1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një strategji e re makro-rajonale për Danubin

18 Qershor 2011

Strategjia e BE-së për hapësirën e Danubit, synon t'u sjellë njerëzve në rajon më shumë mirëqenie. Ajo as nuk është e para e këtij lloji dhe as nuk ka një fond të vetin. Megjithatë shumë ekspertë e shohin me optimizëm.

https://p.dw.com/p/11eiE
Danubi, mes Kelheim dhe Weltenburg.
Fotografi: Bayern Tourismus

Dokumenti prej 16 faqesh do të miratohet në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së (23/24 qershor 2011) në Bruksel dhe përmban katër tema kryesore: Infrastrukturën, Ambientin, Ekonominë dhe Sigurinë. 14 vende që lagen nga Danubi, tetë syresh anëtarë të BE-së, do të bashkëpunojnë në to si partnerë të barabarta.

Qëllimi është "që hapësira e Danubit të ketë të ardhme, që ajo të bëhet një rajon i pasur dhe i aftë për të konkurruar në treg", thotë për Deutsche Welle-n ministrja bavareze e Evropës Emilia Mueller. Politikania kristian-sociale, së bashku me Shoqatën e Evropës Juglindore me qendër në Munih, i kishte ftuar javën e kaluar (7/8 qershor) përfaqësuesit e këtyre vendeve në Ingolshtadt, për të diskutuar për realizimin e strategjisë.

Njëmbëdhjetë fusha me prioritet

Dokumenti i hartuar nga komisioni i BE-së ka caktuar njëmbëdhjetë fusha me prioritet. Ato janë zgjedhur në një procedurë të hapur, në të cilën institucione publike, persona privatë, sipërmarrje dhe organizata joqeveritare mund të ofronin sugjerimet e tyre. Ato mund të lexohen në faqen e internetit të Komisionit të BE-së dhe fillojnë që nga përmirësimi i lundrueshmërisë së lumit, e deri tek këmbimi kulturor dhe luftimi i krimit të organizuar.

Sektorët koordinohen secili nga dy shtete. Kështu për shembull Gjermania (nëpërmjet Bavarisë) dhe Kroacia përkujdesen për projektet e mbrojtjes së ambientit, Serbia dhe Sllovakia merren me bashkëpunimin në fushën e shkencës, ose Austria e Moldavia me arsimin profesional. Valeriu Gheorghiu nga ministria e jashtme e shtetit të vogël evropianolindor thotë se për Moldavinë kjo është përzgjedhja e duhur: "Ne në Moldavi nuk kemi lëndë të para. Burimi ynë i vetëm është njeriu ne duhet të investojmë në të".

Pamje nga lumi Danud në Bavari.
Fotografi: picture alliance/Bildagentur Huber

Afërsi në sajë të lumit

Atë, për të cilën ka nevojë vendi më i varfër i hapësirë së Danubit, pra, një arsim solid, mund ta ofrojnë fare mirë dy landet e pasura në jug të Gjermanisë: Bavaria dhe Baden-Vyrtembergu.

I ashtuquajturi "sistemi dual" i profesionalizimit, në të cilin profesioni mësohet paralelisht si në bankat e shkollës, ashtu edhe nëpërmjet praktikës në një sipërmarrje, është dëshmuar si shumë i vyeshëm, thotë Hans Peter Herdlitschka nga ministria ekonomike e Baden-Vyertembergut.

Herdlitschka shpreson që sipërmarrësit gjermano-jugorë tani të gjejnë sa më shumë partnerë në rajon.

"Sidomos tani që ata i kanë punët mirë, janë të gatshëm të investojnë në vende të tjera. Por Kina dhe India për sipërmarrjet e vogla janë shumë larg ose ata nuk e kuptojnë mirë gjuhën. Ndërsa Danubi është një element që i lidh. Ai buron në Baden-Vyrtemberg, del në Detin e Zi, dhe ka krijuar shumë lidhje profesionale mes njerëzve. Strategjia e Danubit do të na ndihmojë që t'i shfrytëzojmë më mirë paratë që janë në dispozicion."

Pa fonde të posaçme

Duhet thënë se komisioni nuk ka vënë në dispozicion para të posaçme për strategjinë e Danubit. Ajo duhet të vetë-shërbehet nga fondet e ndryshme që i takojnë secilit vend nga programet e mëparshme të BE-së. Meqenëse vende si Bullgaria dhe Rumania, nuk i shfrytëzojnë deri në fund paratë që kanë në dispozicion, pasi nuk kanë kapital të vetin për bashkëfinancim, projekte të përbashkëta të hartuara me mençuri në kuadër të strategjisë së hapësirës së Danubit mund të krijojnë një mundësi të mirë për të shfrytëzimin e tyre, janë të mendimit ekspertët.

Aty ku idetë janë të mira, gjendet edhe financimi – një përvojë që njihet nga strategjia e re hapësirës së Baltikut. Kjo zonë ishte e para që testoi të ashtuquajturin konceptin e ri makro-rajonal të BE-së.

Kurt Bodewig, kryetari organizatës "Baltic Sea Forum" që merret aktualisht me një projekt për reduktimin e emisionit të anijeve në Baltik e lavdëron idenë e bashkëpunimit makro-rajonal. "Kryesorja është që vendet pjesëmarrëse, si ato anëtare, ashtu edhe ato jo-anëtare të BE-së, bien dakord me njëri-tjetrin për projekte të përbashkëta",– thotë ish ministri gjerman.


Shpresa të reja

Megjithëse strategjia e hapësirës së Detit Baltik ekziston vetëm që nga viti 2009, koncepti duket se po bën efekt. Krahas Danubit e Baltikut, edhe makro-rajone të tjera po hartojnë tani strategjitë e tyre. Por në BE nuk kanë munguar kurrë idetë për bashkëpunim rajonal. Ato deri tani nuk kanë sjellë shumë fryte, thotë Franz Kaps, ish-ekonomist i Bankës Botërore. Strategjia e re makro-rajonale megjithatë atij i duket pak më ndryshe: „Kjo është një strategji që bëhet nga poshtë-lart, e që e ka përfshirë që në fillim shoqërinë civile. Nuk është një strategji që hartohet në Bruksel dhe në kryeqytetet e Evropës, e që nuk kuptohet nga qytetari i thjeshtë. Me Danubin mund të identifikohen shumë njerëz."

115 milionë banorë janë të lidhur me lumin më të gjatë të Hapësirës së BE-së. Se sa të lidhur janë këta edhe me njëri-tjetrin, kjo do të shihet në sugjerimet e projekteve të tyre.

Gernot Erler, ekspert i Evropës Lindore dhe president i Shoqatës së Evropës Juglindore shpreson që në këto projekte të mos harrohen pjesëtarët e komunitetit rom: „80 përqind e romëve që jetojnë në Evropë jetojnë përgjatë Danubit. Është afërmendsh që ata të përfshihen në projekte që kanë të bëjnë me integrimin, arsimin apo punësimin", thotë politikani socialdemokrat.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: E. Xhani