1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Notë proteste e Beogradit, por jo ngrirje e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë

Ani Ruci20 Shkurt 2008

I ngarkuari me punë i ambasadës serbe në Tirane vazhdon detyren e tij ndërkohë që Serbia ka tërhequr ambasadorët e saj në vendet e BE që deri tani kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës si edhe nga SHBA-të.

https://p.dw.com/p/DAcD
Serbët protestojnë ndaj pavarësisë së KosovësFotografi: AP

A do të përsëritet viti 1999 kur Beogradi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërine, asokohe menjëhere pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, kurse tani për të reaguar ndaj njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës?

Miroljub Zariç, i ngarkuar me punë në ambasaden e Serbisë në Tirane vazhdon detyren e tij ndërkohë që Serbia ka tërhequr amabsadorët e saj në vendet e BE që deri tani kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës si edhe në SHBA.

Duke folur për prioritetet e politikës së Serbisë Zariç lë të kuptohet se kjo mund të mos ndodhë me Shqipërinë: „Bashkëpunimi rajonal është prioritet i politikës së Beogradit Ngrirja e marrdhënieve diplomatike do të ishte në dëm te te dyja vendeve. Republika e Serbise bën një politikë të përgjegjshme dhe e ka si prioritet këtë bashkëpunim ndonëse ai nuk është vetëm në dorë të Serbisë por gjithsesi interesi i saj është që bashhkëpunimi rajonal të forcohet“.

Megjithatë njohja nga qeveria e Tiranës e shtetit të pavarur të Kosovës, përmes ngritjes së marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadorësh nuk ka kaluar pa reagimin e Beogradit. I ngarkuari me punë i Republikës së Serbisë në Tiranë, Miroljub Zaric tha se “ambasada e Serbisë në Tiranë i ka dërguar një notë proteste të ashpër zv. ministres së punëve të jashtme, Edit Harxhi. Vendimi per të njohur shtetin e pavarur të Kosovës cënon hartën e Kombeve të Bashkuara dhe rezolutën 1244“.

Nëse do të krahasoheshin situatat në vitin 1999 dhe tani, në vitin 2008 ato do të rezultonin të ndryshme. „Serbia ka tani një regjim demokratik, dhe jo atë të kohës së Millosheviçit“ tha Miroljub Zaric.

Shqipëria u radhit ndër vendet e para, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuasra, që njohu shtetin e pavarur të Kosovës, vetem pak minuta pas SHBA-ve.