1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një zemër, një dorë, një qëllim" i protestave në Siri

Ulrich Leidholdt/Bahri Cani22 Prill 2011

Presidenti i Sirisë Baschar el Assad ka hequr gjendjen e jashtëzakonshme. Ai ka nënshkruar dy dekrete: për heqjen e gjykatës për sigurinë dhe për të drejtën e demonstratave paqësore. Opozita nuk është e kënaqur.

https://p.dw.com/p/112Lv
Protestat në SiriFotografi: dapd

Një kryq mbi një kishë midis dy gjysmëhënave në dy minare të një xhamije. Me këtë simbol grupi në Facebook „Revolucioni i Sirisë 2011“ bën thirrrje për demonstrata në festën e sotme. Gati 15 për qind e popullatës siriane janë të krishterë.

"Një zemër, një dorë, një qëllim", është motoja me të cilët do të vazhdojnë protestat për liri. Përderisa forcat e sigurisë ende bëjnë çfarë të duan dhe nuk ka ndonjë sistem të pavarur juridik, opozita nuk ka ndërmendë të ndërprejë protestat dhe të kënaqet vetëm me heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila është në fuqi për gati 50 vjet me radhë.

"Disa mendojnë se heqja e gjendjes së jashtëzakonshme cënon sigurinë tonë. Unë mendoj ndryshe. Me heqjen e saj gjendja do të stabilizohet dhe do të garantohen vlerat njerëzore për të gjithë popullatën", deklaroi Assasdi.

Syrien Präsident Bashar Assad hält eine Rede vor seinem Kabinett in Damaskus
Presidentit Bashar Assad opozita nuk i besonFotografi: dapd

Në fakt, Asadi nuk mendon fare kështu. Prej fillimit të protestave në këtë vend janë vrarë mbi 220 persona, bën të ditur organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International. Të dhëna të sakta për viktimat nuk ka, sepse regjimi ka ndaluar futjen e gazetarëve në zonat e protestave. As këtë të premte nuk lejohet futja e tyre në qytetet Dera dhe Homs, ku po zhvillohen protestat më të mëdha. Forcat siriane të sigurisë kanë zënë pusitë, ndërsa mediat shtetërore thonë se ato kanë shkuar atje me kërkesë të popullit.

Masat kozmetike

Masat si shkarkimi i guvernatorit të vjetër dhe emërimi i një tjetri në Homs, nuk do të ndalin protestat e opozitës. Aktivistja për të drejtat e njeriut Shia Saljundi në ekzil në Londër thotë se këto vepra janë vetëm kozmetikë dhe asgjë tjetër.

"Guvernatori i Homsit nuk ka kurfarë pushteti. Regjimi po përpiqet që të fitojë kohë. Kjo vetëm sa keqson gjendjen edhe më shumë. Njerëzit kanë një mesazh shumë të qartë: ata duan reforma të vërteta, liri, demokraci dhe përfundim të vërtetë të gjendjes së jashtëzakonshme", thotë ajo.

Ata kërkojnë edhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe mundësinë e demonstratave, pa lejen e shtetit.

Në fillim reforma, tani dorëheqje

Flash-Galerie Syrien Homs Militär
Ushtria në HomsFotografi: AP

Për shkak të mospranimit të kërkesave të demonstruesve, në internet janë shtuar thirrjet për vazhdimin e protestave në rrugë. "Në fillimi janë kërkuar reforma, por regjimi është përgjigjur me vrasje dhe arrestime. Tani njerëzit kërkojnë largimin e tij nga pushteti. Kërkesat janë gjithnjë e më të zëshme, në të gjitha demonstratat, varrimet dhe aktivitetet tjera, kërkohet ndërrim i sistemit", pohon ajo.

Udhëheqja e Sirisë akuzon të huajt për trazirat në këtë vend, me shpjegimin se ata po nxisin në Siri konfliktet etnike. Në fakt, kundër regjimit po protestojnë të gjitha shtresat e shoqërisë: myslimanët konservatorë, studentët, e majta dhe përfaqësuesit e kurdëve. Padurimi i tyre po rritet. Situata mund të përshkallëzojë, sepse popullata më nuk ka frikë nga dhuna e forcave të sigurisë e madje as nga të shtënat me armë zjarri.