1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Njësia elitë amerikane që vret krerët e 'Shtetit Islamik'

bc (spie, dpa)30 Mars 2016

Presidenti amerikan Barack Obama synon që me një njësi speciale të eleminojë krerët e "Shtetit Islamik". Por strategjia e tij është kritikuar shumë, shkruajnë mediat amerikane dhe gjermane.

https://p.dw.com/p/1IMEl
US Spezialkräfte bei einer Übung im Golf von Mexikko
Fotografi: Reuters/M. J. Martinez

Në Uashington do të mblidhen këtë të enjte presidentët dhe kryeministrat e 51 vendeve të ndryshme, në "Nuclear Security Summit". Zyrtarisht thuhet se tema kryesore është parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore në botë. Por tema dominuese me siguri që do të jetë luftimi i të ashtuquajturit "Shteti Islamik".

Në SHBA po vazhdon fushata parazgjedhore për kandidatët e republikanëve dhe demokratëve për president të ardhshëm amerikan. Zgjedhjet do të mbahen nga fundi i vitit, por presidenti Barack Obama do të dëshironte që deri në fund të mandatit të tij, të shkatërrojë pjesën më të madhe të "Shteti Islamik". Ndaj është e sigurt që pas sulmeve të fundit në Bruskel, kjo konferencë do të shfrytëzohet për dërgimin e një sinjali të fuqishëm për unitet në luftën kundër terrorizmit dhe terroristëve.

Sulmet po vazhdojnë prej javësh

Prej javësh po vazhdojnë sulmet amerikane kundër IS në Siri dhe Irak, bën të ditur revista "Spiegel" duke shtuar se "krahas sulmeve ajrore dhe ndihmës së trupave irakiane dhe kurde në tokë, një rol të madh po edhe angazhimi i njësive speciale". Ushtarët elitë të Ushtrisë Amerikane angazhohen në të ashtuquajturat misione "Kill-or-Capture", që do të thotë se obligimi i tyre është që të kapin apo të vrasin kuadrot e IS, me qëllim asgjësimin apo të paktën dobësimin e rrjetit terrorist. Në fillim të marsit, gazeta "Neë York Times" ka njoftuar për arrestimin e personave të rëndësishëm të IS në Erbil të Irakut. Gazeta shkruan se qëllimi i dërgimit të ushtarëve të njësisë speciale Delta Force është të dobësojë udhëheqësinë e IS. Ndërsa këto ditë është konfirmuar edhe vrasja e një prej krerëve të IS.

Afghanistan Nächtliche Razzia
Fotografi: AP

200 ushtarakë elitë kundër udhëheqësve të IS

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni i kanë hedhur poshtë informacionet për angazhimin e njësive speciale. Por njëkohësisht janë theksuar sukseset e tyre, për shkak të kritikave të shtuara ndaj presidentit Obama dhe strategjisë së qeverisë së tij në luftën kundër IS. Ministri i Mbrojtjes Ashton Carter ka bërë të ditur së fundi se njësitë speciale do të "eliminojnë krerët e Kabinetit të IS" një nga një. Ndërsa më i kërkuari në këtë listë është Abu Bakr al-Baghdadi. Së fundi është vrarë i ashtuquajturi "ministër i Financave" i IS, Abdul al-Kaduli. Qëllimi fillestar ka qenë që Kaduli të arrestohet. Rrjeti CNN njofton se pasë identifikimit të Kadulit dhe njëjsisë së tij në territoret e IS, kanë filluar aksionet për arrestimin. Por gjatë aksionit ai dhe luftëtarët e tij janë vrarë. Ndërkohë njoftohet se njësitë amerikane kanë kapur shumë pjesëtarë të tjerë të IS.

Mediat njoftojnë se njësia speciale numëron rreth 200 ushtarakë elitë dhe ata vijnë kryesisht nga Delta Force, një njësi komando, e cila prej 30 vjetësh me radhë angazhohet në aksionet kundër terrorizmit. Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij janë të bindur në sukseset e njësisë, por mendojnë se aksionet duhet të jenë të kujdesshme. "Ne nuk mund të sulmojmë objektiva pa qenë të sigurt se kush është në shënjestër", tha ai.

Kritikat ndaj strategjisë së Obamës

Kritikët e Obamës mendojnë se kombinimi i njësive speciale dhe sulmeve ajrore nuk mjafton për eliminimin e "Shtetit Islamik" Gati të gjithë kandidatët e rebublikanëve në fushatën parazgjedhore kanë paralajmëruar se aksione shumë më të ashpra kundër IS. Disa prej tyre flasin madje për dërgimin e dhjetëra mijëra ushtarëve në luftë kundër IS. Republikanët John McCain dhe Lindsey Graham kanë kërkuar dërgimin e trupave tokësore amerikane, të cilët duhet të luftojnë së bashku me peshmergët dhe irakianët. SHBA ka aktualisht rreth 3000 ushtarë në Irak, por ata kryesisht kryejnë punën e këshilltarëve dhe koordinatorëve. Obama deri tani i mbetet besnik strategjisë së tij. Mendohet se këtë strategji do ta mbrojë edhe në samitin e ardhshëm.