1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nojkic: Me veprat tona do të justifikojmë prezencën në parlament

9 Dhjetor 2010

Intervistë me Rangjel Nojkic, përfaqësues i Lëvizjes për Ripërtritjen Serbe në Kosovë në Listën e Bashkuar Serbe, e cila ka vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të ditës së diel.

https://p.dw.com/p/QUQy
Rangjel NojkicFotografi: DW

DW: Përse është me rëndësi për serbët dalja në zgjedhje. Çfarë risie mund të sjellin ato për serbët?

Nojkic: Këto zgjedhje janë ndoshta shumë më të rëndësishme se të gjitha zgjedhjet e mëparshme qëndrore në Kosovë. Arsyet janë të shumta. Një nga arsyet është se së shpejti priten bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ku me siguri do të haset në shumë vështirësi e pengesa, në lidhje me disa vendime ligjore. Që disa probleme të zgjidhen, është e nevojshme baza ligjore. Nëqoftëse nuk ka serbë, që të dinë të propozojnë zgjidhjet ligjore, nuk do të ketë ndryshime. Në mandatin e kaluar serbët në kuvendin e Kosovës kanë qenë të dobët dhe pasivë, me pasivitetin e tyre kanë legalizuar të gjitha ligjet. Do të ishte shans historik që serbet në bazë të planit të Ahtisarit të propozojnë disa rregulla ligjore. Sepse para hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit është dashur të bëhen disa ndryshime. Aktivitetet e serbëve kanë qenë të pakta, asgjë nuk ka ndodhur. Ne kemi sot një mbrojtje shumë të keqe institucionale. Parlamenti ka detyrë të kontrollojë funksionimin e qeverisë, prandaj në këtë kuptim deputetët duhet të vështrojnë punën e qeverisë, të japin vërejtje, sugjerime të ndryshme. Kjo nuk ka ndodhur. Pra ka shumë arsye, përse serbet duhet të dalin në zgjedhje.

Qëndrimi ndaj thirrjeve të Beogradit dhe kishës

DW: Qeveria në Beograd është e mendimit se ende nuk janë pjekur kushtet për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhje. Edhe sinodi i kishës ortodokse serbe ka deklaruar se nuk ka kushte që serbët të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonshme me 12 dhjetor. A do të kenë këto ndikim në uljen e numrit të atyre, që do të votojnë?

Nojkic: Kisha është ankuar për vendimet ligjore lidhur me çështjet e pronës së uzurpuar dhe kthimin e pronës së kishës. Kjo është për të një ndër arsyet kryesore, pse serbët nuk duhet të dilnin në zgjedhje. Ne e kemi kuptuar si detyrë shtëpie, që nëse do të hyjmë në parlament e të marrin besimin e votuesve, një ndër detyrat prioritare do të jetë të bëjmë zgjidhje ligjore së bashku me kishën ortodokse serbe dhe qeverinë në Beograd. Edhe qeveria në Beograd ka thënë se nuk janë krijuar kushtet. Por nuk do të ketë as pasoja për asnjë serb në Kosovë, nëse merr pjesë në zgjedhje si votues, apo si kandidat. Njerëzit mund të vendosin vetë. Mendoj se deklarimet e qeverisë dhe kishës ortodokse serbe mund t'i shohim edhe disi ndryshe, ne nuk i kemi kuptuar kështu dhe prandaj kemi marrë vendimin. Në fund të fundit komunikatat nuk do të thonë asgjë, vlerë kanë veprat. Shpresojmë se me veprat tona do të justifikojmë praninë tonë dhe do të fitojmë besimin e vertetë edhe të kishës ortodokse serbe edhe të Beogradit.

Raportet me serbët e veriut

DW: Ndërmjet serbëve të veriut dhe serbëve të pjesës tjetër të Kosovës ekzistojnë qëndrime të ndryshme, përsa i përket daljes në zgjedhje. A dëmtohen kështu interesat e serbëve në Kosovë?

Nojkic: Sigurisht që ndarja e serbëve nuk kontribuon në zgjidhjen e mirë të problemeve në Kosovë. Më mirë do të ishte të ekzistonte në qëndrim i përbashkët, megjithatë kjo është rezultat i kushteve të ndryshme të jetesës. Veriu ka një situatë krejt tjetër, nuk respektohen as ligjet e Kosovës dhe as të Serbisë. Nuk është zgjidhje e mirë. Nuk është e mirë kjo ndarje. Ne i kuptojmë pozicionet e pjesës se veriut dhe kërkesat e tyre. Por edhe serbët e veriut duhet t'i kuptojnë nevojat tona dhe kushtet tona të jetesës në pjesën tjetër të Kosovës. Çfarë kushtesh kemi, çfarë na sjell bojkotimi i zgjedhjeve, çfarë na sjell dalja në zgjedhje, pjesëmarrja në institucione? Jo pjesëmarrje sa për të marrë pjesë, por me aktivitete dhe iniciativa për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të serbëve. Pjesa e veriut duhet ta kuptojë mirë këtë dhe të na lërë që vetë ne të marrin vendimin. Ashtu siç nuk perzihemi ne në vendimet e tyre, mendoj se as ata nuk duhet të përzihen në vendimet dhe problemet tona.

Koalicionet pas zgjedhjeve

DW: Me cilat parti shqiptare do të preferonit të hynit në koalicion pas zgjedhjeve?

Nojkic: Nëqoftëse hyni në koalicion me dikë, pranoni objektivat e tij programore. Meqenëse ne kemi dallime në shumë gjëra, koalicioni është absolutisht i papranueshëm. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duam të marrim pjesë, edhe në pushtetin legjislativ, edhe në atë ekzekutiv, në qeveri. Ndryshimi ynë me Partinë e Pavarur Liberale, që ka pasur përfaqësues në qeveri, është se ne në bazë të planit të Ahtisarit duam të fitojmë atë, që i takon bashkësisë serbe. Do të thotë: nuk pranojmë objektiva programore, por vetëm atë që na takon, duke qëndruar fort te objektivat tona programore, pa kurrfarë kushtëzimi, apo përpjekjeje për të na vënë kushte, për të bërë pjesë në pushtetin ekzekutiv. Ne dëshirojmë të marrim pjesë në të gjitha format e qeverisjes, në ato institucione, që i përkasin bashkësisë serbe. Por e them qartë se do të donim të ruajmë objektivat tona programore. Dhe as përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe as Prishtina nuk mund të na kushtëzojnë ndryshimin e qëndrimeve tona.

DW: A mendoni se do të ketë pjesëmarrje në atë masë, saqë bashkësisë serbe t'i sigurojë më shumë se 10 vende në parlament, të cilat i ka të garantuara.

Nojkic: Sikur zgjedhjet të ishin shpallur si herën e kaluar në muajin shkurt, atëherë fushata do të kishte qenë tjetër. Do të kishim krijuar një klimë krejtësisht tjetër edhe ndaj Beogradit, edhe ndaj kishës ortodokse serbe, por edhe ndaj veriut. Do të ishim përpjekur që të dilte një numër sa më i madh votuesish. Ka për të dalë një numër votuesish dhe kjo nuk vihet në diskutim, por kam frikë se nuk do të kalojmë dot kuotën e përcaktuar dhe të fitojmë më shumë se 10 vendet e garantuara. Do të më vinte mirë po të ndodhte, por kjo është me pikëpyetje. Më duket se të gjitha subjektet politike serbe do të luftojnë për këto 10 vende të garantuara.

Autor: Angelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani