1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Srebrenica Kommentar

1 Prill 2010

Gati 15 vjet pas masakrës së trupave serbe kundër popullsisë myslimane në Srebrenicë parlamenti serb miratoi një deklaratë me të cilën denohen krimet atje dhe kërkohet falje prej familjarëve të viktimave.

https://p.dw.com/p/Mjvv
Monumenti përkujtimor për viktimat e Srebrenicës
Monumenti përkujtimor për viktimat e SrebrenicësFotografi: picture-alliance/ dpa

Serbia nuk do të mbyllë më sytë para veprave të tmerrshme dhe është e gatshme të përballet me kapitullin e errët të Srebrenicës. Për të dërguar këtë sinjal vendi i izoluar që nga fillimi i luftërave ka pasur nevojë jo vetëm për 13 orë debati në parlament, por për një kohë shumë, shumë më të gjatë. Një përpjekje para pesë vitesh e politikanit pro-perëndimor Boris Tadiq dështoi, në kohën e qeverisë së atëhershme nacionaliste.

Sot është i mundur një gjest i këtillë pajtimi me myslimanët boshnjakë, në qoftë se në përgjithësi mund të kërkohet falje për një krim të përmasave të këtilla. Serbët nuk e kanë pasur lehtë që të pranojnë fajin për këtë masakër. Debatet e gjata dhe shpesh me zë të lartë dëshmojnë për një përçarje të thellë në shoqërinë serbe. Gati gjysma e serbëve as sot nuk do të besojë se pas pushtimit të së ashtuquajturës "Zonë e mbrojtur e OKB-së", siç ishte Srebrenica, Ratko Mladiq me trupat e tij serbe ka ndarë dhe ekzekutuar gati 8.000 të rinj dhe burra myslimanë. Parë nga kjo perspektivë, dënimi zyrtar i masakrës është një hap i madh për Serbinë, edhe pse ai erdhi pas presioneve të mëdha të BE-së.

Mirëpo gjërat nuk mund të mbeten vetëm në këtë akt simbolik. Në veçanti kur dihet se rezoluta ka një mangësi shumë të madhe - për të siguruar shumicën në parlament është evituar nocioni gjenocid, ndonëse si i tillë është quajtur në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe në Tribunalin për krime lufte. Prandaj nuk është e befasishme që organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut këtë gjest të Serbisë e shohin si dyfytyrësi.

Për familjarët e viktimave dhe për të mbijetuarit kjo rezolutë është me të vërtetë vetëm një hap i vogël, në qoftë se nuk pasohet prej masave konkrete. Fakti që përgjegjësi kryesor për Srebrenicën, gjenerali Ratko Mlladiq ende nuk është arrestuar, paraqet një përçmim për viktimat. Nëse mendohet që kjo rezolutë të mos mbetet vetëm sinjal i një politike pro-perëndimore dhe afrim me Brukselin, Serbia më në fund duhet ta arresojtë Mlladiqin dhe ta dorëzojë në Hagë. Përderisa mohuesit e Srebrenicës nuk dënohen, për çështjen e fajit nuk diskutohet as në universitete dhe viktimat ende presin dëmshpërblimet, pajtimi do të jetë i vështirë. Edukimi demokratik është parakusht për përballjen me të kaluarën në Serbi, sepse në vend që të vazhdohet drejtimi dhe të diskutohet për këtë rezolutë, zyrtarisht ka nisur procesi për një rezolutë tjetër, kësaj radhe për viktimat serbe. Pajtimi i vërtetë nuk mund të bëhet me tregti politike dhe shumica të ngushta në parlament. Kurrsesi nuk mund të bëhet sipas parimit "siç ma bën ti mua, ta bëj edhe unë ty". Pajtimi funksionon vetëm me bindjen e thellë të brendshme prej të gjithë pjesëmarrësve. Duket se për këtë në Ballkan ende nuk janë pjekur kushtet.

Autor: Andrea Mühlberger
Redaktor: Pandeli Pani