të ndodhë. Por kjo nuk ndryshon pengesat e mëdha ligjore që ekzistojnë për një proces ndalimi. Për të ndaluar një parti, duhet të dëshmohet qëndrimi i saj "luftarak, agresiv" kundër principeve demokratike. Në rastin e Partisë Nacionaldemokrate të krijuar më 1964, kjo ka qenë e vështirë, sepse funksionarët dhe rreth 6600 anëtarët e partisë nuk kanë lidhje direkte me neonazistët e dhunshëm.

Autor: Marcel Fürstenau/ Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti